Feja

Bashkësia Islame Shqiptare në Zvicër i uron besimtarët për festën e Bajramit

Bashkësia Islame Shqiptare (BISH) përcjell mesazh urimi me rastin e Festës së Fitër Bajramit, ditën përmbyllëse të muajit të Ramazanit 2017.

“Të nderuar bashkatdhetarë, vëllezër dhe motra, E diela është dita e parë e Fitër Bajramit, ndaj kam nderin që në emër të BISHZ-së dhe në emrin tim t’ ju uroj festën e Fitër Bajramit me urimet dhe përgëzimet më të ngrohta, duke e lutur të Lartmadhëruarin të ketë pranuar agjërimin, adhurimin dhe të gjitha kontributet e tjera dhe të vendosen në shërbimin e njeriut në përgjithësi. Po ashtu e lus Perëndinë që kjo festë të sjellë sa më shumë begati, harmoni, tolerancë, respekt, gëzim, paqe dhe lumturi për gjithë botën shqiptare, por veçanërisht për shtetin tonë helvetik, në të cilin Krijuesi na ka caktuar fatin të gjejmë perspektivën, ardhmërinë dhe mirëqenien”, thuhet në njoftim.

“O Zot, ruana nga çdo fenomen negativ që cenon paqen, sigurinë dhe stabilitetin tonë. Me fat Fitër Bajrami”, thuhet në njoftimin e Bashkësisë Islame Shqiptare, të nënshkruar nga kryetari Mustafë Memeti.