Integrimi

Bashkëpunimi Jura – Kosovë, shembull që duhet ndjekur

Qeveria e Kantonit Jura ka organizuar pritje për ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Naim Malaj. Në këtë kuadër, ai ka vizituar edhe ndërmarrjen "Moderna SA" e cila ka bërë investime në Kosovë

Flamuri i Kosovës krahas atij të Kantonit Jura, i vendosur ne ballë të ndërtesës së Qeverisë së Kantonit, që ndodhet brenda kështjellës së ngritur në shekullin e katërmbëdhjetë, simbolizonte mikpritjen e Jura-s për Kosovën, respektivisht për përfaqësuesit e saj diplomatikë.

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Naim Malaj është pritur të martën në selinë e Qeverisë së Kantonit të Jura-s, në Delemont. Në pritje ka marrë pjesë kryeministri në qeverinë kantonale, Michel Probst bashkë me pesë ministra.

“Ishte një vizitë kurtuazie. Kantoni i Jura-s e ka si traditë që për çdo vit të organizojë një pritje njëditëshe për një ambasador të një shteti të akredituar në Bernë. Vitin e kaluar ishte ambasadori i SHBA-së dhe këtë vit, ambasadori i Kosovës. Së bashku me ministrin këshilltar, z. Mustafë Xhemajli, jemi pritur pra nga qeveria e këtushme. Kemi biseduar për bashkëpunim, marrëdhëniet në mes të Zvicrës, respektivisht Jura-s dhe Kosovës. Në fokus ka qenë edhe mërgata jonë këtu. Kryeministri dhe ministrat e vlerësuan lartë organizimin e komunitetit tonë në këtë kanton”, thekson Malaj për albinfo.ch.

Ai shton se sipas pohimeve të mikpritësve, komuniteti shqiptar këtu përbëhet nga afërisht 1800 veta, ose 350 familje. “Komuniteti ynë po merr pjesë edhe në jetën politike të këtushme, si fjala vjen në zgjedhjet për këshilltarë komunalë etj. Duhet përmendur se Kantoni Jura hyn në mesin e kantone më të hapura sa u përket të drejtave të të huajve. Këtu mund të votosh dhe të zgjidhesh për organet lokale edhe kantonale, edhe pa pasur shtetësinë zvicerane, pra mjafton viza C”, thotë më tutje ambasadori kosovar. Ndërkaq, ai ka thënë se në takim janë përmendur edhe shembujt e bashkëpunimit në sfera të ndryshme në mes të Juras dhe Kosovës, siç ka qenë ndihma që spitali i këtushëm kantonal i ka dhënë spitalit të Ferizajt dhe sidomos siç është investimi i firmës “Moderna S.A.” nga Bonfoli i Jura-s në Gjakovë, etj.

Ndërsa sipas Mustafë Xhemajlit, ministër këshilltar në ambasadë, mikpritësit kanë folur në superlativ për integrimin e suksesshëm të shqiptarëve në kanton, në të gjitha fushat. Ata kanë thënë se kanë raporte shumë të mira me shoqata të ndryshme shqiptare në fushën e kulturës në Jura ndërsa kanë vlerësuar lartë edhe suksesin e shqiptarëve në hapjen e bizneseve të ndryshme të vogla dhe të mesme.

“Kemi këtu një komunitet shumë vital dhe të motivuar për punë”, përcjell Xhemajli konstatimet e mikpritësve.

Shembulli i Bonfolit

Delegacioni i Ambasadës së Kosovës në kuadrin e pritjes në kantonin Jura ka vizituar edhe ndërmarrjen “Moderna S.A”, në Bonfol, ku pronari i saj, Laurent Bregnard, e ka njoftuar lidhur me afarizmin e ndërmarrjes e cila prej vitesh ka zgjeruar veprimtarinë e saj edhe në Kosovë.

Në sekretarinë e firmës na presin edhe dy vajza shqiptare, punëtore administrative, që na përshëndesin në gjuhën shqipe. Duke krijuar kështu që në hyrje pasqyrën e një bashkëpunimi të suksesshëm, që mund të shërbejë si shembull edhe për sferat tjera të bashkëpunimit Zvicër-Kosovë.

“Në Kosovë, respektivisht në komunën e Gjakovës ne kemi një punëtori ku bëhet qepja e uniformave të ndryshme të cilat pastaj liferohen në Zvicër. Bëhet fjalë kryesisht për uniforma të punëtorëve të industrisë së orëve, për spitalet, hotelet dhe subjektet tjera të interesuara”, thotë Bregnard për albinfo.ch.

Ai thekson se investimin e tij në Kosovë e ka filluar para shtatë vitesh dhe se është shumë i kënaqur me punën që bëhet atje. Bregnard flet edhe për problemet e fillimit, pasi që punëtoret vinin nga bujqësia e blegtoria, kështu që përshtatja me orarin e punës në fabrikë mund të paraqiste pak vështirësi.

“Por shumë shpejt janë adaptuar dhe unë jam shumë i kënaqur me kulturën e punës dhe me disiplinën që tregojnë”, thotë ai. Pronari i “Moderna S.A” thotë se aktualisht ka disa porosi të mëdha për uniforma dhe për këtë arsye ka angazhuar edhe firma tjera partnere në Kosovë.

  Bregnard, i kënaqur me investimin në Kosovë

Gjithsej në Bonfol, në kuadrin e firmës janë angazhuar rreth 30 punëtorë, nga të cilët gjashtë janë shqiptarë, në të gjithë sektorët, përfshirë edhe në sekretari. Ai thekson se përparësia e kësaj ndërmarrjeje është në faktin se klientët që sjellin uniformat e tyre për t`i pastruar kanë mundësi që këtu t`i porosisin edhe uniformat e reja, ose plotësimin e fondit të tyre. Kjo mundësohet pasi që këtu është edhe sektori i prerjes dhe i qepjes. Ndërsa porositë më të mëdha për qepje i dërgojë në Kosovë”.

Me z. Bregnard delegacioni nga Ambasada e Kosovës ka bërë një shëtitje nëpër dhomat ku bëhet dizajnimi dhe prerja e uniformave të cilat pastaj qepen në Kosovë. Ndërsa një pjesë e mirë e punës në ndërmarrjen “Moderna S.A” përbëhet nga lavanderia ose shërbimi për larjen me shumicë të rrobave. Këtu, në makinat gjigante pastrohen kryesisht uniforma të punëtorëve të fabrikave, spitaleve, hoteleve etj. me të cilat “Moderna” ka marrëveshje.

Ambasadori në një bisedë spontane me z. Bregnard ka përgëzuar atë për investimin e bërë në Kosovë dhe është shprehur i kënaqur me atë që ka parë dhe dëgjuar gjatë kësaj vizite. Ai ka thënë se një bashkëpunim si ky është një tregues i mirë se kur ekziston vullneti dhe vendosmëria, edhe investimet në prodhimtari, nga jashtë në Kosovë, mund të kenë sukses. Ky shembull do të duhej t`i trimëronte edhe investitorët tjerë që të bëjnë hapa te ngjashëm në atë drejtim, ka theksuar ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, Naim Malaj.