Lajme

Bashkëlojtari i Valon Berishës shpreh fjalë lavdëruese për të

Ish-bashkëlojtari i Valon Berishës te Salzburgu, Stefan Lainer, e ka lavdëruar futbollistin kosovar, për të cilin thotë se e ka bërë më të fortë Fortuna Dusseldorfin që kur u transferua te klubi gjerman.

Valon Berisha i ka dhënë frymë të re Fortuna Dusseldorfit, shkruan Gazeta Express, përcjell albinfo.ch.

Futbollisti kosovar u largua nga Lazio gjatë janarit për t’u huazua në klubin gjerman.

Përfaqësuesi kosovar synon ta ndihmojë Fortunën të shpëtojë nga rënia prej Bundesligës.

Këtë fundjavë futbollisti i rritur në Norvegji do të përballet me ish-bashkëlojtarin e tij te Red Bull Salzburgu, Stefan Lainer.

Ky i fundit e ka lavdëruar Berishën, për të cilin thotë se e ka bërë më të fuqishme Fortunën, që prej transferimit të tij në fund të muajit të kaluar.

“Valoni është një mik imi i mirë. Është një top transfer për Fortunën. Një super-djalosh, të cilin çdo klub do të donte ta kishte në gjirin e tij. Këtë nuk po e them vetëm unë, pasi ashtu është. Ai e bën Fortunën më të fortë, i vë edhe bashkëlojtarët në veprim”, ka thënë 27-vjeçari për tabloidin gjerman “Bild”.

Berisha mungoi në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë për shkak të një tërheqjeje muskulore, ndërsa në Bundesligë po luan mjaft mirë.