Lajme

Shqiptarët festuan Kurban Bajramin, festën e sakrificës dhe solidaritetit

Salla e sporteve në Kloten, afër Aeroportit të Cyrihut, po u shërbente besimtarëve shqiptarë për ceremoninë e faljes së namazit të Kurban Bajramit

Edhe pse ditë pune, qindra besimtarë shqiptarë ia kishin mësyrë herët të mërkurën ndonjërës prej qendrave islame në Cyrih ngase po fillonte festa e Kurban Bajramit.

Kurban Bajrami ka mbledhur bashkë bashkatdhetarët gjithandej nëpër Zvicër në mëngjesin e së mërkurës në ceremoninë e faljes së kësaj feste të madhe islame.

Nëpër xhami dhe salla sporti është bërë thirrje për paqe, mirëqenie dhe tolerancë midis myslimanëve dhe të tjerëve.

Njëra prej sallave të rezervuara, salla e sporteve në Kloten, në afërsi të Aeroportit të Cyrihut po u shërbente të mërkurën për të kryer ceremoninë e faljes së namazit të Kurban Bajramit besimtarëve shqiptarë, që shënon fillimin e kësaj feste nga myslimanët e gjithë botës.

Ceremoninë e faljes së namazit të Bajramit e udhëhoqi imami me prejardhje nga Gjilani, Faredin Bunjaku, i cili përcolli edhe mesazhin e kësaj feste.

Ai porositi besimtarët të bashkohen me njëri tjetrin, të shtrijnë dorën dhe të ndihmojnë ata që kanë nevojë, sidomos në vendlindje.

“Festat dhe festimet janë momente të veçanta për ne myslimanët, kur kemi mundësinë të ripërtërijmë synimet tona, të nxjerrim mësime nga historitë e vërteta të jetës dhe të ndajmë lumturinë dhe gëzimin tonë me të tjerët. Ne gjithashtu ndajmë gëzimin dhe festën tonë me vëllezërit dhe motrat tona në nevojë dhe të varfër anembanë globit dhe mundohemi të përhapim një atmosferën festive në mbarë botën duke dhuruar mishin e kurbanëve dhe duke treguar solidaritetin dhe vëllazërinë tonë”, tha Imami Bunjaku.

“Festa shërben për të rritur gëzimin. Prandaj, gëzimi ynë duhet të jetë aq i madh sa të mund të përfshjë të gjithë botën. Së pari, zemrat tona duhet të mbushen me këtë lumturi dhe më pas duhet të pushtojmë zemrat e prindërve tanë”, ishte lutja e Imamit, Fahredin Bunjaku.

“Në familjet tona, ky gëzim duhet të rritet mes bashkëshortëve dhe fëmijëve tanë. Ne duhet ta bëjmë këtë duke i dhënë njëri-tjetrit dhurata, duke vizituar, përshëndetur, përqafuar dhe duke u uruar festën e Kurban Bajramit, fqinjëve, miqve dhe të afërmve tanë. Në këtë mënyrë ne mund të thellojmë vëllazërinë dhe miqësinë tonë”, thotë në mesazhin e tij, imami Fahredin Bunjaku,  para besimtarëve myslimanë që po festojnë Kurban Bajramin.

Pas  faljes së namazit të Bajramit, besimtarët kanë uruar njëri tjetrin, me shpresë se kjo festë do të sjellë mirëqenie në familjet e tyre.

Në fund nga organizatorët në kuadër të Qendrës Kulturore – Shtëpia e Paqes në lagjen Schwamendigen të Cyrihut janë gëzuar shumë fëmijë që kishin ardhur me prindërit e tyre, duke u shpërndarë dhurata me rastin e Kurban Bajramit.

Festa e Kurban Bajramit personifikon edhe sakrificën. Me këtë rast, besimtarët myslimanë në Zvicër, në pamundësi për të therë kurbane këtu, në organizim të qendrave islame kanë mbledhur mjete që ky ritual fetar të kryhet në vendlindje.

Edhe këtë vit një kurban ka kushtuar 170 franga, ndërsa mishi i mbledhur do të shpërndahet për familjet skamnore.

Festa e Kurban Bajramit simbolizon edhe Haxhin, pelegrinazhi më i madh në botë, që ka grumbulluar rreth 2,5 milion myslimanë nga e gjithë bota në Mekë dhe Medinë – dy qytetet më të shenjta të islamit.

Ritualet përfundojnë me tri ditë festë globale, që shënojnë Bajramin.