CH-Ballkani

Basha thotë se po thellohet sundimi i Edi Ramës

Lulzim Basha ka theksuar se ky ishte kabineti i thellimit të sundimit privat të Edi Ramës

Pas prezantimit të kabinetit qeveritar në Shqipëri që do të udhëheq ekzekutivin në katër vitet e ardhshme, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke theksuar se ky ishte kabineti i thellimit të sundimit privat të Edi Ramës, transmeton albinfo.ch.

“Asgjë e re, vazhdim dhe thellim i së keqes.  Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin.

Kjo është qeveria e kons​olidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse”, ka thënë Basha në reagimin e tij.