Shqipëria

Basha thotë se PD-ja do ta heqë taksën në Rrugën e Kombit

Basha thekson se  ky është një akt kriminal që dëmton edhe ekonominë e Shqipërisë, duke rritur koston për shërbimet dhe produktet dhe duke goditur qytetaret dhe bizneset e zonës

Kryetari i Partisë Demokratike , Lulzim Basha ka reaguar lidhur me pagesën që pritet të nisë për Rrugën e Kombit duke njoftuar se ajo do të shfuqizohet që ditën e parë të ardhjes në pushtet të kësaj partie.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Basha thotë se kjo është një grabitje e dyfishtë që po u bëhet shqiptarëve. Basha po ashtu thekson se  ky është një akt kriminal që dëmton edhe ekonominë e Shqipërisë, duke rritur koston për shërbimet dhe produktet dhe duke goditur qytetaret dhe bizneset e zonës.

“Partia Demokratike ka hedhur e para idenë e një studimi tërësor për mundësinë e aplikimit të tarifave të lehta, transparente, të përballueshme nga të gjithë, për të kontribuar kështu në mirëmbajtjen e rrjetit rrugor shqiptar. Por aplikimi i këtyre tarifave do të lidhej me zbatimin e një parimi universal, me ekzistencën e rrugëve alternative, pa pagese. Do të lidhej po kështu me parimin e mos taksimit të dyfishtë, pra me heqjen e taksës së qarkullimit të automjeteve”, ka shkruar Basha.