Shqipëria

Basha: Qeveri mafioze, Agaçi dhe Biba t’i dorëzohen drejtësisë

“Ky shantazh është një akt i mirëfilltë mafioz dhe një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe i paimagjinueshëm në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut"

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka reaguar sërish në lidhje me një audiopërgjim, ku pretendohet se qeveria ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg. Basha tha se përgjimi i zbuluar sot në media tregon se qeveria funksionon si një organizatë mafioze.

“Ky shantazh është një akt i mirëfilltë mafioz dhe një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe i paimagjinueshëm në historinë e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut. Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike”, theksoi ai.

Edhe kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së ka kërkuar nga Prokuroria të nisë sa më parë hetimet lidhur me publikimin e audio përgjimit, ku gjyqtari shqiptar i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku, shantazhohet duke i kërkuar të ndikojë në bllokimin e çështjeve të pronave.