Shqipëria

Basha bën thirrje që të mos paguhen taksat

"Mos paguani taksat e rritura, mos paguani TVSH, sepse këto taksa shpërdorohen nga Edi Rama dhe qeveria në pushtet”, ka thënë ai

Kreu i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha, u ka bërë sërish thirrje qytetarëve që të mos paguajnë më taksa, duke shtuar se ata kanë dy arsye për të protestuar, pasi po ndodh grabitje dyfish e shqiptarëve.

“Rama i grabit dyfish shqiptarët dhe pastaj u bie dyfish me kërbaç. Reagimi në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë është kundër padrejtësisë dhe grabitjes. Nuk shpenzon asnjë cent nga 800 milionë euro që ka mbledhur në 5 vjet nga taksa e qarkullimit që e ka rritur, por e jep atë me koncesion. Ata që u çuan, u çuan për bukën e gojës. Mos paguani taksat e rritura, mos paguani TVSH, sepse këto taksa shpërdorohen nga Edi Rama dhe qeveria në pushtet”, ka thënë ai.