Futboll

Baseli pëson nga Manchester City

Taulant Xhaka ka luajtur nga fillimi, derisa Albian Ajeti ka hyrë në lojë në minutën e 71-të

Kampioni i Zvicrës, Baseli nuk ka arritur t’i bëjë ballë liderit të Premierligës, Manchester Cityt, duke pësuar me rezultat 0:4, shkruan albinfo.ch.

City ka dominuar ndeshjen nga fillimi dhe në pjesën e parë shënoi tre herë, me anë të Gundogan, Silva dhe Aguero, derisa Gungodan sërish ka shënuar në pjesën e dytë për rezultatin përfundimtar 0:4.

Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Taulant Xhaka ka luajtur nga fillimi, edhe pse në një rol të ri si mbrojtës në këtë ndeshje, derisa është ndëshkuar me karton të verdhë.

Futbollisti tjetër shqiptar, Albian Ajeti, ka hyrë në minutën e 71-të. Ndeshja e kthimit në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve do të zhvillohet pas dy javësh në Angli, megjithatë, pas këtij rezultati ka pak dyshime se kush do të kualifikohet për rrethin e ardhshëm.