Lajme

Baronesha Anelay, një fustan për gratë kosovare

Baronesha Anelay, ministre e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar,  dhuroi një fustan për gratë kosovare të dhunuara gjatë luftës

Një fushatë simbolike në mbështetje të grave kosovare që u dhunuan seksualisht nga forcat serbe 16 vjet më parë, po vazhdon në Prishtinë. E iniciuar nga artistja Alketa Xhafa-Mripa dhe e mbështetur nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, fushata “Mendoj për ty”, mbledh fustane në mbështetje të këtyre grave.

Kësaj kampanje i është bashkuar baronesha Anelay ministre e Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar e cila dhuroi një fustan për gratë kosovare. Fustanin e saj e dorëzoi ambasadori britanik, Ruairí O’Connell, i dorëzoi sot presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga fustanin e dhuruar nga Anelay.

Baronesha Anelay, ditë më parë, i kishte dorëzuar fustanin ambasadorit të Kosovës në Londër, Lirim Greiçevcit, për të përkrahur dhe njëkohësisht për të fuqizuar fushatën e vetëdijesimit për dhënien fund dhunës seksuale gjatë konfliktit si dhe që të mbijetuarat të marrin njohjen dhe mbështetjen e duhur.

“Jam e kënaqur që kam mundësinë të jap kontributin tim në instilacionin frymëzues “Mendoj për ty” në Prishtinë. Instalacioni i Alketa Xhafës do të shërbejë si një kujtim i fuqishëm i atyre, jeta e të cilave u ndryshua në mënyrë të pakthyeshme nga goditja e dhunës seksuale në konflikt, dhe për nevojën për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë dhunës seksuale si një taktikë e luftës”, thotë baronesha Anelay..

Ndryshe, sot për këtë fushatë dhe për artisten Alketa Xhafa-Mripa, ka shkruar edhe e përditshmja britanike “The Guardian”. Ajo citon se nesër do të organizohet ekspozita “Thinking of you” në Stadiumin qytetit në Prishtinë, në nderim të viktimave që u dhunuan seksualisht gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë ditë, thuhet se do të përkujtohet edhe 16-vjetori i hyrjes së forcave të NATO-s në Prishtinë, pas një aksioni bombardues prej tre muajve kundër forcave serbe.

The Guardian shkruan se rreth 20 mijë femra shqiptare janë dhunuar seksualisht nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë, përfshirë këtu edhe një numër të vogël të gjinisë mashkullore, gjatë luftës së ’99-ës kundër regjimit serb, udhëhequr nga diktatori Sllobodan Millosheviq

Kosovarja me nënshtetësi britanike, Alketa Xhafa-Mripa, për The Guardian ka thënë se ideja për këtë instilacion i ka ardhur pasi ka dëgjuar rrëfimet e të dhunuarve seksualisht, që sipas saj, zërat e të cilëve rrallë dëgjohen dhe merren parasysh.

“Fillova të mendoja për heshjen e tyre, se si ne nuk mund të dëgjojmë rrëfimet e tyre, madje edhe pas luftës, dhe mendova se përse të mos i paraqesë vuajtjete tyre përmes artit bashkëkohor”, ka thënë Xhafa-Mripa, që ka migruar në Londër në vitin 1998 për të studiuar artin, dhe është vendosur atje bashkë me familjen e saj.

The Guardian, për ekspozitën e nesërme të artistes shqiptare shkruan se ajo zgjodhi fustanet dhe pantollonat për të simbolizuar brishtësinë dhe pastërtinë, ndërkaq duke ekspozuar mbi 5 mijë fustane në stadium përmes formës klasike të tharjes së rrobave, ajo i ka dhënë kuptim thënies së njohur “thaj rrobat e ndyra jashtë”, që ka kuptimin “fol për gjërat private publikisht.

Ndryshe, një fustan për këto gra e ka dhënë edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e cila gjithashtu ka mbështetur këtë iniciativë.