Shkurt.ch

Edhe në barometrin e fundit para zgjedhjeve, e djathta në epërsi

Edhe barometri më i ri, i fundit para zgjedhjeve nacionale të 18 tetorit e vendos të djathtën fituese kundrejt të majtës dhe e rikonfirmon trendin e rrëshqitjes drejt të djathtës që po tregon elektorati zviceran.  Megjithatë, në krahasim me një sondazh të publikuar javën e kaluar, ky i fundit, i realizuar nga Instituti GFS Bern me porosi të SRG, ndryshimet në favor të partive të djathta i paraqet paksa më të moderuara.

Kështu, partia më e  madhe në vend SVP/UDC sërish ka dukshëm më shumë ithtarë se partitë tjera, gjegjësisht për të do të votonin 27.9% të zviceranëve që është 1.3% më shumë se në zgjedhjet e vitit 2011. Ndërsa në sondazhin e kaluar ishin 29%. Por edhe SP/PS sipas barometrit më të ri përjeton një rritje edhe pse të vogël: nga 18.7% (viti 2011)  në 19.2%. FDP/PLR sipas matjes së fundit të opinionit do të rritej nga 15.1% në 16.7% ndërsa CVP/PDC do të pësonte një rënie prej 0.8% gjegjësisht do të binte në 11.5%.

Rënie do të pësonin edhe Partia e Gjelbër (GPS) nga 8.4% në 7.2%, GLP nga 5.4% në 5% dhe BDP nga 5.4% në 4.6%

Të gjitha këto shifra do të dilnin sikur zgjedhjet të mbaheshin nga 27 shtatori i këtij viti. Natyrisht, me margjinat e pashmangshme të gabimit pre 2.2%.

Barometri është marrë edhe me temat më  nxehta që aktualisht shqetësojnë zgjedhësit e Zvicrës. Me 48% shkëputet larg nga të tjerat tema e migracionit si çështje që kërkon zgjidhje urgjente. E dyta, me vetëm 9%  është politika evropiane e vendit ndërsa në vendin e  tretë të shqetësimeve të zviceranëve del papunësia.