Opinione
Barazia gjinore, domosdoshmëri për shoqërinë shqiptare
Sot herët në mëngjes, me dhjetëra burra, disa nga ta edhe të shtyrë në moshë, shpërndanin fletushka në plot pika frekuentuese të qytetit të Lozanës, për të sensibilizuar dhe informuar kalimtarët, duke u bërë apel për grevën e ditës së sotme të grave. Më pëlqeu fakti sepse, së pari, ishin burra që me buzëqeshje ishin vënë në shërbim të kauzës së grave dhe, së dyti, informatat që ndanin përmbanin program joshës të angazhimit mbarëshoqëror kundër diskriminimit të grave dhe barazisë gjinore në të gjitha sferat e shoqërisë.
Feminizmi në shoqëri nënkupton angazhim qenësor për emancipim të grave dhe burrave si dhe rishikim të normave dhe roleve të tyre reciproke, historikisht të kushtëzuara nga «tradita», e cila shpeshherë fsheh dominimin e burrave ndaj grave, duke u thirrur në po këtë të ashtuquajtur «ruajtje të kulturës». Shpeshherë feminizmi gabimisht reduktohet në dimensione simbolike, kurse kemi të bëjmë me një problematikë të gjerë dhe të thellë të strukturimit të shoqërive tona, duke filluar nga të drejtat themelore, gjuha që përdorim, edukata, liria, profesionet që ushtrojmë, trajtimi i jobarabartë për të njëjtat kualifikime, e deri te normat e ndryshme të anës praktike të jetës. Për shembull, normat e shkallëve janë historikisht të konceptuara sipas morfologjisë së burrave, apo edhe testet e veturave sipas peshës së burrave. Të tjerë shembuj të numërt nuk mungojnë.
Kjo pasqyrë e vetëdijesimit qytetar në rritje për kauzën e gruas kontraston fuqimisht me rrjedhat shoqërore në vendlindjet tona, apo në vendet prej nga vijnë familjet tona. Atje, të arriturat historike të grave shqiptare kanë marrë teposhten, qoftë për gjeneratat në moshë apo te të rinjtë. Është më habitës fakti se si gjenerata e parë, e shkelur në emancipimin e saj nga tranzicioni i stërzgjatur, i del në mbrojtje shkeljes së dinjitetit të gruas në emër të mbrojtjes së familjes, identitetit kombëtar apo fetar. Është revoltuese se si disa vajza apo gra të reja ua kalojnë gjysheve të tyre nga aspekti i vetëpërcaktimit të rolit të tyre si objekt i kënaqësisë seksuale të burrave, apo funksionit të riprodimit biologjik dhe të amvisërisë. Në këtë vazhdë, klipet e «yjeve» të estradës shqiptare vetëm se e ushqejnë një vizion degradues të femrës shqiptare, sikurse për nga lakuriqësia vulgare dominuese, si dhe gjuha mezogjine.
Këtu klasa politike shqiptare ne pushtet ka përgjegjësinë kryesore në këtë regresion shoqëror preokupues. Por, është vështirë t’i kërkohet asaj ndryshimi, ngase ajo nuk e kupton atë, sepse është e farkuar në frymën e patriarkalizmit më klasik. Ndryshimi duhet të vijë nga gjeneratat e reja urbane, këtu dhe në vendet e prejardhjes, ku një rol katalizori duhet ta luajnë vajzat apo gratë, që ta thyejnë plafonin e qelqit që ua kanë përcaktuar burrat, dhe atë duke u thirrur në emër të traditës.
Greva e 14 qershorit në Zvicër duhet të jetë inspiruese për gratë shqiptare në diasporë, te të gjitha gjeneratat, që të mobilizohen për të drejtata a tyre në Zvicër dhe më gjerë, si dhe të ndihmojnë simotrat e tyre për kauzën e shenjtë të barazisë gjinore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni apo gjetiu. Zhvillim i mirëfilltë i shoqërisë fillon nga shkalla e emancipimit të gruas.
Në vend që gratë shqiptare në diasporë të tregohen ambicioze dhe të shfrytëzojnë mundësitë e emancipimit kulturor dhe profesional që ua mundëson dinamika aktuale e shoqërisë zvicerane, nganjëherë ndodh e kundërta, ngase konservatizmi dominues i vendeve të prejardhjes merret si model për shumë familje shqiptare në Zvicër. Këtu rol të madh kanë po ashtu edhe djemtë e rinj apo burrat e gjeneratës së re që janë rritur në frymën e demokracisë dhe barazisë gjinore por paradoksalisht kanë drojen se mos humbin vrilitetin karshi rrireshtimit te roleve gjinore. Përkundrazi, në kohën që jetojmë, burrëria nuk duhet të vlerësohet me vrazhdësi, maçizëm, ngurtësi, por me angazhim feminist në favor të gruas, duke u përkushtuar me shumë seriozitet për të drejtat e plota të tyre, për barazinë gjinore si dhe angazhimin kundër diskriminimt të gruas.
Dr. Bashkim Iseni, themelues i Albinfo.ch
E-Diaspora
-
“Kërcimi i Tropojës” shpallet zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO Lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare (Video) ...
-
Vajzat shqiptare nga Haraçina “sundojnë” Belgjikën
-
Gashi: Diaspora – një urë lidhëse për zhvillimin ekonomik të Kosovës
-
Presidenti Bajram Begaj vizitoi shkollën shqipe në Bolonjë, përgëzon shqiptarët për ruajtjen e identitetit
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim”
Jeta në Zvicër
-
Sasia e borës që bie në Alpe është ulur me një të tretën në një shekull Reshjet e borës në Alpe ranë në mënyrë dramatike midis viteve 1920 dhe 2020, sipas një...
-
Uji i rubinetit nuk është plotësisht transparent në Zvicrën frëngjishtfolëse
-
Qyteti i Cyrihut përballet me kosto shtesë milionëshe
-
Ushtria zvicerane merr 500 milionë CHF financim shtesë
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra