Jeta në Zvicër

Banka zvicerane mund të dënohet me 3.7 miliardë euro

UBS ka mohuar akuzat dhe tha se operacionet e saj janë në përputhje me ligjin zviceran

Një gjykatë e Parisit do të vendosë të mërkurën (sot) nëse gjiganti bankar zviceran UBS u përpoq të bindte klientët francezë për të fshehur miliarda euro në Zvicër, akuza të cilat i nxitën prokurorët të kërkonin një gjobë prej 3.7 miliardë eurosh, përcjell albinfo.ch.

Gjyqi u hap pas vjeshtës së shkuar pas shtatë viteve të hetimeve, të filluara kur disa ish-punonjës dolën me pretendime për sjellje të paligjshme, shkruan ‘swissinfo.ch’.

Ky veprim erdhi pasi autoritetet anembanë Evropës kishin goditur evazionin fiskal dhe praktikat e dyshimta bankare në prag të krizës financiare globale, e cila shpërtheu në vitin 2007.

Presioni përfundimisht e detyroi Zvicrën që të përfundojë në mënyrë efektive traditën e saj të sekretit bankar të hekurt, duke u bashkuar me më shumë se 90 vende, të cilat ranë dakord të ndajnë automatikisht më shumë informacione për llogarinë e klientëve mes njëri-tjetrit, përcjell tutje albinfo.ch.

Në rastin UBS, autoritetet franceze përcaktuan se më shumë se 10 miliardë euro ishin mbajtur nga sytë e zyrtarëve tatimorë midis 2004 dhe 2012.

Prokuroria Kombëtare Financiare kërkoi një gjobë prej 3.7 miliardë dollarësh (4.2 miliardë dollarë), më e madhja ndonjëherë e kërkuar në Francë, duke thënë se banka dhe drejtorët e saj “ishin plotësisht të vetëdijshëm se po shkelin ligjin francez” duke kërkuar klientë në mënyrë të paligjshme dhe duke i ndihmuar ata t’i shmangen taksave.

Ata gjithashtu kërkuan një gjobë prej 15 milionë euro për filialin francez të UBS dhe gjoba deri në 500,000 euro për gjashtë drejtues të lartë.

Përveç kësaj, avokatët për shtetin francez, që është paditës në rast, kanë kërkuar 1.6 miliardë euro dëmshpërblim.

UBS ka mohuar akuzat dhe tha se operacionet e saj janë në përputhje me ligjin zviceran.