Lajme
Banka Qendrore Evropiane ndihmon disa vende për të tejkaluar krizën e borxheve
Banka Qendrore Europiane ka premtuar të mërkurën se do të ofrojë më shumë mbështetje për vendet e kufirit jugor të bllokut, të cilat kanë borxhe të larta, në një përpjepkje për të zbutur problemet e tregut që kërcënojnë të përsërisin edhe një herë krizën e borxhit që pothuajse rrëzoi monedhën e përbashkët një dekadë më parë.
Kostot e huamarrjes së qeverive janë rritur në shtetet jugore të eurozonës, që kur BQE-ja bëri të ditur planet e saj të enjten e kaluar për të rritur normat e interesit, për të zbutur inflacionin e lartë.
Por, banka dështoi që të siguronte investitorët se do të frenonte rritjen e kostove të huamarrjes, duke bërë kështu thjesht një premtim të paqartë dhe duke nxitur frikën se po braktiste vendet me më shumë borxhe, si Italia, Spanja dhe Greqia, të cilat janë përballur për vite me radhë me një nivel të lartë të borxheve.
Duke ndryshuar qëndrimin e saj vetëm gjashtë ditë më vonë, BQE tha se do t’i orientonte paratë drejt vendeve me më shumë borxhe, nga borxhi që maturohet pas përfundimit të skemës së mbështetjes për pandeminë prej 1.7 trilionë euro, dhe do të punonte për krijimin e një instrumenti të ri që do të parandalojë rritjen e tepërt të kostove të huamarrjes.
“Këshilli Drejtues vendosi të mandatojë Komitetet përkatëse të Eurosistemit së bashku me shërbimet e BQE-së për të përshpejtuar përfundimin e projektimit të një instrumenti të ri kundër fragmentimit, i cili do të shqyrtohet nga Këshilli Drejtues”, tha BQE pas një takimi të jashtëzakonshëm.
Por, shefja e BQE-së, Christine Lagarde, u përpoq që të zbusë pritshmëritë, duke argumentuar se puna e BQE-së është mbajtja në kontroll e inflacionit, jo ndihma ndaj buxheteve të shteteve.
“Ne nuk mund t’i dorëzohemi dominimit fiskal,” tha Lagarde në një forum në Londër. “Nuk mund t’i dorëzohemi as dominimit financiar; ne duhet të përmbushim detyrën tonë.”
Shefi i bankës qendrore holandeze, Klaas Knot, tha se politikëbërësit kanë udhëzuar stafin që të punojë me një ritëm të përshpejtuar për krijimin e mjetit të ri, në rast se dërgimi i riinvestimeve në jug nuk do të mjaftojë.
“Nëse nuk do të jetë i mjaftueshëm, duhet të jeni të sigurt që ne jemi gati,” tha Knot në një konferencë.
Minimumi i mundshëm?
Deklarata e BQE-së qetësoi tregjet, por la shumë të tjerë të pakënaqur.
“Mendoj se në thelb, kjo është minimumi i asaj që mund të pritet, por gjithashtu besoj se është rezultati më realist i asaj që mund të arrihet si kompromis sot,” tha ekonomisti i Danske Bank, Piet Christiansen.
Holger Schmieding, një ekonomist në Berenberg, tha se BQE thjesht po korrigjonte gabimin e javës së kaluar.
“Të enjten e kaluar, këto fjalë ndoshta do të kishin sjellë një ndryshim vendimtar dhe afatgjatë,” tha ai. “Por, pas trazirave të ditëve të fundit, tregjet janë tani më nervozë se më parë. Kështu, BQE do të përballet me një rrezik më të madh që tregjet të testojnë përsëri vendosmërinë e BQE-së së shpejti.”
Njoftimi mori gjithashtu kritika nga ata që argumentuan se BQE po devijon nga roli i saj.
“Detyra e BQE-së është që të sigurojë stabilitetin e çmimeve, jo që të ofrojë kushte të favorshme financimi,” tha Markus Ferber, një anëtar konservator gjerman i Parlamentit Europian. “Disa vende tani thjesht po paguajnë pasojat e viteve të tëra të politikave fiskale të papërgjegjshme.”
“Nëse BQE-ja tani nis një program tjetër për të mbajtur të ulëta diferencat midis yield-eve të boneve, ajo i afrohet rrezikshëm financimit monetar shtetëror,” tha Ferber.
Euro ra pothuajse me 1% kundrejt dollarit pas deklaratës së BQE-së, por yield-et italiane u lehtësuan nën 4%.
Diferenca midis bonove 10-vjeçare italiane dhe atyre gjermane, një tregues kyç, u ul në rreth 222 pikë bazë, nga afër 250 pikë bazë që ishte të martën, duke treguar kështu besimin se BQE do të veprojë më e vendosur, ndoshta në takimin e 21 korrikut, kur është e sigurt që do të rrisë normat për herë të parë pas më shumë se një dekade.
Nuk ka asnjë nivel të pranuar botërisht për këtë diferencë midis bonove, por Carlo Messina, CEO i Intesa, banka më e madhe e Italisë, tha të mërkurën se bazat ekonomike të vendit do të justifikonin një diferencë prej 100 deri në 150 pikë bazë.
Diferenca e obligacioneve spanjolle 10-vjeçare ndryshoi duke shkuar në 126 pikë bazë, ndërsa për Greqinë ishte rreth 262 pikë bazë, pothuajse njësoj me nivelin ku ndodhej përpara deklaratës së BQE.
Lëvizja e BQE-së vjen në të njëjtën ditë kur Rezerva Federale e SHBA pritet të rrisë normat e interesit, me investitorët që vlerësojnë se rritja do të jetë me 75 pikë bazë, një luhatje në pritshmëritë e tregut e cila ka nxitur rritjen e shitjeve të aseteve në tregjet botërore./ Reuters
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër Nga 1 janari 2025, konsumatorët do të mund të ndryshojnë modelin e tyre të sigurimit kur...
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato?
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor