Lajme

Banka Kombëtare e Zvicrës ul normat e interesit

SNB parashikon se inflacioni zviceran do të bjerë ndjeshëm në 2025 dhe 2026

Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) njoftoi lehtësimin e mëtejshëm të politikës së saj monetare duke ulur normën bazë për të tretën herë radhazi me 0.25% në 1%.

SNB filloi të ulë normën e saj bazë përpara Bankës Qendrore Evropiane (ECB) dhe Rezervës Federale të SHBA (Fed), transmeton albinfo.ch.

Fillimisht uli normën në mars 2024 nga 1.75% në 1.50%, pastaj përsëri në qershor 2024 në 1.25%, dhe më pas këtë javë në 1.00%. Fed bëri uljen e saj të parë në shtator 2024 nga 5.25% në 5.00%.

Ndërsa BQE uli për herë të parë në qershor 2024 nga 4.00% në 3.75%, duke ndjekur me një ulje të mëtejshme në 3.5% në shtator 2024.

Presioni inflacioniste në Zvicër ka rënë ndjeshëm gjatë tremujorit të fundit, diçka e nxitur kryesisht nga një franga e fortë dhe rënia e çmimeve të naftës dhe energjisë elektrike, sipas bankës. Inflacioni vjetor në fund të gushtit 2024 ishte 1.1%.

SNB parashikon se inflacioni zviceran do të bjerë ndjeshëm në 2025 dhe 2026, duke parashikuar norma përkatësisht 0.6% dhe 0.7%. SNB synon inflacionin midis zero dhe 2%.

SNB tha gjithashtu këtë javë se mbetet e përgatitur për të qenë aktive në tregun valutor nëse është e nevojshme.