Shqipëria
Banka e Shqipërisë: Rritje e qëndrueshme ekonomike
Rekuperimi i ekonomisë po shfaqet me bazë të gjerë, mbështetur nga situata e përmirësuar epidemike dhe nga lehtësimi i mëtejshëm i masave kufizuese, përcjell albinfo.ch.
Në një prononcim, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, përcolli mesazhe me doza të shtuara optimizmi lidhur me ecurinë e ekonomisë shqiptare. Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori tha se ekonomia shqiptare do të shënojë rritje të shpejtë dhe të vazhdueshme për vitin 2021 dhe për dy vjetët në vijim. Sipas tij, rekuperimi i ekonomisë po shfaqet me bazë të gjerë, mbështetur nga situata e përmirësuar epidemike dhe nga lehtësimi i mëtejshëm i masave kufizuese.
“Në linjë me pritjet tona, aktiviteti ekonomik në vend ka ardhur drejt rikuperimit gjatë dy tremujorëve të parë të vitit. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë të vitit, ndërkohë që analiza e të dhënave indirekte sugjeron për norma edhe më të shpejta rritjeje gjatë tremujorit të dytë. Rikuperimi i aktivitetit ekonomik shfaqet me bazë të gjerë. Në terma të kërkesës agregate, ai pasqyron zgjerimin e konsumit dhe të investimeve private, rritjen e shpenzimeve buxhetore, si dhe zgjerimin e eksportit të mallrave e shërbimeve. Në terma sektorialë, ky rikuperim pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të sektorëve prodhues dhe të shërbimeve”, tha Sejko.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se me gjithë përmirësimet e tablosë ekonomike, inflacioni inflacioni vijon të mbetet nën objektiv dhe punësimi vijon të mbetet poshtë nivelit potencial.
“Faktorët që kushtëzojnë kthimin e qëndrueshëm të inflacionit në objektiv po vijnë drejt përmirësimit, por kthimi i tij në objektiv pritet të jetë një prospekt afatmesëm. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik nuk është pasqyruar ende plotësisht në tregun e punës. Sipas të dhënave të INSTAT-it, punësimi shënoi një rënie vjetore prej 2.6% në tremujorin e parë të vitit, ndërkohë që norma e papunësisë shënoi vlerën 11.9%. Këta tregues sugjerojnë se ekonomia shqiptare është ende larg normalizimit të plotë të aktivitetit të saj dhe se ky proces duhet të vijojë të mbështet nga politika stimuluese”, tha Guvernatori.
Banka e Shqipërisë konfirmoi edhe njëherë ecurinë e qetë të tregjeve financiare, që karakterizohen nga likuiditet i bollshëm dhe rreziqe të kontrolluara. Sipas Guvernatorit, gjendja e mirë e tyre ka mundësuar përcjelljen efektive të stimulit monetar, i cili ka mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit të kredisë për sektorin privat.
“Përmirësimi i kërkesës për kredi dhe kushtet e favorshme të ofertës, kanë sjellë një rritje relativisht të shpejt të kreditimit. Portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 7.8% në muajin maj, kundrejt një norme mesatare rritjeje prej 6.8% gjatë vitit 2020. Përtej rritjes së përgjithshme të portofolit, dinamikat e kreditimit mbartin sinjale të tjera pozitive. Së pari, rritja e portofolit të kredisë ka shkuar gjerësisht për financimin e investimeve të bizneseve dhe për kredi hipotekare, duke sinjalizuar rritjen e investimeve të sektorit privat dhe një situatë në përmirësim të likuiditetit të tij. Së dyti, kredia në monedhën vendase vijon të ruajë norma më të larta rritjeje, duke u reflektuar në rritjen progresive të peshës së kredisë në lekë ndaj totalit. Ky zhvillim inkurajues krijon premisa për një përcjellje më të mirë të stimulit monetar dhe një rezistencë më të lartë të sistemit bankar ndaj rreziqeve të stabilitetit financiar. Së treti, treguesi i kredisë me probleme ra në nivelin 7.8% në muajin maj, duke sugjeruar një cilësi të kënaqshme të këtij portofoli”, tha ai.
Në mbledhjen e të mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5% dhe të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, përkatësisht në 0.1% dhe 0.9%.
Të ngjashme
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
13 vjet burgim për shqiptarin që hyri për të vjedhur një shtëpi në Londër Afro 13 vjet burgim për shqiptarin që vodhi shtëpinë e Raheem Sterling...
-
Leutrim Aliji, pianisti virtuoz që bashkoi muzikën klasike me shpirtin shqiptar
-
Art Julius Aurel kandidon për parlamentin e Steiermark-ut
-
Rihapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës
-
Promovohet në Cyrih libri i Shkëlzen Gashit “Masakrat në Kosovë 1998 -1999”
Jeta në Zvicër
-
Si mund të kontrolloni për paralajmërimet e kontaminimit të ushqimit në Zvicër? Furnizimi i Zvicrës me ushqime është ndër më të sigurtit në botë, por kjo nuk do...
-
Në vitin 2025, shumë punëtorë zviceranë do të marrin paga më të larta
-
Si po përmirësohet karta e udhëtimit me tren ‘Half-Fare Plus’
-
Blerjet online: Rreth 700 dërgesa të paligjshme u sekuestruan për një javë
-
Si mund të kurseni para duke ndryshuar politikën tuaj shëndetësore në Zvicër?