Lajme

“Ballkani duhet të promovojë paqe dhe dialog”

Gjatë takimit, Presidenti i Shqipërisë dhe i Kosovës kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për rëndësinë e integrimit europian. Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka pritur në një takim jubilar në Pallatin e Brigadave me një ceremoni madhështore solemne Presidentin e Kosovës, Behgjet Pacollin. Të dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë […]

Gjatë takimit, Presidenti i Shqipërisë dhe i Kosovës kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe për rëndësinë e integrimit europian.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi ka pritur në një takim jubilar në Pallatin e Brigadave me një ceremoni madhështore solemne Presidentin e Kosovës, Behgjet Pacollin. Të dy homologët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet zyrtare dypalëshe të delegacioneve shtetërore përkatëse. Topi dhe Pacolli theksuan rëndësinë e unifikimit të ekonomisë, thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy shteteve dhe intensifikim e raporteve me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit.

“Vendet tona kanë nevojë që të pozicionohen qartë, me ide të qarta për perspektivën ekonomike, sepse kjo është e mundshme në rajonin tonë, pak të eksploruar nga kjo pikëpamje, me një treg që kalkulohet përafërsisht me 60 milionë banorë. Duke pasur parasysh edhe ato projekte, të cilat janë shpalosur edhe më parë, por duke absorbuar edhe ide të reja, unë mendoj që e ardhmja e vendeve tona, jo vetëm që politikisht është e qartë në linjën euro-atlantike, por patjetër që e ka të nevojshme që të stimulohen raporte më intensive të komunikimit institucional për harmonizimin e standardeve të legjislacionit në përputhje me standardet europiane, por edhe shfrytëzimin e shumë mundësive që ka edhe Shqipëria, edhe Kosova”, tha Presidenti Topi gjatë një konference për shtypin.

“Me Presidentin e Republikës së Shqipërisë biseduam për intensifikimin e kontakteve tona në nivel të përfaqësuesve kryesorë të institucioneve tona dhe propozova që ne, së paku dy herë të takohemi në nivel presidentësh, në nivel kryeministrash dhe në nivel parlamentarësh. Pse këtë? Ne e kemi hapur kufirin tonë përpara njëmbëdhjetë vjetësh. Kemi hapur kufirin tonë me forcë. Atëherë ai kufi ka qenë i blinduar. Dhe tani nuk do të na e falë askush nëse ne nuk vazhdojmë që edhe këto barriera që kanë mbetur, të mos i heqim prej rendit të ditës. Të sigurojmë lëvizje të lirë të njerëzve, të mallrave, të ideve, të kapitaleve. Së pari mes nesh. Kjo është përgjegjësia jonë, zoti President dhe këtu do të hapim derën edhe për ato shtete që duan t’i bashkohen kësaj ideje. Dhe kjo vlen për Maqedoninë, ku kemi një numër të madh, një përqindje të madhe të banorëve të saj, të cilët i përkasin kombit tonë. Po ashtu vlen edhe për Malin e Zi. Unë jam i bindur që ato janë shumë të interesuara për t’iu bashkangjitur kësaj ideje”, theksoi Presidenti Pacolli.

Presidenti Bamir Topi vleresoi se bisedimet teknike që po zhvillon Kosova me Serbinë janë në funksion sovranitetit të dy vendeve, ndërsa deklaroi se statusi i Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. “I thashë Presidentit Pacolli që Shqipëria e konsideron si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin rajonal edhe me vende të tilla si Serbia, sepse jashtë çdo lloj paragjykimi, në kontekstin historik retrospektiv, ne e kemi bërë të qartë, që ndonëse me Serbinë na ndan një gjë shumë e madhe që ka të bëjë me pozicionimin për Kosovën, kjo në kontekste të reja rajonale dhe evropiane, nuk do të thotë që midis dy vendeve të mos ketë dialog politik, të mos ketë bashkëpunim në interes të vendeve, të popujve tanë dhe të paqes rajonale. Jam i bindur që edhe bisedimet që ekzistojnë midis Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen në një lloj konteksti të tillë, në respekt të sovranitetit të vendeve respektive, duke diskutuar për çështje të karakterit teknik, të rëndësishme për interesat e dy vendeve”, shpjegoi Presidenti i Shqipërisë.

Ndërsa, Pacolli i cilësoi keto bisedime shumë të rëndësishme për perspektivën Europiane të Kosovës.“Këto bisedime janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë politike të Kosovë. Kosova nuk mund të ketë mbi 60-65% të kufijve të saj të blinduar, të mbyllur. Sot Kosova nuk mund të vuajë nga banda kriminale, të cilat veprojnë në territorin e saj. Prandaj Kosova ka nevoja për bisedime. Ua them edhe njëherë që Kosova ka nevojë që të bisedojë me fqinjin tonë të veriut për arsye se humbësja më e madhe ka qenë Kosova. Kur u larguan nga Kosova, serbët morën çdo gjë me vete. Morën paratë tona, morën pensionet tona, shkatërruan fabrikat tona, vodhën fabrikat tona, prandaj jemi ne ata që u kërkojmë atyre llogari. Llogaritë nuk mund të kërkohen më sot, në kohë paqeje, me dhunë. Ne ato do t’i kërkojmë dhe do t’i arrijmë me bisedime. Nuk do të ndalemi asnjëherë që të mos të bisedojmë”, tha Presidenti i Kosovës.

Presidenti Bamir Topi ripohoi edhe një herë angazhimin maksimal të Shqipërisë që Kosova të njihet nga sa më shumë shtete dhe se dy vendet tona do të bashkohen nje ditë në NATO dhe në Bashkimin Europian, ndërsa Presidenti Behgjet Pacolli tha se populli i Kosovës e çmon ndihmën e vazhdueshme që ka dhënë Shqipëria në të gjitha aspektet.

Ndërkohë, sa i përket zhvillimeve të fundit në Libi, dy presidentet kanë përkrahur ndërhyrjen e Ndërkombëtarëve dhe janë solidarizuar me popullsinë vendase.