Lajme
“Ballë për ballë”, një perspektivë shqiptare në podiumin ndërkombëtar të fotografisë
Ruzhdi Ibrahimi fiton vendin e tretë në "Geneva Photo Awards" me fotografinë “Ballë për Ballë” në kuadër të kategorisë “Natyra”
Në këtë intervistë takohemi me një fotograf të apasionuar pas jetës së egër, i cili i me artin e tij sjellë bukuritë e natyrës në sy të publikut. Me një fokus të veçantë tek shqiponja – si simbol i fuqishëm kombëtar dhe mbretëreshë e qiejve – fotografi ndan me ne frymëzimet, sfidat dhe përvojat e tij në terren. Përmes objektivit të tij, ai ka arritur të ndalë momente të jashtëzakonshme të jetës së egër dhe t’i paraqesë ato për publikun shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Le të zbulojmë më shumë për rrugëtimin e tij artistik, përjetimet e tij në ekspedita, dhe mesazhin që kërkon të përcjellë përmes artit të tij.
Albinfo.ch: Çfarë ju frymëzoi të filloni rrugën tuaj në artin e fotografisë?
R. Ibrahimi: Për mua, fotografia e jetës së egër është një mundësi e artë për të ndalur disa momente të veçanta të llojeve në ambientin e tyre unik të jetesës dhe për t’i ofruar këto momente opinionit të gjerë në formën e fotografisë. Padyshim, vlerësimi i fotografive nga opinioni dhe kritikët është një burim i rëndësishëm frymëzimi për vazhdimin e këtij pasioni. Duke marrë parasysh ngushtimin e hapësirës për jetën e egër dhe rrezikun e zhdukjes për disa lloje, këto momente mbesin unike dhe duhen bartur edhe te gjeneratat e ardhshme.
Albinfo.ch: Na tregoni më shumë për fotografinë tuaj “Ballë për ballë”
R. Ibrahimi: Ishim në një ekspeditë fotografike me disa miq në Spanjë. Falë rrezeve të buta të diellit, ne preferojmë mëngjesin e hershëm apo mbrëmjen për fotografi. Në vesën e mëngjesit, kur rrezet e diellit depërtonin me vështirësi përmes mjegullës që mbulonte tokën, fokusimi i subjektit ishte një sfidë e vazhdueshme. Kur ateroi shqiponja e malit, disa shpendë aty pranë u larguan menjëherë. Dhelpra qëndroi aty dhe filloi betejën me shqiponjën. Në fillim, ishte një përballje pothuajse e barabartë, deri në momentin kur dhelpra u tërhoq; pra, në këtë betejë triumfoi shqiponja e malit. Unë arrita të realizoj një seri fotografish të kësaj ngjarjeje, dhe “Ballë për ballë” është një prej tyre.
Albinfo.ch: Si ishte përvoja juaj në konkursin “Fokus Award 15” dhe çfarë rëndësie kishte për ju kjo pjesëmarrje?
R. Ibrahimi: Të pakta janë aktivitetet fotografike në trojet shqipfolëse që kanë synim fotografinë artistike. “Fokus Award 15” është një aktivitet ndërkombëtar kushtuar fotografisë artistike, me pjesëmarrje nga e gjithë bota. Tema e edicionit të 15 ishte “Prek me sy.” Në kuadër të kategorisë “Natyra,” mora pjesë me fotografinë “Ballë për ballë.” Edhe pse fizikisht nuk kam qenë i pranishëm në ekspozitat, miqtë më informuan se fotografia ime ka qenë e mirëpritur.
Albinfo.ch: Fotografia juaj është ekspozuar në një konkurs ndërkombëtar në Gjenevë. Si ndiheni për këtë arritje?
R. Ibrahimi: Fotografia “Ballë për ballë” mori pjesë edhe në edicionin e tetorit të konkursit “Photo Awards Geneva,” duke tërhequr vëmendjen e vizitorëve për një javë rresht dhe duke fituar çmimin e tretë nga publiku. Kjo arritje është një dëshmi e angazhimit tim dhe një inkurajim për vazhdimin e këtij pasioni.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga sfidat më të mëdha që keni hasur si fotograf dhe si i keni tejkaluar ato?
R. Ibrahimi: Në njërën anë, llojet e jetës së egër në ambientin e tyre janë të ndrojtura dhe shpesh frikësohen nga njerëzit. Sfida për mua është realizimi i fotografisë pa i shqetësuar ata. Një tjetër sfidë është përdorimi i objektivit të duhur në distancën e përshtatshme.
Albinfo.ch: Si e përcaktoni suksesin për veten tuaj në botën e fotografisë?
R. Ibrahimi: Suksesi në botën e fotografisë nuk është i lehtë, duke marrë parasysh mbingarkesën e përditshme me fotografi nga çdo anë. Megjithatë, mendoj se një fotografi e mirë do të gjejë vendin e merituar.
Albinfo.ch: A mendoni se çdo fotografi duhet të bartë një mesazh specifik, apo ndonjëherë një imazh i bukur mjafton për të prekur spektatorët?
R. Ibrahimi: Fotografia e jetës së egër, për mua, ka gjithmonë një mesazh universal: “E bukura në jetën e egër.” Jeta e egër është e bukur dhe mendoj që duhet të angazhohemi për të ruajtur natyrën për gjeneratat e ardhshme. Natyrisht, fotografitë e jetës së egër përmbajnë mesazhe unike për jetën, luftën për ekzistencë, paqen dhe dashurinë.
Albinfo.ch: Çfarë roli luan mbështetja e audiencës dhe komunitetit për ju si artist?
R. Ibrahimi: Mbështetja e audiencës është dëshmi se një fotografi, fillimisht, komunikon me publikun, së dyti, përcjell një mesazh të qartë dhe, së treti, pëlqehet si art pamor.
Albinfo.ch: Pse mendoni se fotografia “Ballë për ballë” ka marrë kaq shumë vëmendje dhe vlerësime nga publiku?
R, Ibrahimi: Në fotografinë e jetës së egër, fokusi im ka qenë kryesisht tek shqiponjat, sidomos shqiponja e malit, si simbol i flamurit tonë kombëtar. Për mua, kjo përballje me dhelprën përfaqëson një luftë të vazhdueshme të së mirës kundër të keqes, një mesazh që shkon përtej simbolikës për trojet tona dhe merr një karakter universal.
Albinfo.ch: Cilat janë disa nga synimet tuaja për të ardhmen në karrierën tuaj si fotograf?
R. Ibrahimi: Synoj të dokumentoj të gjitha llojet e shqiponjave duke udhëtuar anembanë botës dhe, mbi të gjitha, të shkruaj me dritë shqiponjën e malit në Shqipëri.
Albinfo.ch: Çfarë këshille do t’u jepnit të rinjve që dëshirojnë të ndjekin një rrugë të ngjashme në artin e fotografisë?
R. Ibrahimi: Për ata që dëshirojnë të ndjekin fotografinë, do t’u sugjeroja të merren fillimisht me zhvillimin e imagjinatës. Një fotografi e mirë buron nga imagjinata, jo nga pajisjet e shtrenjta. Aparati është i domosdoshëm, por mesazhi i vërtetë buron nga imagjinata individuale.
Albinfo.ch: Si mendoni se teknologjia dhe rrjetet sociale kanë ndikuar në zhvillimin dhe përhapjen e artit të fotografisë?
R. Ibrahimi: Mendoj se zhvillimi i teknologjisë ka sjellë mundësi të mëdha, sidomos për sa i përket editimit. Por, gjithashtu, ekziston rreziku që vlerat artistike të humbasin në mbingarkesën e përmbajtjes. Megjithatë, fotografia e mirë gjen gjithmonë rrugën dhe vendin e merituar.
Përmes kësaj bisede me një nga zërat më të përkushtuar të fotografisë së jetës së egër, kuptojmë jo vetëm sfidat teknike dhe artistike që kërkon ky profesion, por edhe pasionin dhe përkushtimin e madh që ai ka për natyrën. Fotografitë e tij nuk janë vetëm imazhe; ato janë mesazhe të fuqishme për mbrojtjen e mjedisit dhe për ruajtjen e jetës së egër. Ndërsa vazhdon të udhëtojë anembanë botës për të kapur më të bukurën në natyrë, shpresojmë që suksesi i tij të inspirojë breza të rinj artistësh dhe dashamirës të natyrës për të ndjekur dhe për të përqafuar këtë pasion të veçantë.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision Transmetuesi Zviceran SRG SSR ka zbuluar detajet e Konkursit të Këngës në Eurovision 2025 në Bazel....
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve
-
Zvicra mund të ndërtojë termocentrale të reja bërthamore
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Si mund të humbasin pronarët e shtëpive të dyta në Zvicër në ligjin e ri tatimor?