Lajme
Ballafaqimi i munguar me historinë, pengesë për të ardhmen
"Në një Shqipëri evropiane, bunkerët e ndërtuar nga Enver Hoxha nuk mund të mbeten të vetmet monumente që përkujtojnë diktaturën”
Në një shkrim të botuar në gazetën NZZ me titullin “Rivlerësimi i bllokuar i historisë së Shqipërisë”, Daniel Ursprung, bashkëpunëtor shkencor i Institutit të Historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Cyrihut, është marrë me mungesën e një qëndrimi kritik të shëndoshë të Shqipërisë së sotme kundruall periudhës së diktaturës. Duke kërkuar shkaqet e një mungese të tillë, autori ndalet në disa faktorë pengues që lidhen me tranzicionet e shumta që ka kaluar dhe po kalon shoqëria shqiptare.
Në hyrje ai përshkruan natyrën e regjimit komunist që ka sunduar në Shqipëri nga viti 1944 deri më 1990. “Asnjë vend tjetër i Evropës Lindore nuk ka sikurse Shqipëria kaq shumë monumente, qoftë edhe jo të vullnetshme, të cilat kujtojnë sundimin komunist. Të shpërndarë në gjithë vendin, qindra- mijëra bunkerë prej betoni janë dëshmitarët e heshtur të variantit më represiv në Evropë të ushtrimit të dhunës komuniste të viteve ‘60-‘70”.
Mungon qoftë edhe një biografi kritike e Enver Hoxhës
Por, edhe sot, njëzet vjet pas rrëzimit të regjimit diktatorial, thotë autori, ndonëse portretet e Enver Hoxhës dhe të Stalinit janë zhdukur, rivlerësimi i vërtetë i të kaluarës ende nuk ka filluar. Këtë zbrazësi ai e dokumenton me mungesën e studimeve serioze, apo librave në tregun shqiptar, që do të ballafaqoheshin me të kaluarën e egër.
“Mungon madje edhe një biografi kritike e Enver Hoxhës, me gjithë faktin se asnjë lider tjetër komunist nuk ka përcaktuar në mënyrë kaq intensive dhe kaq gjatë fatet e vendit të tij si ai”. Në tregun e librave mund të gjenden vetëm botime me memoare dhe dokumente nga perspektiva e viktimave të diktaturës, si dhe kundërpërgjigje, justifikime të familjarëve të Hoxhës dhe të pasardhësit të tij, Ramiz Alija, shton ai. “Librit të historisë së Shqipërisë, vepër e Akademisë së Shkencave, i përfunduar në vitin 2008, ashtu si dhe gjithë historiografisë, i mungon rivlerësimi i periudhës së sundimit komunist.
Gjithë këto boshllëqe autori i sheh në mungesën e një tradite për të qenë, të një fryme intelektuale kritike në Shqipëri. Vetë shteti shqiptar ka një histori relativisht të shkurtë, ndërsa shtresa intelektuale të cilën e ka trashëguar komunizmi ka qenë shumë e re dhe e pakët. Autori kujton se universiteti i parë shqiptar është themeluar vetëm në vitin 1957, Akademia e Shkencave në vitin 1972, etj.
Shtresa “e hollë” intelektuale, e pafuqishme për ballafaqim me të kaluarën
Duke rrahur më tej këtë temë ai thekson se kjo shtresë intelektuale ishte dhe vazhdon të jetë e lidhur në mënyrë klienteliste me pushtetmbajtësit. Nga ky realitet, sipas tij, nuk del as shkrimtari shqiptar shumë i njohur në botë, Ismail Kadare, i cili, siç e thekson autori, “nuk ka qenë Vaclav Havel i Shqipërisë”, por më shumë pjesë e sistemit. Praktikisht, e gjithë shtresa intelektuale në Shqipëri është prodhim i periudhës komuniste, thotë Ursprung, duke përkujtuar se edhe vetë kryeministri i sotëm, dr. Sali Berisha, me gjithë retorikën e tij antikomuniste, vjen nga ekipi i mjekëve të diktatorit Enver Hoxha.
Të vetmen shpresë për një ballafaqim serioz me të kaluarën diktatoriale autori e sheh në brezin e ri të intelektualëve që po formohet në rrethana të reja të kontakteve me Perëndimin dhe të pavarësisë nga reminishencat komuniste.
Pastaj, Ursprung merret me historinë e ligjit të “lustracionit”, nga viti 1993, i cili nuk u miratua kurrë dhe, sipas tij, mbeti viktimë e mungesës së gatishmërisë së shoqërisë shqiptare për t’ u marrë me këtë etapë të historisë së saj.
“Trazirat e rënda të vitit 1997 e kthyen Shqipërinë shumë vjet mbrapa. Ndërsa, antikomunizmi i Sali Berishës, i drejtuar vetëm në bazë të interesave personale, kishte diskredituar tashmë idenë e një përpunimi të së kaluarës”, gjykon Ursprung. Edhe Ligji i lustracionit, i miratuar nga Parlamenti shqiptar në vitin 2008, i cili jashtë vendit qe kritikuar si hakmarrës dhe politikisht i motivuar, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e vendit.
Bashkëvuajtës dhe mëkatarë
Ursprung përkujton se ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes, në Shqipëri, krahas të dënuarve politikë, kanë vuajtur edhe familjet dhe farefiset e tyre. Për ta janë krijuar vende të posaçme internimi dhe izolimi. Kjo ka bërë që një pjesë e madhe e popullatës të ishte në një mënyrë e diskriminuar.
Duke kërkuar më tutje arsyet e një ballafaqimi kaq të dobët të shqiptarëve me historinë e tyre, shkencëtari nga Cyrihu gjen edhe një element me rëndësi: pjesëmarrjen e një pjese të konsiderueshme të popullatës në forma të ndryshme në aparatin e dhunës. “Sipas disa vlerësimeve, rreth një e treta e popullatës ka bashkëpunuar në ndonjë mënyrë me `Sigurimin`”, thotë ai. Dhe kjo rrethanë e bën edhe më të ndjeshëm trajtimin kritik të kësaj kohe.
Si një nga dëshmitë e mungesës së rivlerësimit kritik të historisë komuniste ndër shqiptarët, autori Ursprung e konsideron mungesën e muzeve ose memorialëve në Shqipëri që do të kujtonin viktimizimin e kundërshtarëve të komunizmit gjatë më shumë se dyzet vjetëve të diktaturës. Përpunimi i kësaj periudhe shpesh mbetet vetëm ushqim për debate në mes të shoqatave të ndryshme, shpesh të rivalizuara, të të përndjekurve politikë, debate që nuk sjellin fryt, kujton ai.
Themelimin e planifikuar të një Instituti për krimet komuniste ose hapjen e shtyrë tashmë disa herë të një muzeu në një ish-burg të Shkodrës, autori i sheh si paralajmërime të pakta, por shpresëdhënëse për ngritjen e një vetëdijeje kritike ndër shqiptarët kundruall periudhës së diktaturës.
Pasi përkujton se Shqipëria e integruar në Evropë do ta ketë të pashmangshëm ballafaqimin me të kaluarën, autori në përmbyllje thotë: “Në një Shqipëri evropiane, bunkerët e ndërtuar nga Enver Hoxha nuk mund të mbeten të vetmet monumente që përkujtojnë diktaturën”.
Shkrimi, në origjinal mund të lexohet në: http://www.nzz.ch/nachrichten/politik/international/albaniens_blockierte_aufarbeitung_der_geschichte_1.8991179.html
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve