Lajme
Bahri Troja: Bëhu ambasador i kombit, kudo që jeton
“Si komunitet dhe si individë mirë të integruar, secili prej nesh mund të bëhet ambasadori dhe lobisti më i mirë i kombit në Austri”.
Nëse ke disa vite që jeton në Austri, me siguri duhet të kesh dëgjuar apo njohur Bahri Trojën, një prej shqiptarëve që na bën krenarë me punët e tij. Nisur dhe nga mbiemri “Troja”, siç duket Bahriu ka qenë i destinuar për të përfaqësuar denjësisht trojet shqiptare në diasporë. Ka emigruar në vitet 90-të gjatë kohës së paraluftës dhe sot pas rreth 30 vjetësh konsiderohet i integruar më së miri në shoqërinë austriake. Këtë e tregojnë aktivitetet ku merr pjesë, puna dhe miqësitë në politikë e më gjerë. Bahriu është si pikë reference për shqiptarët që jetojnë në Austri. Ka marrë titullin “Ambasador i Kombit” pasi gjithmonë mbështet atdhetarët që kanë nevojë. Së fundi, me lidhjet e tij ndihmoi disa shqiptarë që mbetën në Austri pas mbylljes së kufijve nga koronavirusi. Për momentin është votuar në Bashkinë e Salzburgut si këshilltar i Bashkisë dhe Këshilltar për Integrim i Ministres së Qeverisë së Landit. Ndër të tjera Bahriu punon si ligjërues në Departamentin e politikës në “The Academy of Leadership Sciences Switzerland”.
Në këtë intervistë ai na tregon për hapat e integrimit të shqiptarëve në Austri.
Prej sa vjetësh jetoni në Austri dhe për çfarë arsye u zhvendosët këtu?
Unë për herë të parë kam ardhur në Austri si student në vitin 1992 për të kaluar një semestër këtu, për arsye se forcat serbe na larguan nga universiteti. Ne menduam atëherë se situata do të përmirësohet shpejt, por ndodhi e kundërta. Pas një viti e gjysmë qëndrimi, unë u ktheva prapë në Kosovë që t’i përfundoj atje studimet. Duke e parë se situata veç sa u keqësua më tepër, mu dha mundësia prapë të kthehem në Austri në vitin 1997 për të vazhduar me studimet postdiplomike. Dhe, atëherë nuk mendoja se do të mbetem kaq gjatë jashtë trojeve tona por, siç po shihet ende jam këtu.
Si mori rrjedhë jeta juaj më pas? Si ishin fillimet tuaja në një vend të panjohur?
Në vend të huaj të fillosh diçka të re është gjithmonë e vështirë. Së pari është dashur mësimi i gjuhës, pasi në atë periudhë në Austri nuk ka pasur projekte për emigrantë sikurse tani por, është dashur që me forca vetjake të financohet dhe mësohet gjuha gjermane. Ne, shqiptarët në përgjithësi është dashur të luftojmë të mbijetojmë si në shtetet ku kemi jetuar dhe punuar, po ashtu edhe në trojet tona. Në vitin 1997 patëm krizën në Shqipëri, në vitin 1998 filloi lufta në Kosovë dhe jam kujdesur jo vetëm për veten por edhe për familjarët që t’i ndihmoj në forma të ndryshme edhe procesin e zhvillimit në atdhe. Prandaj, fillimi ishte shumë i vështirë por me punë dhe vendosmëri munda të përballoj të gjitha sfidat.
Keni pësuar “shok” kulturor kur erdhët për herë të parë në Austri?
Po! “Shokun” kulturor e përjetojnë pothuajse të gjithë njerëzit që shkojnë në vende të huaja. Por, tek disa persona “shoku” kulturor zgjatë më tepër, e tek disa më pak. Zhvillimi i fazave të “shokut” kulturor varet edhe nga ajo se çfarë njerëzish frekuenton, me cilin grup të caktuar të personave ke të bësh, niveli i edukimit, arsimimit etj. Unë kam menduar se “shoku” kulturor përjetohet një herë por, mua më ka ndodhur që ta përjetoj në disa raste.
Jeni ndier ndonjëherë i diskriminuar për shkak të prejardhjes tuaj?
Po, sidomos në vitet 90-të dhe në fillim të viteve 2000. Ishte një sfidë e madhe për gjeneratën tonë t’u sqaronim austriakëve se kush janë shqiptarët në të vërtetë. Ne shqiptarëve nga Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës nuk na konsideronin si shqiptarë dhe si të tillë ndjeheshim edhe më keq. Me kalimin e kohës dhe përmirësimin e imazhit të shqiptarëve në përgjithësi edhe kjo ka qenë më e lehtë për ne.
Ne, sikurse edhe austriakët jemi në rend të parë evropianë dhe si të tillë kemi shumë gjëra të përbashkëta. Prandaj, unë e njoh shumë mirë kulturën dhe historinë e Austrisë, ndërkaq kultura jonë e lashtë prej pellazgëve, ilirëve e deri më tani respektohet dhe çmohet nga austriakët. Edhe pse nganjëherë ne mendojmë se ata nuk dinë shumë për kulturën dhe historinë tonë, në të vërtetë ata janë shumë mirë të informuar. Ne, e dimë nga historia se Austrisë i jemi shumë mirënjohës për ndihmën e dhënë në të gjitha fazat më të rëndësishme për kombin tonë.
A janë të integruar shqiptarët në shoqërinë austriake?
Në krahasim me komunitetet e tjera, ne shqiptarët jemi relativisht mirë të integruar. Kemi shumë histori suksesi si në kulturë, shkencë, politikë, biznes. Pothuajse në të gjithë sektorët gjenden shqiptarë që janë shumë të suksesshëm gjë që nuk ka qenë më parë. Fleksibiliteti dhe aftësia për tu adaptuar shpejt në shoqëritë e caktuara na ka ndihmuar që të integrohemi mirë në ambientet ku jetojmë dhe punojmë, respektivisht në shoqërinë austriake në përgjithësi.
Si e komentoni dëshirën e të rinjve për t’u larguar nga trevat tona shqiptare?
Dëshira e çdo gjenerate të re është të dalë jashtë vendit dhe të shohë diçka tjetër, përveçse te rinia jonë ekziston ajo dëshira për ta lëshuar vendin dhe për tu mos u kthyer më. Kjo ka të bëjë edhe me perspektivën që të rinjve në trojet tona u mungon. Përderisa gjeneratave tona u është dashur ta lëshojmë vendin për shkaqe komplet të tjera, tashmë këta të rinj nuk shohin perspektivën edhe pse vendet tona janë të lira. Unë u kisha rekomanduar të rinjve tanë që edhe nëse dalin, të marrin përvoja dhe kompetenca dhe të kthehen në atdhe, sepse askund nuk është më mirë se atje.
Po ju a do të ktheheshit të jetonit në Kosovë apo Shqipëri në të ardhmen?
Po! Unë gjatë gjithë këtyre viteve të qëndrimit këtu kam fituar kompetenca dhe një përvojë të madhe si në politikë, diplomaci apo edhe në drejtime të tjera. Këtë potencial dhe këto kompetenca do t`i vendosja me shumë dëshirë në shërbim të vendeve tona. Por, kjo nuk varet vetëm nga unë, kjo varet edhe nga faktorët relevantë atje. Respektivisht qeveritë tona nëse dëshirojnë t’i angazhojnë ekspertët nga diaspora apo jo.
Cilët janë hapat e parë të integrimit në Austri?
Integrimi është një proces i gjatë. Në një shoqëri të caktuar integrimi bëhet në forma të ndryshme: integrimi strukturor që do të thotë integrimi në tregun e punës, të banimit, edukimit dhe arsimit, më pas integrimi kulturor që do të thotë aftësimi dhe përvetësimi i njohurive, si: gjuha, vlerat, normat, pikëpamjet etj. Integrimi social që ka të bëjë me rrjetëzimin respektivisht lidhja dhe vënia e marrëdhënieve personale me persona në shoqërinë e vendit mikpritës. Të gjitha këto forma kalojnë në një formë të përbashkët të fazës së integrimit, në fazën emocionale ose të identitetit. Kjo është faza që në të vërtetë tregojnë se sa një emigrant identifikohet me vendin përkatës, në rastin tim me Austrinë, respektivisht me vendbanimin ku jetojnë. Prandaj, të gjithë këta faktorë janë të rëndësishëm për integrim por, hapi i parë që duhet të bëhet është përvetësimi i gjuhës, sepse gjuha është faktor kyç për integrimin në shoqëri.
Sipas jush, pse integrimi është i rëndësishëm për ne?
Unë mendoj se gjeneratat e reja që kanë lindur dhe janë rritur këtu nuk do të kthehen më në trojet tona por, si komunitet dhe si individë mirë të integruar secili prej nesh mund të bëhet ambasadori dhe lobisti më i mirë i kombit në Austri. Me këtë dua të them se pa marrë parasysh se çfarë punon, cilin funksion apo detyrë ka dikush, nuk duhet t’i harrojë rrënjët e veta. Ta ndihmojë komunitetin dhe aty ku mundet, të lobojë për kombin.
Mund të quhesh i integruar në Austri nëse nuk flet gjermanishten?
Jo! Siç thashë edhe më lart gjuha është faktori kyç i integrimit në shoqëri, dhe nëse dikush mendon se mund të integrohet në shoqëri pa mësimin e gjuhës gjermane, është gabim. Qeveria e Austrisë përmes ÖIF (Österreichische Integrationfonds/Fondi Austriak për Integrim) çdo vit investon me miliona euro në aftësimin gjuhësor të emigrantëve, sepse kjo ka rëndësi për të dyja anët, shtetin dhe emigrantët.
Cili është suksesi më i madh që keni arritur në karrierë dhe jetën personale?
Mund t’i numëroj disa por, suksesi më i madh për mua ka qenë vlerësimi i punës sime të arritur si Koordinator për Integrim nga ana e Qeverise së Austrisë, më pas hyrja në Bashki/Komunë si këshilltar bashkiak, në një Bashki ku jam votuar nga austriakët pasi aty nuk jetojnë shqiptarë të tjerë. Në vitin 2010 ishte një sukses po ashtu i veçantë kur u bëra Koordinator dhe Këshilltar për Integrimin i Ministres së Qeverisë së Landit të Salzburgut znj. Dr. Tina Widmann. Ajo që tepër më ka gëzuar ka qenë viti 1999 kur kam arritur të hap shkollën shqipe nëpër shumë regjione të ndryshme në Landin e Salzburgut që fëmijët e migrantëve por edhe fëmijët që kishin ardhur si refugjatë të mund të mësonin edhe shqip. Shkolla shqipe në ato vende funksionon edhe sot. Kjo më bën të mburrem. Ndërkaq, në vitin 2019 për kontributin e dhënë për komunitetin si dhe për Kombin në përgjithësi, Qeveria e Shqipërisë më nderoi me titullin “Ambasador i Kombit”. Ishte një akt shumë emocionues.
Na e përshkruani momentin kur jeni ndier më së shumti krenar për prejardhjen tuaj.
Unë ndihem gjithnjë krenar me prejardhjen time shqiptare. Por, ka qenë një rast kur mbajta një ligjëratë në një event dhe më pas gjatë bisedës në panel fillova të tregoj për dy personalitete të rëndësishme në Austri dhe që kanë qenë me prejardhje shqiptare, Karl Gega dhe Aleksandër Moisiu. Shumica e pjesëmarrësve nuk e dinin se ata kanë qenë shqiptarë dhe mandej ishte një kënaqësi e veçantë t’u tregoja atyre se edhe ne shqiptarët i kemi dhëne diçka kësaj shoqërie.
Çfarë këshillash u jepni të rinjve dhe studentëve që zhvendosen në Austri? Po moshave të tjera që mund ta kenë më të vështirë integrimin?
Zakonisht studentët nuk e kanë vështirë të integrohen në rrethin e tyre. Ndërkaq, moshat e tjera që e kanë problem të integrohen, do të duhej që sa më shumë të kenë komunikim jo vetëm me komunitetin por, edhe me vendësit. Një prej mënyrave që mua personalisht më ka ndihmuar shumë në integrimin tim personal ka qenë angazhimi im nëpër shoqatat dhe organizatat vendase. Aty zhvillohen takimet dhe bisedat më frytdhënëse për dikë që dëshiron të integrohet dhe te bëhet pjesë e shoqërisë austriake. P.sh. ne nuk duhet ta harrojmë kurrë kulturën dhe traditat tona por, pasi kemi vendosur të jetojmë këtu duhet të jemi të gatshëm që t’i njohim edhe normat dhe vlerat e shoqërisë që na ka pranuar si dhe t’i respektojmë dhe pranojmë ligjet e shtetit ku jetojmë.
Kemi histori suksesi në pothuaj çdo sektor
Ne shqiptarët jemi relativisht mirë të integruar në Austri. Kemi shumë histori suksesi si në kulturë, shkencë, politikë, biznes. Pothuajse në të gjithë sektorët gjenden shqiptarë që janë shumë të suksesshëm gjë që nuk ka qenë më parë.
Gega dhe Moisiu
Në një event, para austriakëve fillova të tregoj për dy personalitete të rëndësishme në Austri që kanë qenë me prejardhje shqiptare, Karl Gega dhe Aleksandër Moisiu. Shumica e pjesëmarrësve nuk e dinin se ata kanë qenë shqiptarë dhe mandej ishte një kënaqësi e veçantë t’u tregoja atyre se edhe ne shqiptarët i kemi dhëne diçka kësaj shoqërie.
E-Diaspora
-
Nga llamba e vajgurit tek energjia që ndriçon Zvicrën, rruga frymëzuese e Xhevdet Gashit dhe ALBASOLAR Nga rrënjët modeste tek frymëzimi për energjinë diellore...
-
“K’cimi i Tropojës”, piktori Gazmend Freitag dhe magjia e trashëgimisë kulturore shqiptare
-
Gjykata Federale ndalon dëbimin e kosovarit: Djali i tij është invalid i rëndë
-
A e keni ditur që hiti për Krishtlindje është xhiruar para 40 vitesh në Zvicër?
-
Borë në kantonet Schwyz dhe Bernë të Zvicrës
Jeta në Zvicër
-
Mediat: Shërbimet mjekësore zvicerane të bëra jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane Në Zvicër, shërbimet mjekësore të kryera jashtë vendit faturohen me tarifa zvicerane, pavarësisht se kushtojnë më...
-
Anëtari i ekuipazhit zviceran ende në kujdes intensiv pas uljes urgjente në Austri
-
Ulja emergjente e avionit zviceran në Graz është shkaktuar nga një problem teknik
-
Berna ka përditësuar, në internet, hartën e saj të rreziqeve sipas qyteteve të kantonit
-
Sa e rëndësishme është marrëveshja e BE-së për ekonominë tonë të eksportit?