Lajme

BAG: “Gjyshërit mund t`i përqafojnë nipërit dhe mbesat e tyre, nuk ka rrezik”

Por, njëkohësisht BAG këshillon  që gjyshërit nuk duhet të ngarkohen me kujdesin për fëmijët e vegjël

Gjyshërit lejohen të kenë kontakte të ngushta me nipërit e mbesat e tyre dhe t’i marrin ata në krah. Këtë e ka konfirmuar sot Daniel Koch nga Zyra Federale e Shëndetit Publik (BAG).

“Praktikisht nuk ka të dhëna që tregojnë se fëmijët kanë transmetuar sëmundjen. Prandaj nuk ka asnjë rrezik nga fëmijët”, ka theksuar ai në konferencën për media që është mbajtur në Qendrën Mediale të Federatës, në Bernë.

Por, njëkohësisht BAG këshillon  që gjyshërit nuk duhet të ngarkohen me kujdesin për fëmijët e vegjël, transmeton albinfo.ch. Kjo për faktin se gjyshërit mund të infektohen nga gjenerata e mesme, pra nga bijtë dhe bijat e tyre,  kur t’i çojnë fëmijët te gjyshërit.

Prandaj nuk është e preferueshme që brezat të përzihen, ka shtuar Koch.

Sidoqoftë, rreziku rritet te fëmijët nga mosha 10 vjeç, dhe prandaj kontaktet e përmendura nuk rekomandohen për të rinjtë.

Në një intervistë për “Grosseltern Magazin” (Revista e gjyshërve), Daniel Koch kishte deklaruar se gjyshërit duhet ose munden të përqafojnë nipërit e mbesat e tyre, përcjell albinfo.ch. Kjo ka shkaktuar acarim pasi që më parë ishte rekomanduar që të shmangeshin kontaktet e gjyshërve me nipërit.

Të gjitha informacionet rreth koronavirusit në Zvicër në shumë gjuhë: bag.admin.ch

Të tjera informata aktuale rreth koronavirusit, në shumë gjuhë në Zvicër : www.bag.admin.ch/bag