Kosova

Babai solli mijëra franga nga Zvicra për biznes, hajnat i vodhën të gjitha

Një vjedhje e sofistikuar ka ndodhur mbrëmë në fshatin Dremjak të Ferizajt. Dy hajna të armatosur kanë hyrë brenda shtëpisë së familjes Muhaxheri, nga ku kanë marrë tri arka me para dhe ari. Të paktën 60 mijë euro ndodheshin në tri arkat të cilat familja i kishte lënë në shtëpi.

Me ato para ishte planifikuar që sot të kryheshin disa pagesa për biznesin (sallë dasmash) që familja Muhaxheri ishte duke e ndërtuar. Me t’i marrë paratë, dy hajnat i priste një veturë, por gjatë ikjes të njëjtit u takuan me familjarët e pronarit të shtëpisë dhe nën kërcënimin e armës arritën të hipnin në veturë për të ikur në drejtim të panjohur. Gazeta Express ka arritur t’i sigurojë pamjet e vjedhjes së rëndë ose vjedhjes si nëpër filma.

Një “vjedhje e rëndë” i është shtuar mbrëmë raportit të Policisë së Kosovës. Për të cilën nuk është arrestuar ende asnjë person. Në tri arka që hajnat i vodhën brenda shtëpisë së familjes Muhaxheri ishin 44 mijë euro, 2500 franga zvicerane dhe një sasi e arit në vlerë rreth 20 mijë euro. Këtë shumë parash e kishte sjellë në Kosovë nga Zvicra kryefamiljari i familjes Muhaxheri për të investuar në biznesin familjar.

Gazeta Express ka qëndruar sot në Dremjak, ku janë dhënë detaje se si është kryer vjedhja. Në momentin që hajnat i kishin hyrë në shtëpi, familja ndodhej për darkë te të afërmit. Hekuran Muhaxheri tregon kronologjikisht ngjarjen.

“Mbrëmë rreth orës 19:30 jemi kan tu hanger darkë me familje, në shtëpinë tjetër i kemi pas paratë, kanë hi hajnat i kanë marrë, i kanë marrë tri kaca, aty janë kanë paret edhe ari.

Vlera dikun janë kanë 44 mijë euro 2500 franga edhe me ari rreth 60 mijë euro vlerë”, tha Muhaxheri.

Shtoi se pasi hajnat kanë dalë nga shtëpia, janë takuar me djalin e axhës së tij. Të cilit nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar të largohet nga rruga dhe më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes.

“Djali i axhës u kanë tu ardhë te shpija, masi që ka ndodhe rasti. Ata i kanë dalë në rrugë me allti. Edhe i kanë thonë largohu, me ja lëshu rrugën. Ata janë largu, u kan tu prit një kerr, kanë hyp në kerr edhe kanë shku rrugës për Dremjak.

Tash aty nuk dihet e din policia, parët janë kanë për investim të sallës, i ka pru baba prej jashtit”, tha Muhaxheri për Gazetën Express, përcjell albinfo.ch.

Ai tha se nuk dyshon në ndonjë person se kush ka mundur t’i vjedhë paratë dhe arin, por shtoi se me ato para ishte planifikuar të investohej në biznesin e familjes së tij- në një sallë dasmash.

Këtë vjedhje e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Agim Gashi nga policia rajonale e Ferizajt tha se policia po punon në zbardhjen e këtij rasti, deri më tani janë intervistuar disa persona, ndërsa nuk ka të arrestuar.

Pistat e hetimeve janë zgjeruar, tha ai.

“Në lidhje me rastin që ka ndodhur mbrëmë rreth oës 20:00, policia është njoftu nga ankuesi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë e nevojshme. Personat e panjohur kanë hy në shtëpi kanë marrë tri kaca. Në të cilat ka pasur 44 mijë euro dhe 2500 franga zvicërane dhe një sasi e arit në vlerë rreth 20 mijë euro. Gjatë hetimeve fillestare në vendin e ngjarjes janë intervistuar disa persona, por nuk ka rezultate konkrete. Pistat e hetimit janë zgjeruar për ta hetuar këtë rast”, tha Gashi për Gazetën Express, përcjell albinfo.ch.