Integrimi

Azilkërkuesja Arjeta mëson gjermanisht

Edhe fëmijët që kanë aplikuar për të fituar të drejtën e azilit  në Gjermani duhet të shkojnë në shkollë. Derisa pritet të merret një vendim për ta, shqiptarët Arjeta e Adori dhe të tjerët detyrohen të vijojnë kursin e gjuhës gjermane, e pastaj edhe shkollën.

“Raa-dirr-guu-mie“ kështu germëzon Arjeta. Çfarë fjale e gjatë dhe e vështirë! Por Arjeta e bën atë shumë mirë. Buzëqeshjen e mësueses Ute Herzberg e kupton ajo edhe pa e thënë asnjë fjalë. Arjeta nga Kosova është dhjetëvjeçare dhe është më e reja në klasën e mësueses Ute Herzberg në shkollën e mesme në Rödertal të Grossröhrsdorit në Gjermani. Adori, i cili është i ulur prapa saj, është 17-vjeçar.

Gjuha amtare për Arjeten dhe Adorin është shqipja. Arejta, Adori dhe shumica e të tjerëve që janë në klasë banojnë në një palestër të vjetër afër shkollës, e cila tashmë është shndërruar në një strehimore azilkërkuesish, shkruan gazeta “sz-online.de”, transmeton albinfo.ch.

Para tri javësh familjet e refugjatëve nga Shqipëria dhe Kosova janë sjellë këtu. Sa kohë ata do të rrinë dhe sa mund të vijojnë mësimin nuk e di as Arjeta. As mësuesja nuk e ka idenë. Për aq kohë sa do të qëndrojnë, këta fëmijë do të vijojnë kursin dhe të shkojnë në shkollë.

Arsimi, i detyrueshëm për fëmijët e huaj

Në pesë shkolla fillore, pesë të mesme dhe në tri qendrat e arsimit profesional në Bautzen, Kamenz, Hoyerswerda, Bischofswerda, Bernsdorf dhe Großröhrsdorf të Gjermanisë ka shkolla të tilla speciale për fëmijë që vijnë nga shtetet e huaja.

Rreth 170 fëmijë janë në strehimoret e azilit në këto vende, të cilët janë të detyruar për të vijuar shkollën. Numri i saktë i tyre ndryshon çdo ditë.  Nganjëherë ndodh që vend i cili ka qenë i zënë më nxënës sot, nesër mbetet i lirë. Kjo pasi që ai nxënës ka mundur të jetë dëbuar gjatë natës për në vendlindjen e tij. Ndoshta kjo do t’ iu ndodhë së shpejti edhe të ardhurve nga Shqipëria dhe Kosova. Edhe ata shumë shpejt mund të kthehen në vendin e tyre. Arjeta dhe të tjerët në klasë nuk dinë asgjë për këtë.

E derisa pritet të merret një vendim për ta, secili më padurim ka dëshirë për ta lexuar detyrën e tij. Nëse njëri prej tyre e thotë mirë detyrën, të tjerët e duartrokasin. Ata kuptohen, nëse është e nevojshme edhe me duar dhe këmbë.

Albinfo.ch