Integrimi

Azilkërkuesit plotësojnë mungesën e personelit ndihmës

Nga njëra anë kemi mungesën emergjente të personelit në shëndetësi dhe plakjen. Në anën jetër potenciali mbetet i pashfrytëzuar, pasi që shumë njerëz me prejardhje të huaj nuk kanë punë...

Në Zvicër mbretëron një mungesë e madhe e personelit ndihmës mjekësor ndërkohë që një numër i madh refugjatësh janë të papunë. Kjo situatë ka nxitur Spitalin e Kantonit të St. Gallenit që të kërkojë një zgjidhje kreative, për të përfituar nga e keqja, përmes një projekti të kualifikimit të refugjatëve për ndihmës infermierë/e.

Awet Zerezgi, 37 vjeçar nga Eritrea është njeri nga pesë azilkërkuesit që ndjek këtë trajnim në një shtëpi pleqsh në kantonin St. Gallen. “Më parë në vendin tim kam punuar në një spital ushtarak. Përkujdesja për të moshuarit këtu më pëlqen shumë”, thotë ai.

Trajnimin e ka iniciuar bashkësia e kryetarëve të komunave të St. Gallenit (VSGP) së bashku me Kryqin e Kuq. Në këtë projekt të parin të këtij lloji në Zvicër, azilkërkuesit me status të pranuar refugjati dhe ata me status të përkohshëm (F) trajnohen për tu bërë ndihmës kujdestarë.

Krahas praktikumit, në këtë trajnim përfshihet edhe pjesa teorike, prej 160 leksionesh, të cilën e drejton Kryqi i Kuq i Kantonit St. Gallen . udhëheqësja e trajnimit, Daniela Paci shprehet e kënaqur me përparimin që bëjnë kursistët. “Shumë rrallë kemi pasur nxënës kaq të interesuar në trajnimet tona. Gjuha në fillim ishte një sfidë e madhe, por për çdo javë vjen duke u përmirësuar gjendja”.

Për komunat kjo është një situatë e përfitimit reciprok, thotë Roger Hochreutener nga VSGP. “Ne, nga njëra anë kemi mungesën emergjente të personelit në shëndetësi dhe plakjen. Në anën tjetër potenciali mbetet i pashfrytëzuar, pasi që shumë njerëz me prejardhje të huaj nuk kanë punë. Ne duam t`i lidhim këto dy tema bashkë”

Integrimi në tregun e punës i refugjatëve me status të njohur nuk paraqitet i thjeshtë. Vetëm një pjesë e vogël e personave, edhe pesë vjet pas pranimit të këtij statusi, janë duke punuar. Vetëm 19 për qind e refugjatëve të moshës së punës kane një punë. 13000 refugjatë që kanë të drejtë të mbeten për kohë të gjatë (ose përgjithmonë) në Zvicër marrin ndihma sociale dhe kjo i kushton Zvicrës 270 milionë franga në vit.

Zgjidhja që duket e përsosur, duket se nuk u pëlqen të gjithëve. Federata e personelit ndihmës në shëndetësi druan se ky trajnim i ri është një zgjidhje e shpejtë e improvizuar për të fituar fuqi të lirë punëtore. Barbara Gassmann nga kjo federatë thotë: “Është një trajnim shumë i shkurtë dhe problemet mund të paraqiten atëherë kur këta njerëz lihen të vetëm në punën e përditshme ose kur përdoren për detyra tepër kërkuese”.

Daniela Paci nga Kryqi i Kuq pranon se trajnimi është i shkurtë. Por ajo është e bindur se ky mund ë jetë një gur në themelin e kurseve tjera plotësuese. Për komunat e St. Gallenit është e qartë se ata duan të vazhdojnë këtë pilot projekt. Në tetor do të fillojë kursi i radhës. Nga pjesëmarrësit e deritashëm dy veta kanë marrë tashmë premtimin për punësim të përhershëm.