Shkurt.ch

Aziatikët “flasin” me sy, evropianët: me sy dhe me gojë

Në perëndim njerëzit e shikojnë tjetrin në sy dhe në gojë ndërsa aziatikët këtë e bëjnë duke shikuar ekskluzivisht dhe vetëm në sy

Aziatikët përdorin grimasa të ndryshme nga ato të europerëndimorëve për të shfaqur ndjenjat e tyre. Ata po kështu ndryshojnë nga popujt e perëndimit për nga mënyra se si e perceptojnë gjendjen emocionale të bashkëbiseduesit.

Përderisa në botën perëndimore njerëzit e shikojnë tjetrin përballë në sy dhe në gojë, aziatikët këtë e bëjnë duke shikuar ekskluzivisht dhe vetëm në sy.

Në këtë konstatim kanë arritur studiues të një universiteti në Glasgow (Britani e Madhe) të udhëhequr nga profesori Caldara. Kjo gjetje e shpjegon përse shprehja e fytyrës së një japonezi mund të duket aq e ngurtë për një evropian, thonë  studiuesit nga Glasgow.

Dallimi në shprehje të fytyrës është bartur edhe në “emoticon”-et, shenjat karakteristike për shfaqje të ndjenjave në komunikimin përmes internetit. Kështu, për njerëzit nga perëndimi janë të zakonshme emoticonet e tipit 🙂 që disponimin e tregojnë përmes pozitës së gojës dhe syve. Ndërsa aziatikët për të treguar gjendjen shpirtërore momentale, përdorin figurat ku gjejnë shprehje vetëm sytë, si  ^.^ ose ;_;