Portrete të firmave
Avokati shqiptar, Senad Albani, vjen nga Frankfurti dhe hap kancelarinë e tij në Vjenë
Zyra ligjore Albani, e drejtuar nga RA Senad Albani M.A. në Vjenë, ofron këshilla ligjore dhe përfaqësim gjithëpërfshirës në fushat e së drejtës civile, veçanërisht në të drejtën e trashëgimisë, të drejtën procedurale dhe të drejtën e pasurive të paluajtshme si dhe të drejtën e kompanive
Senad Albani është avokat i njohur në Austri dhe Gjermani, me një karrierë të gjerë akademike dhe profesionale. Nga tetori 2012 deri në mars të vitit 2018, ai përfundoi studimet e tij për drejtësi në Universitetin e Leipzig-ut, Universitetin Ludwig Maximilian të Mynihut dhe Universitetin Goethe të Frankfurt am Main, ku u specializua në bazat e së drejtës dhe dha provimin e parë shtetëror për drejtësi.
Nga shtatori 2018 deri në shtator 2020, Senad Albani shërbeu si jurist praktikant në Gjykatën Rajonale të Frankfurtit të Mainit. Aty ai mori njohuri të shumta në prokurorinë publike dhe gjykatën administrative dhe kaloi provimin e dytë të së drejtës shtetërore.
Përveç drejtësisë, Albanin e tërheq shumë edhe filozofia. Paralelisht me juridikun, ai studioi filozofi në Universitetin Johannes Gutenberg në Mainz dhe në Universitetin e Oksfordit në Angli, me fokus në filozofinë analitike dhe mori Masterin e Arteve në Filozofi në Universitetin Goethe Frankfurt am Main në vitin 2020.
Nga viti 2021, avokati Albani nga Frankfurti transferohet të punon për një zyre avokatësh në Vjenë, ndërkohë një vit më vonë, hap zyrën e tij e cila gjendet në Himmpelfortgasse 20, 1010 në Vjenë.
Albinfo.at: Kur dëgjova fillimisht për ju, më bëri shumë përshtypje mbiemri juaj, Albani. Është mbiemri juaj vërtet kështu?
Albani: Unë jam i lindur më këtë mbiemër. Këtë mbiemër e kemi të trashëguar prej shumë brezave. Jam i lindur me 1990 në Shkodër. Origjina ime është një përzierje interesante mes trojeve shqiptare. Një pjesë e familjarëve të mi kanë qenë arbëresh, një pjesë çame dhe pjesa tjetër prej Malësisë së Madhe. Babai im ka qenë oficer në Shqipëri ndërsa nëna profesorësh e edukatës fizike në Shkodër. Në Shkodër kam jetuar deri në vitin 1997 ku për shkak të situatës së asaj kohe, bashkë me familje kemi migruar për në Frankfurt am Main të Gjermanisë.
Albinfo.at: Paralelisht ju keni studiuar/magjistruar në Fakultetin e Juridikut dhe të Filozofisë deri në certifikimin si avokat. Kur filluat të ushtroni profesionin e avokatit?
Albani: Në vitin 2020 kam filluar si avokat në një kancelari avokatësh shumë të njohur në Frankfurt am Main. Zyra e avokatëve kishte edhe një zyre në Vjenë. Kështu që unë në vitin 2021 u transferova të punoja për ata në Vjenë. Pas afër një viti më vonë, në prill të vitit 2022 hapa edhe zyrën time të avokatëve/kanzelei këtu në Vjenë.
Albinfo.at: Cili ishte qëllimi i shpërnguljes suaj nga Frankfurti për në Vjenë?
Albani: Si unë, edhe bashkëshortja ime Michele Albani ka përfunduar studimet për juridik në Frankfurt am Main. Ajo vazhdoi studimet postdiplomike për doktoratë. Gjatë kësaj kohë, edhe ajo punonte në një zyre avokatësh. Një profesor atje e sugjeroi bashkëshorten time që të vjen në Vjenë për të vazhduar doktoratën. Meqë zyra e avokatëve ku unë punoja, kishte edhe një zyre tjetër si degë në Vjenë, atëherë ishte e përshtatshme për ne të dy. Kështu që erdhëm dhe u zhvendosëm së bashku. Vëllai im gjithashtu jeton prej vitit 2012 këtu në Vjenë, dhe kur e pyeta, ai më sugjeroi që të vija.
Albinfo.at: Punoni bashkë me bashkëshorten në këtë zyre, apo?
Albani: Jo gjithmonë. Kurdo që kam nevojë për ndihmën e saj, ajo gjithmonë është e gatshme për të më ndihmuar. Përndryshe krahas doktoratës, Michelle tashmë është edhe asistente në lëndën e historisë së drejtësisë në Universitetin e Vjenës.
Albinfo.at: E thatë më lart se tash e disa vjet ju keni hapur zyrën tuaj të avokaturës në Vjenë. Cilat lëndë i trajtoni ju dhe zyra juaj?
Albani: Ne kryesisht merremi me çështjet civile, por të specializuar jemi më shumë të çështjet e pasurive të patundshme (Immobileve). Pra shit-blerje e pasurive të patundshme. Po ashtu mbrojmë të drejtat e kompanive gjithmonë sipas ligjit që na lejon si dhe ndihmojmë me rregullimin e dokumenteve; japim edhe këshillat e nevojshme për të gjithë ata që dëshirojnë të hapin ndonjë kompani apo biznes tjetër në Austri. Gjithashtu merrem edhe me çështje ligjore për të drejtat e familjes, por këto në raste më të vogla.
Albinfo.at: Meqë shqiptarët këtu në Austri kanë shumë kompani qoftë me Immobilie apo biznese të tjera, a keni pasur raste të bashkëpunoni me ta?
Albani: Jo edhe aq shumë. Mund të them se me 2-3 kompani shqiptare. Ndoshta, sepse nuk kam shumë kohë që kam ardhur në Vjenë dhe mungon ende informimi dhe nuk kanë njohuri për mua dhe punën time. Gjithsesi, unë jam i hapur për të punuar me secilin klient që ka nevojë për ndihmën apo këshillat që ofron zyra jonë.
Albinfo.at: Cilat janë problemet më të cilat kërkojnë ndihmë më së shumti shqiptarët?
Albani: Më shumë me çështje të vizave, por ka edhe shumë me problemet që kanë me bizneset e tyre. Shumë biznesmenë shqiptarë fillojnë bizneset e tyre pa i kuptuar mirë procedurat të cilat duhet ndjekur, pastaj gjatë rrugës kur t`u shfaqen problemet qoftë me shtetin apo diçka tjetër, kërkojnë ndihmë për të shpëtuar. Është më mirë të konsultohesh fillimisht me njohësit e ligjit dhe pastaj është më lehtë për të ecur përpara. Pra të plotësohen gjitha kushtet dhe dokumentet në mënyrë që më vonë mos të ju dalin probleme të paparashikuara ndaj shtetit.
Albinfo.at: Sa ka burokraci në kërkesat e dokumentacioneve Austria?
Albani: Në krahasim me Austrinë, Gjermania ka më shumë burokraci. Austria më pëlqen për shkak se ta jep mundësinë me fol me dikë, me u marrë vesh, pra me u sqaruar për një problem të caktuar apo një dokument. Këtu ta lënë një dritare të hapur derisa të merret vesh në detaje për ndonjë problem të caktuar. Në Gjermani është gjithçka strikte dhe nuk të jep hapësira të shumta. Atje i ke ligjet dhe nuk të jep hapësirë asgjë tjetër përpos rregullave ligjore.
Albinfo.at: Më the që ditës së punës në zyrë ia fillon në orën 5 të mëngjesit, diçka jo e zakonshme për një zyrë avokatësh. Pse ndodh kjo?
Albani: Kam fatin e mirë që gjumi më merr shumë shpejt, megjithatë nuk fle gjatë. Unë dal në punë në orën 5 të mëngjesit, por kjo nuk do të thotë se është e hapur në këtë kohë edhe kancelaria jonë për klientë. Unë shkoj në zyrë për arsye se është kohë shumë e mirë për të punuar i qetë. Pas orës 09 të mëngjesit fillojnë takimet me klientë dhe telefonata të shumta, e-mail adresa, takime në gjyqe me klientë e të tjera, saqë nuk kam kohën e duhur për të punuar në qetësi. Prandaj i shfrytëzoj orët e hershme të mëngjesit. Po ashtu ka shumë raste që mund të jem në zyrë edhe deri në orët e vona të mbrëmjes sepse kështu është ky profesion i yni.
Albinfo.at: Përveç punës, çfarë bëni gjatë kohës së lirë?
Albani: Jam i pasionuar pas leximit. Përveç literaturës profesionale, kohëve të fundit po lexoj shumë për histori shqiptare por edhe të huaj. Po ashtu më pëlqejnë shumë edhe filmat shqiptarë të vjetër. Më pëlqejnë sporti, futbolli por tenisi. Gjithsesi dal edhe me shokë për t’u argëtuar.
Albinfo.at: U bënë rreth dy vjet që tashm[ jetoni në Austri. Sa jeni ambientuar me Vjenën dhe cili është dallimi i jetës më atë që keni bërë në Frankfurt?
Albani: Vjena është një përzierje e jetesës që bëhet në Gjermani dhe jetesës ballkanike. Kjo më është përshtatur mua shumë. Unë kam jetuar shumë vite në Gjermani dhe Gjermania ofron kushte shumë të mira jetesë, mund të gjesh shokë shumë të mirë dhe bashkëpunues, por Vjena përshtatet më shumë me mentalitetin ballkanik dhe kjo e bën edhe Vjenën më të veçantë, por edhe të tjerët i tërheq më shumë për të jetuar.
Për më shumë informata, vizitoni ueb faqen e tij: https://ra-albani.at/
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm Shkrimtari shqiptar Pajtim Statovci merr çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm për romanin “Lopa pjell natën” ...
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në Aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
-
Një rrugë në Filadelfia të SHBA-së merr emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre