Integrimi

Avokati shqiptar që lufton rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve

Miftar Zymberi është shqiptar nga Kosova me qëndrim në Zvicër, ku punon si jurist, mediator dhe avokat i fëmijëve në Cyrih

Fëmija është i shenjtë. Të drejtat e fëmijëve janë të mbrojtura me shumë ligje, rezoluta, rregullore si dhe me Konventën e Hagës, të aprovuar më 29 maj 1993 dhe të nënshkruar edhe nga shteti i Zvicrës.

Kur ne si mërgimtarë në Kosovë i shohim fëmijët duke punuar rrugës, duke shitur cigare apo duke tentuar t’ua lajnë xhamat veturave, kjo dukuri na vret në shpirt, sepse mbrojtja e të drejtave të fëmijës në një shtet e pasqyron gjendjën reale të këtij shteti, thotë në një intervistë për albinfo.ch Miftar Zymberi, avokat për fëmijë në Cyrih.

Kush është Miftar Zymberi?

Jam nga Ferizaj, baba i një vazje 4 vjeçare, jurist / mediator dhe avokat i fëmijëve. Punoj që nga tetori i vitit të kaluar si i pavarur në këtë fushë, në një zyrë në Winterthur. Studimet e juridikut i kam mbaruar në Universitetin e Prishtinës dhe jetoj që nga viti 2004 në Zvicër. Në Bernë kam bërë Master kurse studimet e avancuara për avokati të fëmijëve i kam mbaruar në Gjermani pranë Institutit Amerikano-Gjerman që quhet „Akademia Evangjeliste gjermane“. Kam mbaruar edhe 2 shkollime shtesë, njërin për ndërmjetësime jashtëgjyqësore familijare dhe tjetrin për ndërmjetësim jashtëgjyqësor në rrëmbimin ndërkombëtar të fëmijëve.

Me çfarë merret zyra juaj, çfarë u ofroni Ju klientëve, z. Zymberi?

Unë jam jurist, pra merrem me këshilla dhe punë juridike, me avokati të fëmijëve dhe jam ndërmjetësues jashtëgjyqësor si dhe ndërmjetësues në rastet e dukurisë që quhet rrëmbimi ndërkombëtar i fëmijëve. Po ashtu jam anëtar i ndermjetësuesve në rastet e rrëmbimit ndërkombëtar të femijëve, me seli ne Berlin të Gjermanisë.

Çfarë do të te thotë të jesh „avokat i fëmijëve“ në Zvicër?

Po ua shpjegoj këtë me një shembull: në rast të divorcit të prindërve, fëmija gjendet në mes të këtyre dyve dhe ka një status të palakmueshëm në procedurë kur këta luftojnë për fitimin e kujdestarisë mbi të. Në këtë rast, gjykatësit e zgjedhin një avokat i cili do t`i mbrojë interesat e fëmijës. Avokati, pasi që e ka përcjellë një kohë gjendjen e fëmijës, me vëmendje dhe profesionalizëm, i jep një mendim- evaluim gjykatësit se te cili nga prindërit do të ishte më mirë për fëmijën që të vazhdojë jetesën në të ardhmën. Zakonisht gjykatësi vendos sipas mendimit të të gjeturave të avokatit të femijëve.

A është ky një profesion i ri apo ka ekzistuar gjithmonë ky lloj avoketësh?

Në Zvicër Avokatia e fëmijëve eshte diçka e re dhe ka fituar kuptim më të madh nga korriku i vitit 2013 ose nga momenti i ndryshimit të Kodit civil zviceran, sipas të cilit parashihet kujdestaria e dy prindërve mbi fëmijën. Para kësaj është njohur vetëm kujdestaria e njëanshme. Ky profesion është pak a shumë i ri në Zvicër dhe kërkon nje profesionalizim përmes një shkollimi shtesë nga ana e juristëve, në psikologjinë e femijës sepse puna është shumë e lidhur me njohjen e kësaj fushe. Ajo aplikohet duke biseduar dhe vëzhguar prindin, fëmijën, dhe personat tjerë të rëndësishëm që kanë të bëjë me jetën sociale të tyre.

Cfarë quhet rrëmbim ndërkombëtar i fëmijëve?

Rrëmbimi ndërkombetar i fëmijëve nuk duhet të kuptohet në aspektin e një rrëmbimi klasik (kidnapim apo rrëmbim i fëmijës nga një person i huaj). Në fakt, këtu kemi të bëjmë me prindërit e divorcuar, ku njëri prind e merr fëmijën dhe shkon jashtë vendit duke mos e kthyer atë sipas marrveshjes me prindin tjetër në vendbanimin e femijës. Për ta thjeshtësuar pak për lexuesit tanë, një shembull klasik: prindërit janë të divorcuar dhe fëmija është vënë nën kujdestarinë e nënës. Babai i fëmijës, në marrëveshje me nënën e fëmijës dëshiron që gjatë pushimeve verore ta kalojë vetëm me fëmijën pushimin në Kosovë. Mirëpo pas mbarimit të pushimit babai nuk e kthen fëmijën në Zvicër, por fillon ta mbajë në Kosovë dhe nëna reagon këtu duke e paraqitur rastin pranë autoriteteve përgjëgjëse, policisë dhe prokurorisë. Në këtë rast edhe pse babai i fëmijës është prind i tij, ky e mban fëmijën larg vendbanimit të fundit duke e shkelur marrëveshjen me prindin tjetër ose nënën e fëmijës dhe kjo konsiderohet rrëmbim ndërkombëtar.

A është punë e rrezikshme kjo e ndërmjetësimit në raste rrëmbimesh ndërkombëtare?

Jo, nuk është edhe aq i rrezikshëm ky lloj ndërmjetësimi sepse këtu kemi të bëjmë me njërin prind të fëmijës, dhe ndërmjetësimi bëhet zakonisht pasi të vihet kontakti dhe marrëveshja me të dy prindërit. Këta duhet të jenë të dy të pajtimit që të bëhet ndërmjetësimi. Vetëm me pëlqimin e të dyve aktivizohemi ne si ndërmjetësues dhe dërgohemi nga ana e autoriteteve përgjegjëse. Por nëse prindërit nuk e japin pëlqimin për ndërmjetësim, atëherë veprojnë organet e rendit dhe të drejtësisë (policia, prokuroria dhe gjykatat), pa ndërmjetësim fare. Mirëpo organet shtetërore para se të aktivizohen u japin edhe një herë rast prindërve që me ndermjetësim ta rregullojnë vetë kthimin e fëmijës në vendbanimin e fundit dhe t`i rregullojnë çështjet tjera siç janë të drejtat e vizitave etj, sepse vetëm ata i njohin fëmijët e tyre më së miri. Nëse këta nuk dëgjojnë, atëherë organet gjegjëse vendosin për fatin e fëmijës. Kjo nuk do të ishte në dobi të prindërve, që t`i shmangen ndërmjetësimit sepse e kanë mundësinë të vendosin vetë për fëmijën e tyre.

A keni të dhëna statistikore se sa fëmijë në vit rëembehen nga Zvicra dhe cilat janë nacionalitetet më të përfshira në këto raste?

Po ka të dhëna statistikore. Ministria Federale e Drejtësisë e Zvicrës ka një pasqyrë se sa raste të rrëmbimit ndërkombëtar kryhen në vit në Zvicër, dhe llogariten diku 250 raste në vit. Gati të gjitha nacionalitetet janë të prekura por më së shumti familjet me prindër bi-nacionalë, si shembull babai zviceran e nëna amerikane. Por ka edhe raste kur të dy prindërit janë të të njëjtit nacoinalitet. Shiftra të sakta nuk kemi se cilat nacionalitete që jetojnë në Zvicër janë më të prekurat. Pra ka raste të rrëmbimit ndërkombëtar të fëmijës edhe në relacionin Zvicër – Kosovë, ku edhe vet kam qenë ndërmjetësues. Por zakonisht raste në raport me Kosovën ka më shumë se sa që i japin statistikat zvicerane. Mirëpo kur një rast ndodhë ndërmjet dy prindërve me shtetësi kosovare, përkatësisht shqiptarë, duke i përfshirë gati të gjitha trevat e banuara me shqiptarë, zakonisht rastin e kthimit të fëmijës apo ndërmjetesimin e kryejnë familjet dhe nuk shkojnë rastet fare para organeve të drejtësisë. Edhe pse kjo nuk është rregull, se ka edhe raste kur kthimet bëhen përmes organeve të drejtësisë gjegjësisht me ndermjetësim. Deri më tani ka pasur një kuotë të mirë të suksesit sepse gati 70% të rasteve me ndermjetësim, janë kryer me sukses.

Nëse fëmijën tuaj e mbani në Kosovë pa pëlqimin e prindit tjetër, kjo konsiderohet “rrëmbim ndërkombëtar”

Një këshillë për prindërit do të ishte që të mos të marrin një hap të këtillë (rrëmbimin e fëmijës) pa marrëveshje të prindit tjetër, sepse në të kundërtën janë kosto të larta ekonomike dhe shkaktojnë trazira shpirtërore tek fëmijët dhe e gjithë familja, thotë për albinfo.ch z. Zymberi. Është një aventurë që nuk ia vlen të sfidohet, sepse pasojat janë shumë të mëdha. Nëse njëri prind dëshiron të ndërrojë vendbanim, psh: jashtë Zvicrës dhe është i divorcuar, edhe pse e ka të drejtën e kujdestarisë mbi fëmijën, nuk ka të drejtë ta marrë një hap të tillë pa marrëveshje me prindin tjetër të fëmijës sepse kjo do të konsiderohej rrëmbim ndërkombëtar dhe shkelje e të drejtave të prindëit tjetër në raport me fëmijën.

Mesazhi im do të ishte sidomos për prindërit, që fëmijët të qëndrojne sa më larg televizioneve dhe interneteve, jo krejtesisht pa qasje në to por kjo qasje të jetë e kontrolluar, kurse mesazhi tjetër është që qytetarët shqiptarë të mos ngurojnë dhe tu drejtohen zyrave juridike për këshilla, sepse kostoja që do të paguajnë për këshilla anjëher nuk e arrin koston e mosmarrjes së këshillës.