Lajme
Avokati i Popullit në Kosovë: Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është çështje nacionale
Kërkohet veprim urgjent, shprehet Avokati i Popullit
Avokati i Popullit në Kosovë, Naim Qelaj, ka deklaruar se i konsideron shqetësuese për vendin rastet e dhunimeve seksuale të të miturave dhe kërkon vëmendje të shtuar institucionale, por edhe veprime konkrete nga autoritetet përgjegjëse.
Qelaj ka folur edhe për mohimin e pensioneve të dyfishta për kategoritë e caktuara. Po ashtu, ai nuk ka shpresa se Kodi Civil do të marrë ditën e gjelbër edhe në legjislaturën e ardhshme.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e pagave për punëtorët e sektorit publik, e ka gëzuar Avokatin e Popullit, por sipas tij, për sa kohë që ka dilema për përputhshmërinë me Kushtetutën, ekziston mundësia që edhe ky vendim të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Ai thekson se rritja e pensioneve për 20%, e cila ka ndodhur nga muaji i kaluar, nuk i plotëson nevojat për këtë kategori.
“Po e konsideroj si të hershme me dhënë një përgjigje të saktë se si kemi me vepruar ne si institucion ose a ka mundësi tjerët me sfiduar. Por, natyrisht gjithmonë ekziston e drejta e sfidimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë ka dilema lidhur me përputhshmërinë me Kushtetutën, qoftë me të drejtat e njeriut… Jo nuk kemi pranuar përveç reagime publike dhe shqetësimeve të ngritura gjatë takimeve që kemi pas, përndryshe ankesa konkrete nuk kemi pranuar”, ka thënë ai për KosovaPress.
Sa u takon rasteve të dhunimeve seksuale, ku viktima janë vajzat e mitura, Qelaj konsideron se masat e ndërmarra deri tani nuk po japin rezultate.
Prandaj, për këtë çështje kërkon diskutim dhe veprime në nivel nacional.
“Ka dalë shumë shqetësuese gjendja në terren, veprimet dhe masat që po i ndërmarrin autoritet duket se janë të pamjaftueshme për të parandaluar këtë situatë dhe unë mendoj që kemi ardhur në një pikë dhe duhet me konsideruar si një temë të rëndësisë nacionale, të cilën duhet me diskutuar në nivel nacional. Është e papranueshme, është e patolerueshme para situatës së krijuar ku çdo ditë ka raste të dhunimit të fëmijëve autoritetet me mbet të heshtura në trajtim të kësaj dukurie për t’i identifikuar shkaqet për i identifikuar cilat janë nevojat dhe masat që duhet me i ndërmarrë për me i parandaluar që mos me ndodh rastet e tilla. Për mua si Avokati i Popullit, është shqetësim i jashtëzakonshëm, unë e kam ngrit këtë shqetësim sa herë, deri më tani nuk kam parë veprime konkrete për me adresua si me zgjedh këtë problem”, u shpreh Avokati i Popullit, transmeton albinfo.ch.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se mohimi i pensionit të dyfishtë për disa kategori është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe ligjin.
Ai madje e vlerëson urgjente ndërhyrjen e ekzekutivit për rregullimin e kësaj çështjeje.
“Është vendosur një praktikë shumë e keqe, e cila mund të jetë me pasoja dhe e dëmshme për sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë kur çështjet e ndërlikuara ose çështjet problematike që lidhen me të drejtat e njeriut lejohen me u rregulluar vetëm me procedura gjyqësore. Atë që nuk e bëjmë duke e rregulluar ligjin, vendosim me e rregulluar duke i pritur vendimet gjyqësore. Sepse kjo praktikë vendos situata delikate për qytetarët të cilët nuk kanë informacion dhe mund të heqin dorë nga njëri pension të privohen nga realizimi i të drejtës për shkak të mungesës së informacionit, mungesës së njohurive ku me drejtuar ankesën e padinë në këtë rast… Përkundër faktit që me ligj është e rregulluar por që gjykata me vendimet e saj është duke e konstatuare se kjo bazë ligjore është kundërkushtetuese dhe kundër të drejtave të njeriut, unë mendoj që autoritetet që merren me këtë çështje janë duke hyrë në terren të inkriminimit penal. Prandaj, konsideroj se është shumë e rëndësishme që Qeveria dhe ministria përkatëse që rregullon çështjen e pensioneve të kësaj natyre, me marrë masa urgjente dhe me rregullua këtë çështje”, tha ai.
Për Avokatin e Popullit mosmbështetja e Kodit Civil nga legjislatura aktuale është problematike.
Naim Qelaj thekson që ky Kod Civil do të jetë sfidues edhe për legjislaturën e ardhshme.
Sipas tij, mosvotimi i këtij kodi, i cili i mungon legjislacionit kosovar, dëmton avancimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit në vend.
“E konsideroj si shumë problematike dhe si një dëm që po i shkaktohet avancimit të të drejtave të qytetarëve, sundimit të ligjit, harmonizimit të legjislacionit. Kosova nuk ka Kod Civil është hera e parë që është provuar dhe që sa vite mbetet në draft, sillet rreth një teme, rreth një çështje, mendoj që duhet me tejkaluar, me gjetë vullnet politikë e konsensus, me e zgjidh sepse po flasim për një të drejtë dhe natyrisht kur flasim për një të drejtë, çdokush ka mundësi me qenë me qenë kundër, por askush nuk ka të drejtë me mohu….24’08 Jo vetëm kjo legjislaturë, por edhe çdo legjislaturë që vjen pas kësaj legjislature, ka me pas vështirësi dhe problem me zbatuar ose me miratuar këtë ndryshim në Kodin Civil. Besoj duhet me vendos një diskutim të hapur publik të vetë mekanizmave që janë kompetentë, me i diskutuar këto çështje dhe me pa se cila është forma më e mirë për ta zgjidhur si problem”, u shpreh Qelaj.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ndau edhe qëndrimin e tij lidhur me ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë nga ana e ekzekutivit, për çka tha se kjo është e papranueshme dhe ndikon në reformën në drejtësi.
“Këto janë pengesa që ndikojnë shumë në reformën në drejtësi, sepse krijon pasiguri dhe krijojnë edhe frikë brenda vetë institucioneve se deri ku do të shkojë kjo ndërhyrje. Unë i konsideroj të papranueshme ndërhyrjet e autoriteteve tjera publike në sektorët e ndarë, ose pushtetet e ndara që janë vlerë e demokracisë tonë dhe themele të sistemit tonë juridik dhe shtetëror. Natyrisht që jo vetëm niveli politik i presionit dhe i ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë, por edhe presioni publik mund të ndikoj keq, negativisht në vetë vendimmarrjen e gjyqësorit…. Niveli politik duhet me qenë shumë i kujdesshëm në prononcimet e tyre sepse krijon një situatë konfuze te qytetarët’, u shpreh ai.
Avokati i Popullit, Naim Qelaj, konsideron se gjatë vitit 2024 ka një rënie të lehtë të zbatimit të rekomandimeve të dala nga ky institucion. Derisa theksoi se qytetarët e Kosovës e kanë rritur besueshmërinë ndaj Avokatit të Popullit.
Kujtojmë që raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2022 nuk e mori ditën e gjelbër nga Kuvendi i Kosovës.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu Më 10 dhjetor 2024, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë...
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor