Lajme

Autostrada Prishtinë-Shkup kushton 500 milionë euro

Projekti për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup do të kushtojë rreth 500 milionë euro. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transportit të Kosovës, pas formimit të qeverisë së re, pritet shprehja e interesit për ndërtimin e kësaj autostrade.

Projekti është në duar të qeverisë së re për t’u realizuar, ndërsa partneriteti publiko-privat shihet si forma më e mirë e ndërtimit.

Eljesi Surdolli, drejtor i Rrugëve të Kosovës, ka thënë për gazetën Kosova Sot se është paraparë që autostrada të ndërtohet me tunele dhe me ura dhe për këtë ka koston e lartë. Autostrada, sipas projektit, do të ketë tre tunele.

Ndërkohë janë përuruar pesë ura të riparuara në segmentin Kaçanik-Han i Elezit të magjistrales Prishtinë-Shkup, ndërsa është thënë se për realizimin e këtij projekti Komisioni Evropian i ka investuar mbi shtatë milionë euro.

Shiritin përurues mbi njërën nga urat e riparuara, në vendin e quajtur Kashan, në Grykë të Kaçanikut, e kanë prerë Kjartan Bjornsson, shef i operacioneve në Zyrën Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Prishtinë dhe ministri në largim i Transporitit, Fatmir Limaj.