Literaturë

Autorë shqiptarë prezantohen në Javën e Integrimit në Vjenë

Dr. Kurt Gostentschnigg, albanolog, foli rreth veprave të përkthyera prej tij të autorëve Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Mërgim Osmani

Në një ambient të bukur të “Der Kunstraum”, në qendër të Vjenës, mes artit të pikturave të mrekullueshme bashkë me atë letrar dhe tingujt e harfës luajtur nga Veronica Klavzor u mbajt orë letrare artistike. Ajo u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri në kuadër të  Javës së Integrimit në Vjenë, ku autorët prezantuan veprat e përkthyera në gjermanisht dhe lexuan prej tyre.

I pranishëm ishte gjithashtu Roland Bimo, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Austri. Tani e disa kohë në aktivitet letrare aq me vlerë mungojnë përfaqësuesit e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri. Në emër të nikoqirit, përshëndeti Hubert Thurnhoffer, pronari i  galerisë “Der Kunstraum’’, ai e falënderoi organizatorin për bashkëpunimin dhe tha se galeria e tij e artit ka qëllim ndërtimin e urave kulturore mes kombeve. Programi i drejtua me shije në të dy gjuhët nga Kaltrina Durmishi.

Mbrëmjen e hapi Anton Marku, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri. Ai i përshëndeti të pranishmit dhe mes tjerash tha: “Qëllimi i Lidhjes sonë është që me aktivitet tona të sjellin më shumë vepra letrare të krijuesve nga diaspora të përkthyera për lexues, para se gjithash atij vendor.” Ai dha një historik të shkurtër rreth aktiviteteve të Lidhjes.

Kurt Gostentschnigg

Dr. Kurt Gostentschnigg, albanolog, foli rreth veprave të përkthyera prej tij të autorëve Hazir Mehmeti, Besim Xhelili dhe Mërgim Osmani. Rreth poezive të Besim Xhelilit mes tjerash shtoi: “Poezia e Besim Xhelilit mund të kuptohet sipas dy konteksteve: së pari sipas kontekstit të biografisë së autorit dhe shoqërisë dhe së dyti interpretimin e veprës sipas frymëzimit të dalë nga zemra. Tek poezia e Besimit kuptimi vjen nga muza e frymëzimit, gjegjësisht nga fuqia e shpirtit dhe zemrës“. Ai lexoi disa poezi në gjermanisht  nga libri “Sy të pafajshëm” (,,Unschuldige Augen’’) të përkthyer na ai, kurse në shqip nga ky libër lexoi Marsela Xhaferaj.

Prof. Peter Paul Wiplinger, shkrimtar i njohur austriak shkroi parafjalën e veprës “Kohëthyerja” (,,Zertrümmerung der Zeit’’) të autorit Hazir Mehmeti, nga e cila mes tjerash tha: “Është një art të shkruari në frymën e kohës dhe të letërsisë. E bazuar natyrisht në trashëgiminë e mënyrës së të rrëfyerit të traditës së letërsisë shqiptare, por arti i të shprehurit dhe kultura gjuhësore e Hazir Mehmetit janë shumë afër realitetit. Këtu rrëfen një autor, histori të thjeshta, në një gjuhë “të thjeshtë”, të qartë. Pikërisht për këtë, kjo mënyrë të rrëfyeri ka stil dhe kualitet. Prandaj libri është një urë letrare lidhëse ndërmjet dy botëve: botës së vjetrës dhe asaj të re si dhe të kulturave të tyre; por edhe ndërmjet së kaluarës dhe së sotmes; ndërmjet atdheut dhe mërgimit. Dhe para së gjithash një lidhje ndërmjet Autorit dhe lexuesit.” (përkthimi në shqip nga Shpresa Musaj). Elona Kamberi lexoi pjesë nga tregimi “E ftuara” në gjermanisht nga përmbledhja “Kohëthyerja” e autorit Hazir Mehmeti. Kjo vepër u botua nga P.E.N- Klubi Austriak i njohur, redaktor i librit është Dr. Helmut Niederle, kryetar i klubit.

Poetja e njohur polake e cila jeton në Austri, Marzanna Danek, lexoi disa poezi nga përmbledhja e saj e fundit në gjuhën gjermane. Përndryshe, Marzanna ka fituar disa çmime të larta në vendlindjen e saj dhe në Austri.

Ishte një mbrëmje e bukur arti e cila lidh shpirtërisht artdashësit nga kombe e gjuhë të ndryshme që jetojnë e krijojnë në Austri.

Peter Paul

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri ka bërë emër në afirmimin e krijuesve shqiptarë që jetojnë në Austri. Janë ndërtuar ura miqësie arti, e më shumë se aq, me klube e shoqata kulturore të shumta në Austri. Ka bërë miq të shumtë nga radhët e krijuesve vendor pa të cilët nuk do mund të kishte kaq shumë fryte puna e Lidhjes nën drejtimin e veprimtarëve drejtues të zellshëm.  Tani ka raporte të afërta bashkëpunimi me P.E.N –Klubin austriak rreth të cilit veprojnë mijëra krijues kombesh të ndryshme në Austri e më gjerë.  PEN- është edhe botues (për herë të parë) i disa veprave të autorëve shqiptarë në Austri.

Vet Java e Integrimit në Vjenë flet mbi afirmimin e krijimtarisë letrare shqiptare në hapësirat e pa njohura deri tani gjermanofolëse.

Shumë nga aktivitetet letrare u mbështetën nga donatorë artdashës dhe  konkursi letrar, vite më parë, nga Ministria e Diasporës. Ura me e fuqishme e njohjes dhe komunikimit me të tjerët është fjala e artit, kjo nuk na mungon, andaj kërkohet mbështetje akoma më e fuqishme e Lidhjes në botimin e veprave me vlera të mirëfillta.