Shkurt.ch

Austria tërheq 150 ushtarë nga veriu i Kosovës

150 ushtarët austriakë bënin pjesë së bashku me 550 kolegët e tyre gjermanë në një batalion përforcues të cilin e kishte kërkuar KFOR-i

150 ushtarë të bundesherit austriak do të braktisin sot Kosovën. Ata gjatë tetë muajve të kaluar ishin të stacionuar, në kuadrin e trupave të KFOR-it në veriun e Kosovës. Ushtarët austriakë do të zëvendësohen nga ushtarët italianë, ka njoftuar ministri i mbrojtjes Darabos.

Trupat i takonin forcave operative rezerve (ORF-Bataillon) dhe ishin vendosur në veriun e Kosovës verën e kaluar, kur gjendja e sigurisë në veriun e banuar nga serbët ishte përshkallëzuar. Pas ndërhyrjes së policisë kosovare, me ç`rast qe vrarë një polic kosovar, banorët serbë kishin nisur ngritjen e barrikadave në rrugët e atjeshme, njofton APA (Agjencia austriake e lajmeve).

150 ushtarët austriakë bënin pjesë së bashku me 550 kolegët e tyre gjermanë në një batalion përforcues të cilin e kishte kërkuar KFOR-i.

Në trazirat e reja në nëntor të vitit të kaluar në mes të serbëve të veriut të Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it kishin pësuar lëndime 11 ushtarë austriakë. Ndërsa në dhjetor, Ptrishtina dhe Beoigradi kishin arritur një marrëveshje për kontrollimin e përbashkët të vijës kufitare, nën mbikëqyrjen e Eulex-it, përfundon APA.