Bota

Austria po zgjeron kontrollin edhe në pika tjera kufitare

Krahas vendkalimit kufitar Spielfeld, i cili tashmë është siguruar me rrethojë telash, në fokus janë edhe 12 pika të tjera ku mendohet të vendosen po ashtu rrethoja si dhe kontrollime

Austria është duke u angazhuar në planifikimin e ushtrimit të kontrollit kufitar edhe në vendkalime tjera kufitare, pas atyre ku tashmë e ka vendosur kontrollin. Minstrja e brendshme e këtij vendi, Johanna Mikl-Leitner ka thënë se mund të merret me mend se refugjatët, pas mbylljes së rrugës së Ballkanit, do të provonin të gjejnë rrugë alternative.

Prandaj, do të ishte një vlerësim i gabuar që të mendohej se migracionit masiv përmes Evropës i është dhënë fund në mënyrë të qëndrueshme, ka thënë ministrja në një intervistë dhënë gazetës gjermane “Welt am Sonntag”.

Për këtë arsye Austria po përgatitet për të siguruar kufijt e saj edhe në vendkalime të tjera. Krahas vendkalimit kufitar Spielfeld, i cili tashmë është siguruar me rrethojë telash, në fokus janë edhe 12 pika të tjera ku mendohet të vendosen po ashtu rrethoja si dhe kontrollime përmes ushtarëve dhe policëve.