Lajme
Austria, një vend përrallor edhe për pushime verore
Se cilat janë disa nga vendet më të preferuara në Austri për të kaluar pushimet verore dhe çfarë ato ofrojnë, albinfo.at ua prezanton në vijim
Çdo fushë e jetës po ballafaqohet për momentin me dilema të reja, kështu edhe turizmi. Secili i bën pyetjen vetes se ku mund t`i kalojë pushimet në verën e pandemisë së Covid-19. Sipas ministres austriake të turizmit, Elisabeth Köstinger, e cila e thekson këtë në një nga konferencat për shtyp rreth pandemisë, zgjidhja më e mirë do të ishte për t`i kaluar pushimet këtë verë në Austri. Një nga arsyet kryesore janë lëvizjet e kufizuara të cilat do të vazhdojnë për kohë të gjatë, rregullat që ekzistojnë apo mund të vijnë në mënyrë të paparashikueshme në shtete, si edhe rreziku i lartë për tu infektuar. Për sa i përket Austrisë, ajo po bën hapa të mëdhenj në drejtimin e lirimit të masave për përshtatje me pushimet verore. Gjithsesi, do të punohet deri aty saqë pushimet e verës brenda vendit të mundësohen për këdo në mënyrë sa më të lirshme. Frika e mundshme e një vale te dytë infeksioni ndikon gjithashtu që njerëzit të stepen për t`i kaluar pushimet verore jashtë vendit ku ata jetojnë.
Austria ofron shumë më tepër nga ç´ kemi menduar, ajo numëron çdo vit rreth 26 milionë turistë. Ndërkohë që çdo turist e lidh atë menjëherë me pushimet dimërore, me dëborën, skitë dhe festat nëpër pistat gjigande të tyre, që ndriçojnë nën rrezatimin e radiatorëve artificialë, si dhe me shijimin e një ponçi te ngrohtë, Austria është në gjendje të tregojë një pamje komplet tjetër të mrekullueshme si një vend përrallor edhe për pushimet verore.
Kush është rritur pranë detit, sigurisht mendon se ai është i pazëvendësueshëm, por edhe liqenet janë një alternativë e shkëlqyer për të kaluar pushimet afër ujit. Austria është përplot me liqene dhe spikatet për bukurinë dhe qetësinë e tyre me karakter oazash. Një statistikë e re paraprake nga „statista.com“ për vitin 2020 tregon se rreth 71% e austriakëve kanë shprehur dëshirën t`i kalojnë pushimet këtë verë brenda vendit. Ndërkohë, preferencat sipas landeve federale (republikave) radhitën si më poshtë: Kärnten me 44 %, Steiermark me 14 %, Salzburg me 13%, Tirol me 9 % dhe Burgenland me 8 %, të dhëna këto të cilat bazohen në profilet dhe shpeshtësinë e kërkimeve në Google.
Se cilat janë disa nga vendet më të preferuara në Austri për të kaluar pushimet verore dhe çfarë ato ofrojnë, do të mundohemi t´ua prezantojmë në vijim.
Salzkammergut, të shijosh natyrën me çdo frymëmarrje
Salzkammergut është një nga destinacionet më të njohura dhe njëkohësisht më të denja për të kaluar pushime përrallore në çdo aspekt.
Bundeslandi i dhjetë austriak Salzburgu, është shtëpia e flladit të ëmbël veror, e shiut të shkurtër me rrebesh, gjë që favorizon përbërjen e lartë të kripës nga e cila i vjen edhe emri, për luginat dhe pyjet e gjelbra, si dhe për liqenet e kaltër e të thellë që ngjasojnë me ujin e „Syrit të Kaltër“. Salzkammergut është një rajon në pjesën veriore të Alpeve i cili përbëhet nga 58 komuna dhe cilësohet si një nga pjesët më të bukura te Austrisë. Natyra piktoreske vlerësohej nga vetë perandori Franz Josef I. dhe gruaja e tij e mahnitshme Sissi, të cilët kalonin shpesh verën në vilën e tyre mbretërore.
Salzkammergut cilësohet gjithashtu si muza e shumë piktorëve të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe njëzetë, sepse pasqyron një konglomerat të përbërë nga akullnaja, lugina, ujëvara, liqene malore, kështjella impozante dhe pamje romantike. Edhe vetë piktori Gustav Klimt ka gjetur elemente të muzës së tij në këtë vend në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, piktoresk.
Salzkammergut prezanton me krenari edhe fshatin e kurorëzuar si më të famshmin në botë Hallstatt, i cili ndodhet 75 km larg Salzburgut. Hallstatti ka çdo vit rreth 1 milion turistë dhe është aq i bukur sa që thuhet për të: “Hallstatt – Origjinali. Me miliona herë fotografuar – një herë i kopjuar – asnjëherë i arritur.”. Kjo i referohet faktit kurioz, që nga viti 2012 ekziston një fshat i kopjuar identik ne Kinë, i cili preferohet atje sidomos për ceremonitë martesore si një kolisë fantastike. Hallstatti njihet sidomos për numrin e lartë të turistëve në verë, gjë që këtë vit do të jetë ndryshe për shkak të uljes së udhëtimeve ndërkombëtarë. Hallstatti është një panoramë si për syrin ashtu dhe për shpirtin.
Nëse keni vendosur ose do të vendosni t`i kaloni pushimet në Salzkammergut, ju presin ndër të tjera edhe këto vende: Attersee-Attergau, Ausseerland Salzkammergut, Bad Ischl, Dachstein Salzkammergut, Fuschlseeregion, Mondsee-Irrsee, Traunsee-Almtal, Wolfgangsee e shumë më shumë.
Neusiedler See, deti i vjenezëve
Një tjetër destinacion të cilin s´duhet ta humbisni në asnjë mënyrë, është Neusiedler See. Neusiedler See është liqeni më i madh i Austrisë dhe ndodhet në Burgenland, ai përfshihet në listën e pasurive natyrore botërore të UNESCO-s. Në fakt, Neusiedler See shtrihet në territor mes Austrisë dhe Hungarisë, gjë që favorizon klimën e tij të butë ku dielli ndriçon në shumicën e vitit. Ky liqen, për këtë shkak ka klime të rrallë, një faunë dhe florë shumë specifike dhe të veçantë, sidomos për sa u përket peshqve dhe zogjve. Rreth liqenit gjenden pjesë ranore, të cilat japin ndjesinë e Detit Adriatik dhe kanë karakter plazhi të Evropës jugore.
Burgendlandi ofron si rrallë një land tjetër shumë larushi për të kaluar pushimet, duke u nisur që nga sporti ujor, shëtitjet në këmbë apo me biçikletë, sërf, shëtitje me kalë etj., gjë që e bën një vend fantastik sidomos për pushime me familjen.
Wörtersee dhe Bodensee
Wörtersee ndodhet në Kärnten në pjesën jugore te bundeslandit si dhe afër kufijve me Slloveninë dhe Italinë. Ka klimë gjithashtu shumë të butë, pasi është i mbrojtur nga Alpet Veriore, temperaturat e verës shkojnë deri në 35°, ndërsa temperatura e ujit të kthjellët rreth 27° në sezonin veror. Wörtersee përfshihet në të ashtuquajturën „Alpen-Adria-Erlebnistour“, pra cilësohet si një nga vendet që nuk duhen lënë pa vizituar.
Së fundmi, nuk do të mbetet pa u përmendur liqeni i njohur i Bodensee, i cili ndodhet në Steiermark dhe spikatet për plazhet e tij të bukura dhe gjiret e virgjëra. Peizazhet mahnitëse në sfondin e liqenit të Bodensee ju ftojnë të bëni shëtitje të gjata, të thithni ajrin e pastër, të pakrahasueshëm të Alpeve apo ndoshta të shijoni një drekë të shijshme si në restorantin që ndodhet në shtëpinë „Das Rote Haus“ e vitit 1639, e restauruar herën e fundit në 2007.
5 top destinacione te tjera në Austri
Përveç liqeneve, pushimet në Austri mund të kalohen edhe në rajone të njohura për sa i përket kulturës, arkitekturës, historisë dhe gatimit tradicional, si gjithmonë të ndërthurura me natyrën e papërsëritshme.
Vjena
Vjena, një destinacion i pashmangshëm për ata që nuk jetojnë aty. Kryeqyteti austriak është një nga qytetet më të bukura dhe ofron një përjetim kulturor bombastik. Këtu ju presin ndërtesat dhe pallatet më impozante të të gjithë vendit, duke u nisur që nga katedralja madhështore e Shën Stefanit, Rrota e Praterit, Pallati Mbretëror i Schönbrunnit si dhe shumë të tjera. Për të mos lënë pas dore traditën vieneze të kafeneve, duhet të shijoni gjithsesi një „Melange“ të shoqëruar me një copë tortë „Sacher“. Një vizitë në teatrin vjenez, i cili është i dyti në Evropë për vjetërsi, do të kompletonte udhëtimin tuaj në kryeqytetin botëror të kulturës. Përkrah vizitës në Pallatin Mbretëror veror Schönbrunn, mund të vizitojnë edhe të vegjlit kopshtin zoologjik më të vjetër në botë, i cili është i pagëzuar me të njëjtin emër dhe strehon rreth 700 lloje të ndryshme kafshësh.
Salzburgu qyteti i Mozartit dhe i çokollatave përfaqëson një qendër të mirëfilltë për pushime të kompletuara. Këtu mbahen çdo vit “Salzburger Festspiele” një përjetim i veçantë për çdo dashamirës arti, gjë e cila mund të lidhet me një pushim të shkurtër, sikur edhe vetëm në fundjavë. Pallati Mirabell, Hellbrunn me lojërat e tij të njohura ujore apo kështjella Hohensalzburg do ta bëjnë vizitën tuaj të paharrueshme.
Në Salzburger Land nuk duhet harruar kurrsesi Ujëvara e Krimmler e cila rrjedh nga një lartësi prej 400 metrash dhe ofron një spektakël natyror për syrin e gjithkujt. Rrjedha e ujëvarës mund të ndiqet në këmbë edhe me fëmijë, përderisa ofrohen sheshpushime të shumta. Mjegulla e krijuar mbi këtë ujëvarë njihet për vetitë e saj shëruese, sidomos për asmën dhe probleme me aparatin e frymëmarrjes.
Krems an der Donau shtrihet 70 kilometra në perëndim të Vjenës mes Wachaut dhe Waldviertelit. Kremsi shquhet për bukurinë e tij si qytet, sidomos për pjesën antike historike “qytetin e vjetër” (Altstadt). Ndërthurja e bukurisë arkitekturalë me bukurinë natyrore të Danubit ofrojnë një udhëtim në të kaluarën si rrallë një vend tjetër. Kremsi mbrohet gjithashtu nga UNESCO. Nga ndërtesat antike më të njohura radhitën Steinertor, e vetmja portë qyteti që është ruajtur, Bashkia e ndërtuar në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, kështjella Gozzoburg e shekullit të trembëdhjete si dhe manastiri dominikan.
E ashtuquajtura AREA 47 gjendet në Alpet Ötztaler dhe është një nga parqet ujore më të mëdha në Austri. E veçanta këtu është, sepse AREA 47 spikat me sportin e realizuar jashtë (Outdoor) dhe me faktor të lartë zbavitje. Destinacion ideal për njerëz tejet aktivë dhe dashamirës sporti, ku mund të provojnë Highlights në Wakeboarding, rrëshqitëse gjigande ujore, E-Motor-Cross, Mountainbike, Rafting dhe Canyoning, gjithsej mbi 40 lloje të ndryshme sporti. Fëmijët këtu lejohen mbi moshën gjashtë vjeç.
Kampingu një mundësi për të kaluar pushime autentike
Zonat e kampingut në Austri kanë standarde te larta dhe ofrojnë një mundësi ideale për të kaluar ditë të këndshme me familjen pranë natyrës.
“Camping Bella Austria” është për tu sugjeruar si një vend shumë i frekuentuar, por njëkohësisht edhe si një vend kampingu i cili ofron aktivitete për çdo grupmoshë. Aty do të gjeni ndër të tjera edhe grupe animatorësh për fëmijë, një pishinë si dhe SPA, një bar-restorant, biçikleta për huazim etj.
Gjithashtu mund të zgjidhen për kamping këto vende: Camping Breitenbrunn am Neusiedlersee, Strandcamping Podersdorf am See, Komfort-Campingpark Burgstaller si dhe shumë të tjera.
Për të dashuruarit me qetësinë dhe relaksin, Austria ofron një sërë ujërash termale, resorte për SPA si dhe vende për kurim. Disa prej tyre në vijim si psh. Aqua Dome Tirol Therme Längenfeld, Alpentherme Gastein, Rogner Bad Blumau, Eurothermen Resort Bad Schallerbach etj.
Ndoshta ka edhe shumë destinacione të tjera të cilat mund t`i kishim përmendur, por gjithsesi çdo përmbledhje mbetet në një farë mënyre subjektive. Fakt është që Austria mbetet një vend mëse i denjë për të kaluar pushimet verore, pavarësisht çfarë preferencash keni, ajo ju plotëson çdo dëshirë. Gjithashtu edhe kualiteti është një faktor që takohet në çdo drejtim, duke nisur që nga administrimi deri tek shërbimet e vogla.
P.S: Artikulli fillimisht është botuar në numrin më të ri të revistës albinfo.at
Photo: pixabay.com
E-Diaspora
-
Humor shqiptar në ekranin zviceran, Vedat Bajrami protagonist në “Te Berberi – rritet prap” Për të zbuluar më shumë rreth këtij projekti emocionues, Albinfo.ch sjell një intervistë me aktorin e...
-
Mbi 58 mijë votues të regjistruar jashtë Kosovës
-
Normat negative të interesit – çka nëse?
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
Jeta në Zvicër
-
Si do të përfitojë Zvicra nga pakti i ri me Bashkimin Evropian? Pas nëntë muaj negociatash intensive - dhe disa pika të vështira gjatë rrugës - marrëveshja e...
-
Disa qiramarrës zviceranë mund të presin qira më të ulëta në vitin 2025
-
Rritje e ndjeshme e aksidenteve në ski te të moshuarit
-
Badhütte, kasollja shekullore në Rorschach, shkatërrohet plotësisht nga zjarri
-
Qeveria paralajmëron për kushte të këqija të rrugëve, rrezik nga ortekët në Alpet zvicerane