E-Diaspora

Austria jep vetëm “azil me kohë të caktuar”

Sipas këtij modeli, pas tri vitesh, azili dhe e drejta e qëndrimit të atij që e ka fituar, pushojnë së ekzistuari në mënyrë automatike

Si reaksion ndaj fluksit të madh të refugjatëve që ka mësyrë Austrinë, ky vend i BE-së ka vendosur të ashpërsojë ligjin mbi azilin. Duke filluar nga 15 nëntori i këtij viti, Austria do të njohë vetëm “azilin me kohë të caktuar”.

Sipas këtij modeli, pas tri vitesh, azili dhe e drejta e qëndrimit të atij që e ka fituar, pushojnë së ekzistuari në mënyrë automatike. Pas këtij afati trevjeçar, do të rishikohet nëse ekzistojnë edhe më tutje arsyet për azil të personave konkretë.

Sipas informatave që i ka bërë publike të hënën Ministria e Punëve të Brendshme , koalicioni i madh në pushtet ka arritur ujdi për një rregullim të tillë të çështjes së azilit. Me këtë ashpërsim, Austria po i afrohet dispozitave të azilit në Gjermani, shkruan tagesanzeiger.ch.

Deri më tash, personave që e fitonin azilin, në Austri kjo e drejtë parimisht u njihej për kohë të pakufizuar. Nëse ndërkohë konstatohej se në vendet e tyre të prejardhjes nuk kishte më përndjekje, atyre, në mënyrë teorike mund të ndodhte t`u merrej azili i fituar, transmeton albinfo.ch. Por në praktikë kjo gjë nuk është shikuar në mënyrë sistematike.

“Ne duam t`u ofrojmë mbrojtje atyre njerëzve që kanë nevojë për mbrojtje”, ka thënë ministrja e brendshme, Johanna Mikl-Leitner. “Sepse, kjo që po ndodh tash shpeshherë nuk është më kërkim azili por kërkim për t`u vendosur në vende sa më atraktive nga ana ekonomike. Për këtë arsye azili duhet të jepet i kufizuar në kohë”, ka shtuar ministrja.

Edhe në Gjermani personat të cilëve u njihet azili, fillimisht e fitojnë nje leje trivjeçare qëndrimi. Vetëm në rast se pas kalimit të këtij afati nuk u kontestohet kjo leje, atyre u jepet e drejta e qëndrimit të pakufizuar.

Austria si vend tranziti dhe destinacioni për azil, është goditur nga kriza e azilit ngjashëm si Gjermania. Qeveria në Vjenë pret që deri në fund të vitit 2015 numri i azilkërkuesve në këtë vend të arrijë në rreth 85 mijë sish. Kur të kihet parasysh se në vitin 2014 ishin vetëm 28.000, numri i përmendur me lart është mjaft i madh për shtetin që ka rreth 8.4 milionë banorë.