Lajme

Australi: Numër i madh infeksionesh me variantin Omicron

Australia njoftoi të enjten një rritje të madhe të infeksioneve me koronavirus të nxitura nga varianti i ri Omicron.

Shteti i goditur më rëndë, New South Wales, rivendosi në fuqi urdhrin për mbajtjen me detyrim të maskave në ambiente të mbyllura.

New South Wales regjistroi rreth 6 mijë infeksione të reja, përfshirë një vdekje, shifër kjo më e lartë se rreth 4 mijë të tilla të regjistruara një ditë më parë.

Numri i infeksioneve të reja në këtë shtet është pothuajse i njëjtë me numrin e infeksioneve të regjistruara në gjithë vendin.

Autoritetet thanë se treguesit më problematikë nuk janë rastet e reja me Covid-19, por shifrat e të shtruarve në njësisë e kujdesit intensiv që mbingarkojnë spitalet.

Kthimi i kufizimeve të lidhura me COVID-in vetëm dy ditë para Krishtlindjeve ngadalëson planet e vendit për një rihapje të përhershme pas gati dy vjetësh kufizime, që vendosen e hiqen, herë pas here, pavarësisht normave të larta të vaksinimit prej më shumë se 90%.