Lajme

Australia e çon në gjykatë Facebook-un për vjedhje të të dhënave

Australia e ka paditur të hënën gjigantin Facebook për shkeljen e privatësisë të 300 mijë australianëve gjatë skandalit të “Cambridge Analytica”.

Komisioni për informacione në Australi ka akuzuar rrjetin social për ndërhyrjen në privatësi pasi që mblodhi të dhëna të përdoruesve, të cilat i shfrytëzoi në një aplikacion për të caktuar profile politike.

Përmes aplikacionit u vodhën të dhënat personale dhe mijëra biseda të përdoruesve. Të dhënat pritej të përdoreshin për krijimin e një programi që do të parashikonte dhe do të ndikonte te votuesit.

Facebooku kishte zbuluar se informacionet janë vjedhur nga një palë e tretë në fund të vitit 2015, por kishte dështuar të njoftonte me kohë përdoruesit, përcjell Albinfo.ch.