Made in Kosova

Ata sjellin verërat nga Shqipëria dhe nga Kosova në tryezat zvicerane

Cabernet Reserve,  Merlot Reserve, Syrah Reserve, Vranac Extra, Pinot Noir, Chardonnay Reserve, Riesling Italian, Rose Antigona,  janë emra verërash që nuk janë prodhuar as në Francë e as në Itali por vijnë nga bodrumi i Rahovecit në Kosovë, shkruan albinfo.ch.

Vera kosovare apo siç e ka quajtur importuesi në Zvicër “Kosova Wine” , është vera  që ekskluzivisht rrjedhë nga varietetet e hardhive të klasifikuara për prodhim të verës.

Kush e solli në Zvicër dhe si është pranuar në këtë vend alpin, flet ekluzivisht për albinfo.ch, importuesi me firmën “KOSOVA WINE SWITERLAND”,  Kujtim Krasniqi nga Rahoveci. Ai thotë se dëshiron “t`ua sjellë një copë vendlindje” bashkëkombësve të tij në Zvicër.

Vera kosovare për herë të parë është prezantuar në pritjen tradicionale të organizuar nga Ambasada e Kosovës në Bernë me rastin e ditës së pavarësisë të shtetit të Kosovës, 17 Shkurtit.

Duke mbushur gotat për mysafirët zviceranë, Kujtimi po ndjehet krenar, me nje përvjetor të rëndësishëm të vendit rastis edhe fillimi i një sfide për të sjell verërat kosovare në Zvicër.

Për 33 vjeçarin, njohës i mirë i djathit zviceran, tashmë po bëhet realitet ëndrra që të sjellë diçka nga vendi ku ishte rritur dhe shkolluar deri në klasën e tetë, se kështu deshti i ati që të mos i harrojnë rrënjët prej nga vijnë. E për këto rrënjë po krenohet Kujtimi duke degustuar në Bernë verën e tij nga Rahoveci.

Sfidon ata që thonë se me “Kosova Wine” `do të frikësohen zviceranët`

Me emrin “Kosova Wine” do t’i frikësoni zviceranët i tha një zviceran tjetër, i cili mori përgjigje të shpejt nga Kujtimi: “Jo unë krenohem me vendin tim dhe me vreshtat e mia ku u rritën babë e babëgjysh, verës time i vjen era Kosovë”.

Me verëra dhe vreshta ishte rritur Kujtimi. Për të edhe më domethënëse ishte se vera vinte nga vreshtat e familjes së tij. Kjo ishte ëndrra e Kujtimit, nga e cila nuk hoqi dorë asnjëherë.

“Verë e mirë është ajo verë që kur e pi një gllënjkë, aroma dhe shija e saj qëndron gjatë. Këtë cilësi e ka vera ime nga Kosova”, thotë Kujtim Krasniqi.

Më 2017, verërave të shumta në Zvicër, i shtohet edhe një produkt i ri, më i rëndësishmi për nga vlera për Kujtim Krasniqin. Është kjo vera „Kosova Wine“ e prodhuar në vreshtat e fshatit të tij në Drenoc (Zatriq) të Rahovecit, po edhe të shumë vreshtarëve tjerë, të cilët e mundësuan të jetë në tryezat e shqiptarëve në Zvicër “Kosova Wine SH.P.K” me pronarët 72 vjeçarin Selami Shehu dhe biznesmenin e suksesshëm në Amerikë Fatmir Shehu.

Qypi dhe guri me mbishkrim, dëshmi e traditës së lashtë të verëtarisë në Rahovec

Me këtë rast vlen të ceket se Qypi dhe Guri me mbishkrime të lashta Ilire, të cilët datojnë qysh para 2000 viteve, janë gjetur në vendin ku është i ndërtuar tani objekti, e cila gjë është dëshmi se në këtë vend është kultivuar vera qysh në kohët e lashta.

Klima e mesme kontinentale e gërshetuar me rrymë mesdhetare e bën këtë zonë vreshtare shumë specifike dhe e karakterizon si të veçantë për prodhimin e rrushit dhe verërave të cilësisë shumë të lartë, gjegjësisht atyre kulminante.

Vreshtat e këtij regjioni shtrihen në lartësi mbidetare 350-600 metra. Kapaciteti prodhues i kompanisë Kosova WINE është 1.5 milion litra verë, me rreth 12 lloje të verërave, duke pasur në shënjestër rritje të mëtejshme në vitet e ardhshme.

Rahoveci vazhdon ta ruajë traditën dhe të prodhojë verëra me gjenezë gjeografike me cilësi të lartë ndërsa Kujtimi me KOSOVA WINE SWITERLAND do të vazhdojë me degustimin e verërave të Kosovës për t’i bindur zviceranët për varietetet e shijes së verës që janë pothuaj të pafundme.

Adem Memedi

«Vera është poezi në gotë»

Memedi është një i ri 28 vjeçar entuziast dhe atdhetar. Vullneti i tij i madh dhe shija e mrekullueshme e veres Cobo e motivojnë të riun për të prezantuar këtë verë në tregun zviceran. Për verën më së miri rrëfehet vetë Ademi:  “Vera është poezi në gotë” duke shtuar se ka filluar me këtë projekt që nga nëntori i vitit 2015.

“Ideja filloi nga vizita që i bëri babai im Familjes Cabo me të cilin kemi një miqësi të mirë. Kjo familje ka traditë të shenjtë dhe përvoje të lashtë në kultivimin e verës së mrekullueshme”, thotë ai për albinfo.ch.

Familja Cobo është një emër shumë i besueshëm në Shqipëri. Ata kanë prodhuar verën që nga shekulli i kaluar. Një anëtar i kësaj familjeje, Muharrem Cobo, si ish-refugjat në Itali, ka mbledhur edhe përvoja të mira në prodhimtarinë e verës atje. Idetë e tilla nga kulturat e tjera ai i ka integruar edhe në prodhimtarinë e kulturës shqiptare të verës në Berat të Shqipërisë ku dhe prodhohet kjo verë.

Adem Memedi nuk është vetëm përfaqësues i verës, ai është po ashtu edhe një njohës i shijes dhe përpunimit të saj. Ai shpjegon për verëdashësit, karakteristikat dalluese të verës së bardhë dhe asaj të kuqe.

albinfo.ch

“Vera e bardhë apo `Pulsi i Bardhë` bëhet nga rrushi që rritet vetëm në Berat. Kjo verë e cila krijohet nga tradita e vjetër në këtë cep të vendit, posedon vlera të larta shijuese. Rezultati i saj është një delikatesë e kashtës së verdhë me refleksion të gjelbër”.

Ndërsa edhe Vera e kuqe, apo “Sheshi i Zi” (nga Fusha e zezë) është një verë vendase që vjen nga Fshati Shesh. Kjo verë ka një ngjyrë rubini dhe një masë më të lartë alkoolike .

Ademi është prezantues i mirë i verës, ndërsa Familja Cobo është e përqendruar në prodhimin dhe shpërndarjen e saj nëpër Shqipëri. Arsyeja tjetër është se familja Cobo nuk e njeh gjuhën gjermane. Prandaj Ademi e kryen këtë mision me dinjitet.

“Janë afërsisht njëqind vreshtarë të angazhuar në këtë prodhimtari dhe prezenca e verarisë së familjes Cobo është mesatarisht e lartë në treg. Ata prodhojnë 100,000 shishe verë në vit”,  thotë Ademi.

“Këtu kam sjellë 3`000 shishe, sepse edhe çmimet e transportit kanë qenë më të ulëta. Bartja bëhet nga Shqipëria, në Itali e në Zvicër”, thekson Memedi.

/albinfo.ch/