Kosova
Asociacioni: Presioni dhe kushtet për themelimin e tij
Me refuzimin kategorik dhe vendosjen e kushteve pas rezistimit të gjatë ndaj presionit shumë të madh, forcohet pozita në negociatat që do të zhvillohen për pikën a asociacionit
Kohët e fundit është rritur dukshëm presioni mbi qeverinë për ta themeluar Asociacionin. Ky është rezultat i negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes nga qeveritë e kaluara. Kushtet e vendosura janë shumë të rëndësishme dhe përbëjnë një hap përpara.
Është shumë shqetësuese se si ato “eksperte” e ata “ekspertë” të dialogut të qeverive të kaluara, e ndër ta edhe ish-kryenegociatorja, dalin sot në media dhe japin vlerësime dhe këshilla për dialogun. Sipas zv. kryeministrit Bislimi, gjatë negociatave ish-kryenegociatorja pranon një dokument ku shkruan se çdo pasuri në Kosovë është pronë e Serbisë! Paramendoni, kështu është dialoguar në kohën kur, sipas opozitës, paska qenë gjithçka më mirë në kohën e tyre me plot “eksperte” dhe “ekspertë”.
Pastaj po këta përmendin shpesh që Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar se 23 pika të marrëveshjes mbi parimet për themelimin e asociacionit nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Kjo është mjerim për negociatorët dhe qeveritë e atëhershme. Shqetësuese duhet të jetë se si mundet një qeveri me plot juristë – të cilët paguhen nga qeveria me të hollat e taksapguesve – të negociojnë një marrëveshje që 23 pikat e saj e shkelin Kushtetutën!? Edhe kjo tregon se as që kanë ditur se për çka po bisedojnë në fakt, fare nuk skuqen kur e përmendin vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Për t’u habitur janë edhe deklaratat nga partnerët ndërkombëtarë që asociacioni do të bëhet me ose pa qeverinë. Fundja po flasim për një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike në një vend demokratik. Nuk mund të anashkalohet as nga ndërkombëtaret e as nga opozita.
Kjo e fundit po fshihet pas bashkësisë ndërkombëtare, duke shpresuar të “rrëshqasë” disi në pushtet, sikur herën e kaluar kur u rrëzua qeveria në vitin 2020 në mes të pandemisë, sepse kjo është e vetmja mënyrë që mund të vijnë në pushtet për momentin. Të dalin e të maten para popullit nuk e kanë guximin, pasi e dinë që i humbin zgjedhjet. Edhe bashkësia ndërkombëtare e di që nëse rrëzohet kjo qeveri dhe shkohet në zgjedhje, atëherë qeveria aktuale do t’i fitonte zgjedhjet dhe njëkohësisht do të ishte edhe një lloj referendumi për asociacionin, pasi që nëse do të zgjidhej kjo qeveri përsëri, atëherë do të kishte edhe më shumë arsye për ta refuzuar asociacionin në formën e kërkuar aktualisht.
Pastaj deklaratat që asociacioni do të bëhet me ose pa qeverinë duhej të ishin ofenduese edhe për vetë opozitën. Kjo do të thotë që nëse ju, pra qeveria nuk e bëni, atëherë e bëjmë ne me këta që i nënshkruajnë të gjitha që ua kerkojmë dhe bile pa menduar dy herë.
Edhe pse opozita i vlerëson si të parëndësishme kushtet e vendosura nga qeveria për themelimin e asociacionit, këto janë patjetër shumë të rëndësishme. Me shumicën e këtyre kushteve sipas të gjitha gjasave do të mbetej maksimum vetëm emri asociacion dhe nuk do të ishte as afër asaj çfarë kërkon Serbia për ta menaxhuar destabilitetin në Kosovë.
Gjithsesi raportet duhet të jenë shumë të mira me aleatët tanë kryesorë, falë tyre sot e kemi edhe shtetin tonë. Natyrisht që këto marrëdhënie janë ekzistenciale për ne. Por, nuk duhet të jetë problematike të ketë mospajtime në disa gjëra. Sidomos në disa gjëra që janë elementare për funksionimin e shtetit.
Fundja ndërmjet miqve nuk është problem të thuhet jo për ndonjë çështje. Opozita e cila ishte në shumë raste e shantazhueshme, nuk kishte guximin të kundërshtonte thuaj se asnjëherë (me përjashtim të vendosjes së taksës kundër Serbisë). Për ata më me rëndësi ishte të dilnin në foto e t’i shpërndanin nëpër rrjete sociale, se të diskutohej seriozisht për tema të rëndësishme të vendit. Akoma bëhet garë se kush me kënd doli në foto. Ata shkonin në Washington dhe nënshkruanin marrëveshje, të cilat më shumë bëheshin për shou se për të arritur me të vërtetë diçka. Bile hiqej dorë edhe nga shteti, kur pranonin që mos të lobonin për njohje të reja. Si është e mundur që një shtet sovran të mos lobojë për ekzistencën e vetë? E po sot, këta “ekspertë” tentojnë të këshillojnë qeverinë se si duhet të zhvillohen bisedimet.
Mendoj që edhe refuzimi i fortë i deritanishëm dhe momenti i vendosjes së kushteve për ta themeluar një lloj asociaocioni janë të domosdoshme. Me refuzimin kategorik dhe vendosjen e kushteve pas rezistimit të gjatë ndaj presionit shumë të madh, forcohet pozita në negociatat që do të zhvillohen për pikën a asociacionit. Kështu mund të bëhet e qartë për të gjithë, që këto kushte janë të menduara mirë dhe do të mbrohen me vendosmëri (sidomos 4 kryesoret nga to). Te kushtet e vendosura, qeveria duhet të jetë këmbëngulëse dhe themelimi i ndonjë lloji të asociacionit pa njohjen e Kosovës si shtet sovran nuk duhet të ndodhë. Rreziku është real që pas një kohe do të kërkohet që prapë të bëhet ndonjë kompromis dhe t’i jepet diçka Serbisë për ta marrë edhe njohjen përfundimtare. E nuk do të më befasonte kërkesa e mëvonshme për t’i dhënë kompetenca ekzekutive ndonjë lloj asociacioni në shkëmbim të njohjes, çka do të ishte fatale për funksionimin e shtetit.
- Autori është kryetar i Kuvendit të Shqiptarëve në Zvicër dhe punon si jurist në një avokaturë. Artikulli është opinion i autorit dhe nuk pasqyron patjetër qëndrimin e redaksisë
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve