Kosova

ASK paralajmëron gjoba për ata që nuk u regjistruan

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka deklaruar se numri i serbëve të regjistruar në procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili ka përfunduar në muajin maj të këtij viti, është rreth 36 mijë, por një pjesë e këtij komuniteti e ka bojkotuar procesin.

Kastrati paralajmëron gjoba për të gjithë ata që kanë refuzuar të jenë pjesë e procesit të regjistrimit, ndërkaq duke folur për komunitetin serb, thotë se ata që nuk u regjistruan, patën trysni.

“Numri i serbëve që kemi arritur t’i regjistrojmë është rreth 35-36 mijë përafërsisht, të dhëna që nuk i kemi publikuar ende. Po flasim për numrin e serbëve në jug, por edhe një pjesë është regjistruar në veri në këtë numër. Një pjesë e komunitetit serb në veri, pjesa dërmuese, nuk mori pjesë përkundër tentativës tonë, tri herë kemi përzgjedhur regjistrues, zgjedh një ekip, dil në terren. Kanë pasur trysni, ata nuk morën pjesë, një pjesë e tyre. Edhe statistikat do të bëjnë një vlerësim sipas kritereve, standardeve ndërkombëtare, dhe të dhënat finale që do të dalin në dhjetor, do të jetë e përfshirë edhe ajo pjesë me indikatorë të tjerë”, ka thënë Kastrati.

Kastrati ka bërë të ditur edhe përqindjen e popullsisë që ka mbetur pa u regjistruar sipas të dhënave preliminare.

“Të dhënat preliminare ne që kemi marrë, janë rreth 0.02 për qind e popullsisë që ka mbetur pa u regjistruar. Ne vlerësojmë se janë regjistruar 99.8 për qind. Kjo është një e mirë, sepse shumë pak shtete arrijnë në botë ta kalojnë 98 për qind. Nëse në fund kur e bëjmë raportin e kualitetit dhe gjithëpërfshirjes, vërtetohet që Kosova arrin të regjistrojë mbi 99.8 për qind, si supozojmë ne, do të jetë ndër vendet top me gjithëpërfshirje. Ata që kanë mbetur pa u regjistruar, do të shikojmë të zbatojmë ligjin dhe besojmë se vetëm ata që kanë refuzuar do të kenë dënime sipas ligjit, por ata që nuk kanë pasur mundësi për arsye të ndryshme, nuk kanë qenë mirë me shëndet apo diçka tjetër, nuk do të merren masa”, tha Kastrati.

Kosova ka 1.586.659 banorë rezidentë, sipas të dhënave preliminare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së thotë se të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë planifikohet të publikohen kah fundi i këtij viti dhe nuk pritet të ketë dallime të mëdha nga të dhënat paraprake./KSP