Lajme

Asamblistët shqiptarë në komunat austriake: Dilni në zgjedhje!

Asamblistët shqiptarë nëpër komunat austriake pa dallime partiake, apelojnë të komuniteti shqiptar që ta shfrytëzojë të drejtën për votim dhe të angazhohen në politikë, sepse angazhimi në politikë nuk është asimilim por integrim

Shqiptarët në Austri, ka vite që kanë filluar përfshirjen në skenën politike, duke marrë pozita të ndryshme në nivele lokale, dhe duke përfaqësuar komunitetin e tyre në institucione publike. Me angazhimin e tyre politik ata kanë forcuar bashkëpunimin mes kulturave të ndryshme në Austri, sidomos kanë treguar se integrimi ndodhë atëherë kur zëri i çdo komuniteti reflektohet në proceset vendimmarrëse.

Në asamble të ndryshme komunale nëpër Austri  ka një përfshirje të gjerë të shqiptarëve, të cilët janë pjesë e partive të ndryshme si: ÖVP, SPÖ, Die Grünen, etj. Sidoqoftë, sfida më e madhe mbetet pjesëmarrja e ulët e votuesve shqiptarë, një pengesë që ata kërkojnë ta tejkalojnë për të pasur një ndikim më të fuqishëm në të ardhmen politike të vendit ku jetojnë.

Politikanët shqiptarë nga ÖVP: Ta ndihmojmë komunitetin tonë, dilni votoni!

Kandidatët shqiptarë nga ÖVP (Partia Popullore e Austrisë), kanë kërkuar nga shqiptarët që të dalin të votojnë, sepse sipas tyre, vetëm kështu mund të ndihmohet komuniteti.

Nisret Bujari, Baden

Nisret Bujari është një figurë e njohur në komunitetin shqiptar në Austri, veçanërisht në qytetin e Badenit, ku jeton dhe ushtron veprimtarinë e tij si pronar i kompanisë “Bujari”. Ai u bë pjesë e ÖVP-së qysh në vitin 2015, kurse që nga viti 2020 fitoi besimin e qytetarëve të Badenit për t´i përfaqësuar në asamblenë komunale.

Bujari ka thënë se Austria ka një sistem demokratik nga i cili përfitojnë të gjithë, mirëpo, përfaqësimi nga një shqiptar është i domosdoshëm, për të arritur pastaj një përfaqësim politik në nivelin e lartë, sikurse është ai në parlamentin austriak. Andaj, ai iu bën thirrje të gjithë shqiptarëve që të dalin në votim.

“Ka ardhur koha dhe është e mundur që në parlamentin austriak të ketë një ulëse edhe për një shqiptar. Ulëset fitohen duke u organizuar si komunitet dhe duke e përkrahur kandidatin shqiptar për deputet”, është shprehur Bujari.

Megjithëse nuk ka kandiduar kësaj radhe për deputet, Bujari nuk e përjashton një mundësi të tillë në të ardhmen. Angazhimi dhe vizioni i tij për të sjellë një përfaqësim shqiptar në parlamentin austriak e bën atë një figurë të rëndësishme në zhvillimin politik të diasporës shqiptare në këtë vend.

Shefqet Sigi Balaj, Horn

Shefqet Balaj nga Strellci i Ulët i Deçanit, është asamblist në qytetin Horn. Ai është një figurë e njohur në politikën lokale të këtij qyteti, ku është aktiv prej më shumë se një dekade. Balaj aktualisht është në mandatin e tij të tretë si asamblist dhe këshilltar i qytetit, si dhe përfaqësues në nivelin e politikave të Bashkimit Evropian. Ai, në Kosovë ka mbaruar Fakultetin Filologjik, dega letërsi, ndërsa në Austri udhëheq firmën e tij „Hausservice Sigi“.

Pavarësisht se në qytetin e Horn-it, jeton një numër i vogël shqiptarësh, Balaj thekson se rëndësia e angazhimit të tyre në politikën austriake është thelbësore, jo vetëm për mirëqenien e komunitetit shqiptar në Austri, por edhe për ndihmën që mund të japin për Kosovën.

“Më duket se ende nuk kemi arritur që ta fitojmë kulturën për të votuar. Është e rëndësishme, sepse duke u integruar në politikë dhe biznes, mundemi të ndihmojmë komunitetin tonë, si në vendet ku jetojmë, por edhe Kosovën”, është shprehur ai.

Balaj ka thënë se ka ardhur koha që shqiptarët të kenë një përfaqësim në parlamentin austriak, por ai ka theksuar se mungesa e daljes në votim, e ka ngadalësuar rrugëtimin e këtij procesi.

Gjavit Shabanaj, asamblist në Waidofen a/d Ybbs, ÖVP: Duhet të jemi unikë

Gjavit Shabanaj, është në mandatin e tij të dytë si asamblist i partisë ÖVP, në qytetin Waidhofen an der Ybbs. Që nga angazhimi i tij politik në vitin 2015, ai  ka arritur të krijojë një profil të dalluar në politikën lokale austriake, duke kontribuar për përmirësimin e imazhit dhe integrimit të komunitetit shqiptar në Austri.

Ai ka thënë se në vendin ku jeton ka një numër të vogël të shqiptarëve. Megjithatë, Shabanj vlerëson se të gjithë shqiptarët që deri më tani janë angazhuar politikisht, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë austriake.

“Falë aktivitetit tim në asamble, sot neve shqiptarëve austriakët na shohin me një tjetër sy. Këtë kam bërë unë për komunitetin tim,” ka theksuar Shabanaj, duke nënvizuar impaktin pozitiv të angazhimit të tij politik.

Ai gjithashtu ka shtuar se ka ardhur koha që që shqiptarët të kenë një ulëse në parlamentin austriak, por e pranon se kjo është një sfidë e vështirë për shkak të mungesës së unitetit brenda komunitetit. “Për ta arritur është e vështirë, sepse ne nuk jemi unikë. Shqiptarët duhet të angazhohen në jetën e përditshme në vendin ku jetojnë, dhe të shfrytëzojnë të drejtën e votës. Nëse është e mundur, të zgjedhin partinë ÖVP, e cila ka dyert e hapura për të gjithë, dhe posaçërisht për ne, shqiptarët”, ka theksuar ai.

Bekim Thaqi, Aschach  (Die Grünen): 14,5 % e popullsisë në Aschach përbëhet nga shqiptarët

Bekim Thaqi është asamblist në komunën e Aschach-ut që nga viti 2015. Ai thotë se 14.5% e popullsisë në Aschach përbëhet nga shqiptarët, dhe pavarësisht kësaj, një numër i vogël i tyeë marrin pjesë në votim. Andaj, Thaqi ka kërkuar nga qytetarët shqiptarë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votë, sepse në këtë mënyrë mund të ndikohet në vendimet e të ardhshmes që prekin gjeneratat e reja.

“Jemi një numër i konsiderueshëm në Austri dhe kemi fatin që Austria është vendi i cili gjatë gjithë historisë i ka përkrahur shqiptarët. Pjesëmarrja në votim është shumë e rëndësishme, sepse do të luaj rol të madh për vendimet e të ardhmes, dhe kjo do të dokumentohet e do t´i lejojë gjeneratat e ardhshme të shohin kontributin e komunitetit shqiptar në histori”, është shprehur ai.

Bekimi është një zë i rëndësishëm për mbrojtjen dhe përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Aschach dhe më gjerë. Një nga arritjet e tij më të mëdha është sjellja e mësimit në gjuhën shqipe në vitin 2007 në Aschach. Sot, komuniteti shqiptar është i dyti më i madh në zonë, pas austriakëve.

 

Setki Ibraimi, Stockerau, ÖVP

Setki Ibraimi është nga Tetova. Ai jeton dhe vepron në Austri. Ibraimi është një aktivist i dalluar shqiptar në Austri, kurse prej dy mandatesh është asamblist në komunën Stockerau në kuadër të Partisë Popullore në Austri (ÖVP).

 

Shqiptarët në SPÖ: Angazhimi në politikë tregon integrimin në shoqëri

Për kandidatët e SPÖ-së (Partia Socialdemokrate e Austrisë) ka rëndësi të madhe përfaqësimi i komunitetit në skenën politike austriake, për shkak se kjo tregon një formë integrimi dhe kontributi në këtë shoqëri. Ata theksojnë se përkrahja nga shqiptarët i shtynë që të punojnë drejt krijimit të mundësive të barabarta në këtë shtet.

Deshire Shehu,  Knittelfeldit

Deshire Shehu, nga Fushë-Kruja, dikur mësuese në Shkodër, sot punon si infermiere në Spitalin e Loeben, në Knittelfeld. Ajo nga viti 2006 është angazhuar në temat e integrimit, dhe më 2015 ka fituar mandatin si anëtarë e këshillit bashkiak, ku fokus ka pasur çështjet e integrimit rajonal, të drejtave të grave dhe Evropës.

Duke folur për fillimet e karrierës së saj politike dhe rreth përzgjedhjes për t´u bërë anëtare e SPÖ-së, Shehu thekson:

“Kam zgjedhur Partinë Socialdemokrate SPÖ pasi aty kam gjetur dhe vetveten, një parti që mbështet dhe përkrah procesin e integracionit, pa dallim nacionaliteti”.

Me rreth 300 shqiptarë që jetojnë në Knittelfeld, Deshire Shehu ka ndërtuar një marrëdhënie të ngushtë me komunitetin, sidomos me gratë, duke u bërë një burim mbështetjeje jo vetëm për aktivitete, por edhe për çdo ndihmë që mund t’u nevojitet.

Ajo ka falënderuar komunitetin shqiptar për mbështetjen që ia ka dhënë sa herë ka qenë në garë për poste politike, por kërkon që të angazhohen të gjithë në Austri dhe të votojnë kandidatët shqiptar që synojnë parlamentin austriak, në mënyrë që edhe komuniteti shqiptar të këtë një përfaqësues të tyre.

“Mbështetja e shqiptarëve ishte një vlerësim për mua dhe shenjë respekti. Të tregojnë jo vetëm interes për kulturën, por edhe për politikën që zhvillohet në vend. Të jenë më të informuar dhe më aktivë, pasi vetëm nëse janë mirë të informuar, do jenë në gjendje të mbrojnë interesat e tyre dhe integritetin personal”, ka thënë ajo ndër të tjera.

Ajet Kastrati, Wals Siezenheim

Ajet Kastrati, teknik i diplomuar në mjekësi (DGKP) është përfshirë në politikën austriake duke u bërë pjesë e partisë Socialdemokrate që në vitin 2009. Duke filluar prej vitit 2019, ai ka shërbyer si asamblist në komunën Wals-Siezenheim, një zonë me 14,500 banorë. Kastrati, është i vetmi shqiptar dhe i vetmi asamblist me prejardhje të huaj në gjithë Bundeslandin e Salzburgut.

Kastrati ka thënë se angazhimi politik i shqiptarëve është dëshmi e integrimit të suksesshëm në Austri. Ai ka ftuar të gjithë shqiptarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të dalin të votojnë.

“Është koha që edhe ne të kemi shqiptaren a shqiptarin e parë në Parlamentin austriak, sepse kjo flet për integrimin e komunitet tonë këtu por edhe do ishte një zë i rëndësishëm edhe në përkrahjen e integrimit të shteteve tona në Bashkimin Evropian. Mesazhi im për të gjithë shqiptarët me të drejtë vote është që, të dalin në votim sepse vetëm kështu mund të vendosin për të ardhmen dhe rrugën politike të vendit ku jetojmë, prandaj këtë herë bashkë të bëjmë ndryshimin duke votuar për SPÖ”, thotë ai.

 

Fidan Limani, Traisen

Fidan Limani, 29-vjeçar nga Sllupçani, Maqedonia e Veriut, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme politike në Austri si drejtor i qarkut për Partinë Socialdemokrate (SPÖ) në Niederösterreich. Angazhimi i tij politik ka filluar tetë vite më parë, ku ka luftuar për vlera si: Liria, barazia dhe drejtësia sociale, duke u përqendruar në krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët dhe për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë e gjithëpërfshirëse.

Prej vitit 2020, Limani është asamblist në Këshillin Komunal të Traisenit. Gjatë zgjedhjeve të fundit, ai fitoi mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptar, duke ndihmuar që SPÖ të arrinte një rezultat historik prej 69%.

“Gjatë zgjedhjeve të fundit të Këshillit Komunal, pata një mbështetje jashtëzakonisht të madhe nga komuniteti shqiptar në Traisen, dhe kjo ishte një arsye kryesore për arritjen e një rezultati historik prej 69% për SPÖ-në. Kjo mbështetje tregon besimin që komuniteti ka në mua dhe në vizionin tim për të ardhmen e përbashkët. Një pjesë e madhe e votuesve shqiptarë, të cilët më parë nuk ishin përfshirë aktivisht në procesin zgjedhor, vendosën të votojnë dhe të jenë pjesë e ndryshimit. Një fakt, ajo që më bën veçanërisht krenar është se, edhe pse isha në vendin e 20-të në listë, mora vetëm 8 vota preferenciale më pak se kandidati për kryetar bashkie. Kjo tregon fuqinë e mbështetjes së komunitetit. Si rezultat, ne siguruam 16 nga gjithsej 23 mandatet në Këshillin Komunal. Ky sukses dëshmon se përmes bashkimit dhe angazhimit mund të arrijmë rezultate të jashtëzakonshme dhe të sjellim ndryshime pozitive për të gjithë”, ka thënë ai.

Kur flet për arritjet e tij që prej kohës që është asamblist, Limani thekson se ai ka qëllim të ndërtojë ura midis kulturave dhe të sigurohet që të gjithë të përfitojnë nga vendimet pozitive komunale.

Tutje, ai thotë se një zë shqiptar duhet në Parlamentin austriak, për të treguar integrimin në këtë shtet.

“Po, absolutisht. Një zë shqiptar në parlament do të ishte një sinjal i rëndësishëm, jo vetëm për komunitetin tonë, por edhe për gjeneratën e ardhshme të të rinjve me prejardhje migratore. Tregon se pjesëmarrja politike është e mundur për këdo që është i gatshëm të marrë përgjegjësi dhe të angazhohet. Është një simbol i integrimit dhe suksesit, dhe motivon të tjerët të bëhen gjithashtu aktivë.

“Në një demokraci, është e drejta jonë më e rëndësishme dhe në të njëjtën kohë përgjegjësia jonë të shkojmë të votojmë. Çdo votë ndihmon që mendimet dhe nevojat e ndryshme të shoqërisë sonë të dëgjohen. Vetëm ai që voton, kontribuon në formësimin e të ardhmes sonë të përbashkët”, ka thënë ai.

Visar Kajtazaj, Ybbs an der Donau

Visar Kajtazaj, me prejardhje nga Skënderaj, që nga viti 2015 është angazhuar në SPÖ. Ai politikën nuk e sheh si profesionin e tij, por si një mënyrë për t´i shërbyer komunitetit dhe vendit ku jeton. Në vitin 2020, ai u zgjodh asamblist në komunën ku jeton dhe ka vazhduar të përfaqësojë interesat e qytetarëve, veçanërisht të komunitetit shqiptar.

Mbështetja e komunitetit shqiptar për Kajtazaj ka qenë e jashtëzakonshme, duke qenë një nga forcat kryesore që e shtynë drejt politikës.

“Shqiptarët kanë qenë ata të cilët më kanë shtyrë të merrem me politikë dhe më kanë përzgjedhur t’i përfaqësoj ata në komunën ku jetojmë”, shprehet ai. Për të, integrimi në politikën komunale është një hap i rëndësishëm drejt suksesit, jo vetëm për përmirësimin e jetës shoqërore dhe kulturore, por edhe për forcimin e lidhjeve shtetërore.

Gjatë mandatit të tij si asamblist, Kajtazaj ka qenë gjithmonë i gatshëm t’i ndihmojë bashkatdhetarët e tij. Një nga nismat më të rëndësishme ka qenë mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe në komunë, organizuar nga mësuesja Anjeza Kolndreu-Abazi. Ai ka ndihmuar në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave shqiptare përmes organizimit të programeve për festat kombëtare dhe mësimit të këngëve folklorike për fëmijët shqiptarë, duke e shfrytëzuar pasionin e tij për muzikën.

Për zgjedhjet e shtatorit, ai del me mesazhe të qarta. “Çdo votë për FPÖ është votë kundër Kosovës, ta keni parasysh,” ka thënë ai.

Kurse, kur iu drejtohet shqiptarëve, ai thotë:  “Dilni dhe votoni sa herë ju jepet mundësia. Një popull që fle në demokraci, do zgjohet në diktaturë”.

Gani Rexhaj, Schwadorf, SPÖ

Gani Rexhaj nga fshati Petrovë, komuna e Shtimes, prej vitit 2003 është anëtar i partisë SPÖ në Austri. Nga viti 2015 ai është këshilltar politik në Asamblenë Komunale në Schwadorf. Sipas tij, komuniteti shqiptar në Austri ka kuadro të mjaftueshme për t’i siguruar vota një kandidati shqiptar që të jetë pjesë e parlamentit austriak. “Si asamblist, do të kisha apeluar tek secili, sidomos tek të rinjtë që të angazhohen sa më shumë në politikën austriake, sepse përderisa kemi zgjedhur që të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë ta kalojmë në këtë shtet, atëherë duhet edhe të integrohemi në secilin sektorë, e veçanërisht në politikë”, është shprehur ai.

Si përfundim, të gjithë këshilltarët shqiptarë nëpër komunat austriake pa dallime partiake, apelojnë të komuniteti shqiptar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim dhe të angazhohen sa më shumë në politikë, sepse angazhimi në politikë nuk është asimilim por integrim.