Kultura

Artisti shqiptar Shuk Orani ekspozon në Leipzig

Sot, Shuk Orani me 7 krijime të tij merr pjesë në eskpozitën e përbashkët me katër artistë gjermanë në Galerinë “Hermeling & Schreckenberger” në Leipzig të Gjermanisë

Ka tashmë rreth njëzet vite që kur artisti nga Kosova, Shuk Orani jeton dhe krijon në Hamburg të Gjermanisë. Këtu ai ka mbaruar Akademinë e dizajnit multimedial sdhe Akademinë për publikime elektronike – art dhe dizajn. Me përkushtimin dhe nivelin artistik që dëshmojnë krijimet e tij, Orani është prej vitesh pjesë e jetës artistike të Hamburgut. Përtej kësaj, ai ka bërë depërtime edhe në skenën botërore të artit pamor, shkruan albinfo.ch. Pjesëmarrja e tij në ekspozita nëpër galeri prestigjioze në Angli, Danimarkë, Kinë, Indi etj. e dëshmon këtë.

Po ashtu, punime të artistit nga Kosova mund të shihen në objekte të rëndësishme në Hamburg e më gjerë.

Sot, Shuk Orani me 7 krijime të tij merr pjesë në eskpozitën e përbashkët me katër artistë gjermanë në Galerinë “Hermeling & Schreckenberger” në Leipzig të Gjermanisë.

Ja se çfarë shkruan, veç tjerash, historianja gjermane e artit, Julia Eckhardt,  (M. A. History of Art) për krijimet e Oranit: “Tekstualisht këtu kemi të bëjmë me shpërbërjen e figurës së gruas në materie dhe në formë, ku kjo e fundit është vendi i rezervuar për përshkrimin e lidhjes me të. Shembuj për diçka të tillë nga literatura dhe arti ka mjaft. Tablotë e Oranit përplotësojnë këto pozicione të shumta, të cilat i japin shprehje gjakimit drejt metamorfozës që ndihet në jetën e përditshme. Ngjyra këtu e mbulon figurën e gruas dhe kështu e bën vështruesin që të ndalojë te konturet femërore dhe e largon në të njëjtën kohë atë nga ajo që shihet mbi sipërfaqen e pikturës…

Ekspozita hapet sonte në Galerinë “Hermeling & Schreckenberger” me fillim në orën 19.00.

Adresa:  Höfe am Brühl

(Außenbereich /Quergasse)

04109 Leipzig