Ekspozita

Artisti nga Kosova, Faton Kryeziu, vlerësohet lart në Zvicër

Së fundmi Faton Kryeziu ka arritur një sukses të madh, duke dizajnuar trofeun e ‘Skating Awards 2020”, që mbahet në Zvicër

I diplomuar me  master për pikturë, Faton Kryeziu i takon atij lloji të artistëve që pëlhurën e bardhë shohin si një sifdë për të filluar gjithmonë diçka të re. Përveç që merret me pikturë, ai është duke shkruar edhe një libër.

Albinfo.ch ka realizuar një intervistë me Kryeziun, ku ai ka shpalosur të gjithë rrugëtimin dhe depërtimin në tregun artistik të Zvicrës.

Albinfo.ch: Kush është Faton Kryeziu?

Kryeziu: I lindur në vitin 1979 në Prizren, Kosovë. Në vitin 1998 kam regjistruar Fakultetin e Arteve në Prishtinë, në degën e pikturës, në vitin 2002 kam mbaruar studimet bazë, ndërsa në vitet 2002-2004, edhe studimet master për pikturë. Nuk e pëlqej përsëritjen në art, preferoj hulumtimin dhe risinë. Pëlhurën e bardhë e shoh si një sfidë, për të filluar gjithmonë diçka të re.

Albinfo.ch: Ju keni një galeri në Prishtinë. Kur është prezantuar ekspozita e parë dhe kur planifikoni ekspozitën e radhës?

Kryeziu: Në dhjetor të vitit 2019, kam hapur galerinë “Da Vinci GALLERY” në Prishtinë, me ç` rast, në hapje te galerisë, përveç punimeve të mia, kam prezantuar para publikut dhe një pjesë të veprave të artistëve të tjerë, që janë pjesë e koleksionit tim.

Albinfo.ch: Cili është artisti i juaj  i preferuar?

Kryeziu: Gerhard Richter.

Albinfo.ch: Çka i dallon veprat e tua nga ato të artistëve të tjerë?

Kryeziu: Mendoj se çdo artist, me shume ose me pak, dallon nga çdo njeri që pikturon. Kështu mendoj sepse çdo njeri që merret me art, përpos se duhet të pikturojë, më shumë i duhet të mendojë dhe mendimi për punën që do të bëjë sado që mund të ketë ndikime nga artist të tjerë, prapë se prapë koha dhe puna me artin e bënë atë që megjithatë ta thotë atë që e ka menduar, që normalisht mendimi mund të jetë çdo herë personal.
Duhet ta citojmë thënien e Edward Hopper: ”Nëse mund ta thuash me fjalë nuk do të kishte asnjë arsye për të pikturuar”.

Albinfo.ch: Cili është koncepti i galerisë tuaj?


Kryeziu: Fatkeqësisht në Kosovë, përherë kanë munguar galeritë. Diçka e tillë ka qenë e nevojshme, mbase e domosdoshme. Krahas punëve të mia, do të ekspozojnë dhe disa artistë tjerë të mirëfilltë, të cilët besoj se i plotësojnë kushtet që të jenë pjesë e galerisë. Në galerinë “Da Vinci” kanë mundësinë të ekspozojnë artistët e duhur. Dëshira për të pasur një galeri, në të cilën fillimisht vetë të kem mundësinë t’i ekspozoj punimet e mia, por dhe të tjerëve, ka qene ëndërr e hershme. Kam pasur rastin dhe mundësinë, që koleksionin tim ta plotësoj me emra të mëdhenj të artit shqiptar, të cilët, fatmirësisht përherë i ekspozojmë në galeri.

Albinfo.ch: Sa ju përkrah shteti në punën që bëni?

Kryeziu: Deri më tani nuk kam pasur asnjë përkrahje nga shteti për projektin e fundit “Galeria Da Vinci”. Mendoj se edhe artistëve të tjerë u mungon përkrahja nga shteti dhe prandaj kemi pak artistë që merren seriozisht me artin.

Albinfo.ch: Së fundmi ju keni arritur një sukses fantastik, duke dizajnuar trofeun e ‘Skating Awards 2020”. Na tregoni pak se si ka rrjedhur e gjithë kjo.

Kryeziu: E gjitha filloi nga bashkëpunimi im me një mik timin, që është mjaft i suksesshëm ne Zvicër, Gzim Hasani-n. Ai më njoftoi më drejtorin gjeneral të këtij aktiviteti, Oliver Honer.
Pas njohjes me të dhe pas njohjes të punëve të mia nga këta njerëz, kemi biseduar dhe për trofeun. Si fillim e kemi menduar, e kemi skicuar, i kemi bërë disa, kemi filluar dhe të veprojmë dhe si përfundim ka ardhur rezultati pra, trofeu që e ka pranuar i gjithë stafi i ISU Skating Awards. E gjithë puna për realizimin e trofeut është bërë në Kosovë, shkrirja në bronz dhe gjithçka rreth saj.

Albinfo.ch Si ka qenë rrugëtimi i juaj në karrierë deri më tani?

Kryeziu: Mund të them jo si çdo artist, mund të them jo si shumica e artistëve që gjatë rrugëtimit artistik kanë hasur në vështirësi për të bërë punën që e kanë dashur ose që e kanë ndier. Nuk mund të them që e kam pasur as unë gjithmonë të lehtë, por nuk kam hasur në vështirësi të mëdha gjatë rrugëtimit tim artistik, për të ardhur deri në këtë pikë ku jam sot. Koha tani është ajo që e ka shënuar dhe e ka vërtetuar punën e pandërprerë dhe dashurinë për punën dhe artin.
Siç kam thënë dhe tjetër herë: “Vetëm atëherë kur i kam pikturat afër vetës, ndihem më i madh se çdo kush tjetër”.

Albinfo.ch: Punoni për tregun zviceran. Sa ishte e vështirë të depërtoni atje dhe a mendoni se atje vlerësohet arti me shumë?

Kryeziu: Puna ime e pandalur shumëvjeçare, është shpërblyer me një mundësi të tillë.
Kohëve të fundit ne kemi një kontratë, që tash unë të punoj për tregun zviceran. Është një punë shumë e mirë, e cila më ofron siguri dhe njëkohësisht unë jap maksimumin tim. Tregu zviceran i artit nuk krahasohet me tregun tonë, gjithçka është ndryshe. Mundësitë e tilla, të rritin profesionalisht dhe të japin mundësi për të thënë atë që ke pasur dhe që ke për të thënë për artin.

Albinfo.ch: Çfarë ndjenje është të ekspozosh në një vend të huaj?

Kryeziu: Normalisht që është ndjenjë e mirë dhe ndjenjë tjetër, duke e marrë parasysh se publiku është tjetër. Publiku që nuk ka parë dhe qe nuk ka dëgjuar më herët për ty, bën që ta vërtetosh punën që ke bërë më herët ose ta shohin prej një këndi që nuk është parë deri më sot puna juaj.
Studiuesja e artit, gjegjësisht autorja e librit, Suzana Varvarica Kuka, ka bërë një përmbledhje të punëve të mia, që janë afërsisht 150 vepra, të cilat do të prezantohen në librin “Tension dhe emocion”. Janë vepra të cilat gjenden në koleksione private në shumë vende të botës si: SHBA, Bahrain, Gjermani, Zvicër, Shqipëri, Kosovë, Serbi, Maqedoni etj. Ky libër vjen si rezultat i punës time së gjatë, dhe do të shërbejë si dëshmi dhe njoftim për publikun. Libri që do të botohet në fund të këtij viti, do te jetë në gjuhën shqipe, angleze dhe gjermane.

Albinfo.ch: Çfarë doni të thoni me titujt e fundit të veprave tuaja “Life & Death” ?

Kryeziu: Që gjithçka ka fillimin dhe fundin e saj.

Abinfo.ch: Çfarë ka prapa foleve?
Kryeziu: Jeta, vështirësia dhe familja.


Si u zgjodh trofeu i Faton Kryeziut për “Skating Awards 2020”

Pas njohjes me kreun e “Skating Awards 2020”, Oliver Honer dhe pas njohjes të punëve të mia nga këta njerëz, kemi biseduar dhe për trofeun. Si fillim e kemi menduar, e kemi skicuar, i kemi bërë disa, kemi filluar dhe të veprojmë dhe si përfundim ka ardhur rezultati pra, trofeu që e ka pranuar i gjithë stafi i ISU Skating Awards.

Rreth galerisë “Da Vinci”

Në galerinë “Da Vinci” kanë mundësinë të ekspozojnë artistët e duhur. Dëshira për të pasur një galeri, në të cilën fillimisht vetë të kem mundësinë t’i ekspozoj punimet e mia, por dhe të tjerëve, ka qene ëndërr e hershme. Kam pasur rastin dhe mundësinë, që koleksionin tim ta plotësoj me emra të mëdhenj të artit shqiptar, të cilët, fatmirësisht përherë i ekspozojmë në galeri.