Kosova

Arsimi të bëhet prioritet i institucioneve të Kosovës

“Është punuar mjaft në periudhën e pas luftës për renovimin e sistemit arsimor, por ka munguar investimi dhe përqendrimi në cilësi"

Me rastin e vitit të  ri shkollor Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa, ka uruar nxënësit duke thënë se arsimimi cilësor, avancimi i dijes dhe përgatitja bashkëkohore profesionale janë parakushte themelore për zhvillimin e vendit.

 “Institucionet tona duhet të punojnë më shumë për të krijuar kushte duke përkrahur në çdo formë sistemin e arsimit dhe edukimit, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në vlerësimet ndërkombëtare për vendin. Urime dhe ju priftë e mbara!”, ka shkruar Mustafa në llogarinë e tij në Facebook, transmeton albinfo.ch.

Edhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, me rastin e vitit të ri shkollor ka kërkuar nga Qeveria e ardhshme që arsimin ta ketë prioritet. “Është punuar mjaft në periudhën e pas luftës për renovimin e sistemit arsimor, por ka munguar investimi dhe përqendrimi në cilësi. Ka qenë logjika e sasisë, e kuantitetit. Por, nuk do të thotë ky orientim që nuk kemi bërë asgjë, që nuk kemi siguruar brenda cilësi. Kërkojmë që Qeveria e ardhshme ta ketë prioritet arsimin”, ka thënë Bajrami.