Kosova

Arrihet zgjidhja: Orët e Evropës nuk vonohen më për faj të Kosovës dhe Serbisë

Këto orë dhe ato të furrave elektrike (shporetëve) ngelnin 5 deri 6 minuta mbrapa për shkak të sasive të mangëta të energjisë që merrnin ato nga Ballkani, përmes rrjetit të transmisionit

Është zgjidhur problemi i frekuencave të energjisë elektrike në Evropën Perëndimore, i cili vinte si pasojë e mosmarrëveshjeve të sistemeve energjitike të Kosovës dhe të Serbisë. Siç ka shkruar tashmë edhe albinfo.ch, në javët e para të muajit të kaluar ky konflikt kishte shkaktuar vonesa të konsiderueshme të orëve që vihen në lëvizje nga energjia elektrike ngado në Evropë.

Këto orë dhe ato të furrave elektrike (shporetëve) ngelnin 5 deri 6 minuta mbrapa për shkak të sasive të mangëta të energjisë që merrnin ato, njofton energate.de.

Ndërkohë, sot ka njoftuar Rrjeti  i Operatorëve të Transmisionit Entso-E se ky problem është evituar, gjegjësisht programi i kompensimit të rrymës është rrumbullakësuar. Kështu, frekuenca është stabilizuar në 50-01 Hertz dhe kjo nënkupton se orët e përmendura tash funksionojnë në mënyrë optimale.

Javëve të kaluara, defekti i shkaktuar nga mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi kishte shkaktuar një mungesë prej 118 milionë kilovat orësh energji. Ndërkaq, se kush do të bëjë kompensimin e energjisë së munguar gjatë periudhës së përmendur, nuk ka ndonjë përgjigje nga Entso-E.

Por “Entso-E do të mbështesë të gjitha palët për të gjetur një zgjidhje afatgjatë për energjinë elektrike në mes të Serbisë dhe Kosovës”, ka thënë një zëdhënëse e këaj organizate për energate.de