Shqipëria

Arrestohet shtetasi i Kinës në Shqipëri me 80 mijë euro

Një shtetas kinez është arrestuar në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë për mosdeklarim të vlerave monetare në kufi dhe të kontrabandës me mallra, transmeton albinfo.ch.

Policia Kufitare njofton se atij i janë sekuestruar 80 mijë euro, 2900 jen kinez, si dhe 76.000 lekë.

“Si rezultat i kontrolleve është  përzgjedhur për kontroll në vijën e dytë shtetasi kinez J. L., 43-vjeç,  lindur në Kinë dhe me banim të përkohshëm në Tiranë, të cilit gjatë kontrollit në bagazhin e dorës dhe në trup ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 80 mijë euro, 76.000 lekë dhe 2900 jen kinez. Po gjatë kontrollit në bagazhet e dorës ju gjetën edhe 9 steka me paketa cigaresh pa pullë fiskale”, thekson policia.

Policia po ashtu njofton se gjatë vitit 2018 janë evidentuar 13 raste të  mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi.