Lajme

Arrestohet një i dyshuar për terrorizëm në Austri – nëna e tij godet me veturë dy policë të njësisë Cobra

Policia austriake arrestoi të shtunën një 18-vjeçar të dyshuar për terrorizëm në Sellrain të Tirolit

Informacioni kishte ardhur nga një shërbim sekret i huaj për mbrojtjen e brendshme të Kushtetutës së Austrisë. Menjëherë kanë nisur hetimet nga Drejtoria për Inteligjencë dhe Siguri Shtetërore (DNS), raporton albinfo.at. Në fakt, 18-vjeçari i dyshuar për terrorizëm thuhet se ka paraqitur plane konkrete në forume të ndryshme sociale për sulme në stacionet e policisë. Sipas “Krone Zeitung”, ai kishte deklaruar: “Do të pres kokat e zyrtarëve!”. Pa vonuar asnjë minutë, Prokuria publike e Tirolit veproi dhe lëshoi ​​një urdhër arresti me dyshimin për terrorizëm.

Nëna e të dyshuarit për terrorizëm tentoi të shkelë dy policë

Të shtunën, në Sellrain në lagjen Innsbruck-Land, zyrtarë të policisë nga njësia speciale Cobra kishin një aksion delikat. Kur i dyshuari me origjinë turke dhe nëna e tij u rrethuan në veturë nga policët e armatosur të njësisë Cobra, gruaja nuk u dorëzua. Ajo dyshohet se shkeli pedalin e gazit dhe tentoi të shkelë forcat speciale të policisë. Por pa sukses, nënë e bir u arrestuan, transmeton albinfo.at.

Sipas ORF-së, në aksion janë plagosur dy policë, njëri prej tyre në gjendje të rëndë. Ai u dërgua në një spital. Hetimi po vijon me shpejtësi. Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, falënderoi të shtunën zyrtarët e policisë për angazhimin e tyre.