Kosova

Arrestohet kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati

Është konfirmuar arrestimi i kryetarit të OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, nga EULEX-i.

Këtë e ka konfirmuar avokati i kësaj organizate, i cili ka njoftuar se Gucati do të transferohet në Hagë.

EULEX po zhvillon një bastisje në zyrat e OVL të UÇK-së, përcjell albinfo.ch.

Ende nuk dihen arsyet prapa arrestimit të Gucatit, ndërsa avokati i kësaj organizate Tomë Gashi, i tha Radios Evropa e Lirë se: “Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte, sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”.

Avokati Gashi ka shkruar në rrjetin social Facebook se Gucati do të transferohet në Hagë, ndërkohë që bastisjet nga EULEX-i në zyret e OVL të UÇK-së po vazhdojnë.

Në vendin e ngjarjes janë parë edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Ndërkaq, gjatë bastisjeve të Zyrës së OVL-së nga EULEX-i, para këtyre zyreve janë mbledhur disa qytetarë në shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të Gucatit.

Kjo vjen një ditë pas arrestimit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 shtator 2020, të Salih Mustafës, njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

EULEX-i ka dhënë përkrahje operacionale dhe logjistike Zyrës së prokurorit të Specializuar edhe në këtë arrestim.