Futboll

Arrestohet ish-presidenti i UEFA-s

Michel Platini është arrestuar nga policia franceze mëngjesin e së hënës në Nanterre në kuadër të hetimeve rreth dhënies së të drejtës së organizimit të Kampionatit Botëror më 2022 në Katar.

Mediet franceze njoftojnë se, Platini është transportuar në zyrën e antikorrupsionit të policisë gjyqësore.

Katari e fitoi të drejtën për organizimin e Botërorit 2022 në vitin 2010, ndërsa ish-futbollisti i njohur e ka mbajtur postin e presidentit të qeverisë evropiane të futbollit në periudhën 2007-2015, përcjell albinfo.ch.

Vendimi ishte marrë nga ish-presidenti i FIFA-s, Joseph Blatter, por pas akuzave dhe hetimeve të zhvilluara, si dhe arrestimeve për çështjen në fjalë, që tronditën botën e futbollit, krerët e dy institucioneve më të fuqishme të futbollit u detyruan të largoheshin nga postet e tyre.

Platini u përfshi indirekt në këtë skandal dhe u akuzua se ka marrë nga Blatter pagesa të jashtëligjshme të kamufluara “për konsulencë” në periudhën 1999-2002.

Bëhet fjalë për rreth dy milionë franga zvicerane. Për këtë shkak, francezi u pezullua 8 vite, që më pas u ul në 4 vite, duke u detyruar që të largohej nga UEFA në vitin 2015, për t’u zëvendësuar nga Ceferin.