Lajme

Arrestohen në Gjermani dy shqiptarë të shpallur në kërkim

Policia e Shtetit ka finalizuar në bashkëpunim me partnerët gjermanë dy operacione, të koduara “Para drejtësisë”

Operacionet u realizuan falë sigurimit të informacionit nga Policia e Shtetit dhe shkëmbimit në kohë me Interpol Wiesbaden/Gjermani, nëpërmjet Interpol Tiranës.

Në kuadër të këtyre operacioneve janë arrestuar në Gjermani shtetasit F. B., alias F. Z., 37 vjeç, lindur në Vlorë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore”, e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar Kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga Grupi i strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale”.

Ky shtetas dyshohet se në vitin 2019 ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë bashkëshortin e një gjyqtareje, e cila ishte pjesë e trupit gjykues në një gjyq që zhvillohej kundër një grupi të krimit të organizuar.

Nga hetimet e kryera dhe këqyrja e kamerave të sigurisë, është identifikuar si autor i këtij sulmi shtetasi F. B., alias F. Z.

Gjithashtu është arrestuar shtetasi E. K., 25 vjeç, lindur në Kavajë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në maj 2024, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

Ky shtetas, në maj 2024, në Durrës, tek “Rrethrrotullimi i Plepave”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri shtetasin R. B.

Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Wiesbaden/Gjermani për ekstradimin e këtyre dy shtetasve drejt Shqipërisë.