Kosova

Arrestohen dy personat e dyshuar për fajde

Policia e Kosovës ka arrestuar sonte dy të dyshuarit për “rastin e fajdeve”, Rr. H. dhe K. R.

Lajmin e arrestimit të dy të dyshuarve e ka konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Mund të konfirmojmë se sot në orët e mbrëmjes Policia e Kosovës, në këtë rast Drejtoria e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zbatuar Aktvendimin Prokurorisë Themelore Ferizaj-Departamenti i Krimeve të Renda, me ç’ rast është arritur rreth orës 20:00 të arrestohen dy personat e dyshuar Rr. H. dhe K.R., nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 335 të KPRK-së, Shantazh nga neni 341 dhe “Detyrim” nga neni 340 lidhur (në bashkëkryerje) me nenin 31 KPRK-së. Të dyshuarit sipas aktvendimit dërgohen në mbajte për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Kelanit.

KosovaPress merr vesh se të arrestuarit janë dy personat Rr.H. dhe K. R. të cilët dyshohet se së bashku me E. L. në vitin 2011 dhe 2012, e kanë mashtruar F. D. duke i marr shuma të mëdha parash për t’ia hapur një spital, përcjell albinfo.ch.

Në videot e prezantuara, ata thirreshin në emër të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, të cilët kanë ngritur padi për keqpërdorim të mërit të tyre.